TË PANDARAT

Simone de Beauvoir
Përktheu: Diana Çuli
160 faqe
Çmimi 900 lekë
“Të pandarat” është një roman i shkurtër autobiografik që ndjek me emocion miqësinë pasionante midis Simone de Beauvoir-it (Silvia) dhe Zazës (Andre), që nga takimi i tyre në shkollë, në mes të Luftës së Parë Botërore, deri në vdekjen e Zazës më 1929. Silvia, nga këndvështrimi i së cilës rrëfehet ngjarja, joshet menjëherë nga Zaza, vajzë inteligjente dhe rebele: të dyja do të bëhen të pandashme, pavarësisht prej armiqësisë së familjes së Andresë, pjesë e një dinastie të madhe katolikësh militantë. Por nëse miqësia e tyre arrin t’i shpëtojë mjedisit shtypës ku Andre jeton, kjo nuk mund të thuhet për vajzën, e cila dërrmohet nën shtypjen e familjes. Kështu, historia prekëse e një miqësie kthehet edhe në denoncim të një shoqërie fanatike dhe hipokrite, e paaftë të pranojë atë që del nga kufijtë e meskinitetit të saj mendjengushtë.
Simone de Beauvoir e shkroi këtë roman, Të pandarat, në vitin 1954 dhe, megjithëse vendosi të mos e botonte, e ruajti dorëshkrimin, i cili më në fund u gjet dhe sot konsiderohet një zbulim i madh letrar: megjithëse Silvia/Simone tenton në këtë histori të bëhet njësh me shoqen, shfaqet qartë rrugëtimi i saj i ndryshëm, që do ta ndihmojë jo vetëm të shpëtojë, por edhe të bëhet një figurë themelore në historinë e emancipimit të gruas në shekullin e njëzetë.

Category:

Rreth autorit

Simone de Beauvoir

Simone de Beauvoir

Simone de Beauvoir (1908-1986) ishte shkrimtare, filozofe, figura kryesore në feminizmin e valës së dytë. Që në moshë të re, Simone shfaqi një pasion të madh për natyrën dhe studimin.
Në vitin 1926 u regjistrua në Sorbonë dhe më 1929 mori, me një tezë për Leibnizin, diplomën për mësimdhënie. Në universitet, u takua dhe u dashurua me Jean-Paul Sartre, filozofin ekzistencialist me të cilin e bashkonte edhe jeta profesionale. Me Sartrin ajo udhëtoi shumë, në Itali, Spanjë, Marok dhe së bashku përjetuan trazira të mëdha politike: luftën civile në Spanjë, ngritjen e nazizmit, Luftën e Dytë Botërore. Simone de Beauvoir dha mësim deri në vitin 1943. Pas suksesit të romanit të parë L’invitée, iu përkushtua vetëm të shkruarit. Në vitin 1945 themeloi, së bashku me Sartrin dhe të tjerë, revistën Kohët moderne, që synonte t’i jepte hapësirë letërsisë së angazhuar. Më 1949, shkroi librin Seksi i dytë, që e bëri edhe më të famshme. Në vitin 1954, për romanin Les mandarins (Mandarinët) Simone de Beauvoir fitoi çmimin Goncourt dhe më 1958 botoi Mémoires d’une jeune fille rangée, që vijoi me romanet autobiografike La force de l’age, La force des choses (1963), Une morte très douce (Një vdekje shumë e ëmbël, 1964), La Cérémonie des adieux (1981).
Sot Simone de Beauvoir është një nga ikonat e kulturës franceze.

Rreth përkthyesit

Diana Çuli ka lindur në Tiranë më 1951, ku kreu edhe shkollën e mesme. Më 1973 u diplomua për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1974 deri më 1990, punoi në gazetën letrare Drita dhe në revistën Les Lettres Albanaises. Nga 1991 deri më 2014, Diana Çuli ka qenë aktiviste për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, ndërsa nga 2005 deri më 2009 deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Më 2012 mori urdhrin Ordine al merito della Repubblica Italiana nga presidenti Napolitano. Ka shkruar 12 romane, 3 vëllime me tregime, skenarë filmash, drama etj. Më 1996, fitoi Çmimin Mesdhetar për Letërsinë e Grave në Marsejë; më 2007, në Panairin e Librit të Tiranës, fitoi Çmimin Autori më i mirë i vitit. Disa romane të saj (Diell në mesnatë, Engjëj të armatosur, Vrasje në Kryeministri, Gruaja në kafe, Hoteli i Drunjtë) janë botuar në Itali, Kinë dhe Maqedoni. Më 2017 fitoi çmimin “Përkthyesi më i mirë i vitit”, në Panairin e Librit të Tiranës. Themeluese e qendrës kulturore Minerva dhe shpesh e ftuar si folëse në konferenca letrare në Itali (Romë, Ankona, Firence, Bari, Leçe, Mesina etj.). Ka qenë anëtare në juritë shqiptare për çmimin Strega (2016, 2017), si edhe për Çmimin Europian për Letërsinë (2014, 2017). Diana Çuli ka njohuri të thella të anglishtes, frëngjishtes dhe italishtes. Ka përkthyer një sërë veprash të rëndësishme letrare. Përmendim disa: Umberto Eco, Flaka misterioze e Mbretëreshës Loana; Cao Xueqin, Ëndërr në Pallatin e Kuq; Jean-Paul Sartre, Neveria, Rrugët e Lirisë, Duar të ndyra, André Gide, Simfonia pastorale; Simone de Beauvoir, Mikesha; Patrick Modiano, Në kafenenë e rinisë së humbur; Irène Némirovski, Jesabel dhe Zjarret e vjeshtës; Jan Brokken, Në shtëpinë e pianistit; Anna Gavalda Të ishim bashkë, vetëm kaq...; Federico Moccia, Dashuri 14; Carmine Abate, Lumturia e pritjes; Elisabeth Gilbert, Ha, lutu, dashuro.