Blogu

RTSH, Bibliotekë nga Arta Marku: Tatiana Tibuleac në intervistë me Arta Markun

Tatiana Tibuleac ne BIBLIOTEKE, RTSh, me Arta Marku, emisioni me profesional sot per librin.

#RTSH#Veraimekurimemeikishtesytejeshile#artamarku#TatianaTibuleac#manielasota#CreativeEurope4Books

Aleksi i vogël është i dëshiruar për dashurinë e së ëmës por ajo nuk ia jep. Nuk mundet. Sapo ka humbur të bijën dhe ka rënë në depresion, është izoluar, mbyllur në dhimbjen e vet dhe nuk është në gjendje të shohë asgjë tjetër rrotull, as të birin që i lutet me të gjithë qenien e vet. Lutja pa përgjigje zgjat aq sa djalit i zhvillohet urrejtja. Filli lidhës nënë-bir këputet dhe djali hyn në një botë tronditjesh psikologjike.

Është vonë kur nëna del nga tuneli dhe kupton dëmin që ka bërë si dhe pamundësinë e ndreqjes. Kështu derisa troket vdekja tjetër, kësaj here vdekja e nënës. Ajo është ende e re kurse i biri sapo ka arritur adoleshencën. Kur nëna merr vesh sëmundjen, e para e ndoshta e vetmja gjë të cilës i kushtohet është përpjekja për rilidhjen e fillit të këputur. Kërkon në njëfarë mënyre FALJEN e të birit para se të shkojë në botën tjetër. Ka nevojë që ai ta kuptojë e mandej ta pranojë. Për të mirën e vet por sidomos për të mirën e tij. Ajo është nëna. I lutet të shkojnë së bashku me pushime në një fshat të Francës me premtimin se në fund do t’i dhurojë një makinë. Tekefundit e di mirë se këtë premtim s’ka rrugë tjetër veç ta mbajë. Shumë shpejt makina që ka nuk do t’i duhet më. Me apo pa premtim do t’i takojë të birit të ulet në vendin e shoferit. Por ende pa u ndezur dritat mbi atë që do të vijë, biri urryes ka nevojë për një karrem.

Atje, në fshat nëna i flet për herë të parë birit për sëmundjen e cila përparon shpejt. Siç duket s’paskësh pasur nevojë për më shumë që një raport i ri nënë – bir të zërë fill. Në fakt ç’mund të ketë më shumë? Çfarë mund të jetë më shumë se vdekja? Sepse po, është vdekja shansi i rilidhjes nënë-bir. Është vdekja përballë së cilës sprapset djali dhe vendos ta shkarkojë peshën e urrejtjes së grumbulluar ndaj të ëmës.

A duhet pritur vdekja që të fillosh të arsyetosh e të kuptosh se fija lidhëse me disa njerëz nuk duhet këputur, përkundrazi ia vlen përkujdesja për të? A duhet pritur vdekja që të kuptosh se disa njerëz janë pjesë e rëndësishme e jetës tënde? Se për disa falje nuk duhet ngurruar? Se disa urrejtje nuk duhen ushqyer? Se disa helme duhen derdhur? Se disa ura komunikimi duhen ngritur, solide madje?

Pse u dashka pritur të ndodhë një gjë edhe më e madhe për të riparuar, si pasojë, të madhen? Pse u dashka një dhembje edhe më e madhe për të fashitur dhembjen e madhe?

Padyshim, traumat e fëmijërise janë thasë me gurë që nuk e kemi të lehtë t’i shkarkojmë nga supet. Por përpjekja ia vlen. Çelësi qëndron te komunikimi. Komunikimi që i hap rrugën njohjes, kuptimit, pranimit, faljes, shpëtimit në fund të fundit.

***

Është libri VERA KUR IME MË I KISHTE SYTË JESHILË i shkrimtares moldave Tatiana Țîbuleac. Ju kam folur edhe më parë për subjektin e tij, por sot është momenti që të flasë shkrimtarja:

-Çfarë është dashuria dhe çfarë problemesh shkakton mungesa e saj?

-A është një teh i hollë brisku që ndan dashurinë nga urrejtja, a është mes tyre, në vend të një hendeku, një urë që shërben për të shkuar menjëherë nga bregu i dashurisë te ai i urrejtjes?

-Çfarë i ndodh një fëmije të vogël kur nëna nuk ka sy për ta parë thirrjen e tij dëshpëruese? Kur nënës i janë tharë përkëdheljet për të?

-Çfarë justifikimi mund të këtë një nënë që nuk gjen forca për të dalë mbi dhimbjen që e ka izoluar?

-A është nëna NJERIU prej nga është pa kuptim të pritet MBINJERIU?

-Çfarë rrëmuje ndodh në psikën e njeriut ku emocionalja e mbyt racionalen?

-Çfarë është depresioni dhe a dilet prej tij?

-Çfarë është dhembja dhe a e zotërojmë dot?

-Ç’e pengon komunikimin? A është një derë që hapet, gjithsesi?

***

Tatiana Țîbuleac ka pasur nevojë të reflektojë mbi pyetjet e mësipërme. Ajo vetë e para ka pasur nevojë për katarsinin. Ka dashur të lidhë fijen në mos të këputur, të holluar ndjeshëm, të marrëdhënies me të atin. Ka dashur sidomos të flasë, përmes një rrëfimi të shndërruar në libër, me të birin. Ka dashur të hedhë ura komunikimi në emër të shpëtimit.

Për librin “Vera kur ime më i kishte sytë jeshilë”, ardhur mjeshtërisht në shqip nga rumanishtja, nga Maniela Sota.

Nga Arta Marku.