“Një mëngjes të bukur u nisën nga toka,
nga tri pika të ndryshme, tri rraketa.
Në të parën ishte një amerikan,
që fishkëllente tërë gaz një melodi xhazi.
që këndonte me zë të thellë “Vollga vollga”.
Në të tretën ishte një kinez,
që këndonte një këngë shumë të bukur,
por dy të tjerët mendonin se stononte fund e krye.
[…]
Pastaj zbriti nata.
Rotull kishte rënë një qetësi e çuditshme,
Teksa toka shndriste në qiell
si të ishte një yll i largët.
Kozmonautët ndiheshin të trishtë dhe të humbur,
dhe amerikani në errësirë thirri mamanë.
Tha: – Mommy…
Ndëra rusi tha: – Mama.
Kurse kinezi tha: – Ma-Ma.
Shpejt kuptuan se po thoshin
të njëjtën gjë dhe kishin të njëjtat ndjenja.”
***
Janë TRE KOZMONAUTËT për të cilët UMBERTO ECO shkroi në vitet ’60 të shekullit të shkuar, kur njerëzimi realizoi fluturimet e para në hapësirë. Por nuk ishte qëllimi te rrëfimi për fluturimet, as për shpikjet e njerëzimit, as për kureshtjen njerëzore që nuk mbaron dhe prirjen e tij për eksplorime. Rrëfenja na nxit që më shumë se në hapësirën e pamatë jashtë e rrotull njeriut, të depërtojmë në të brendshmen e njeriut. Një hapësirë e pamatë është edhe ajo. Një hapësirë në të cilën, eksplorimi nuk mbaron kurrë:
Si e mendon njeriu veten dhe tjetrin? Si i sheh diferencat dhe të përbashkëtat? Çfarë është njeriu, tekefundit? Një qenie gjithnjë e ndryshme? A gjendet e ndryshmja që i dallon njerëzit nga njëri-tjetri te sipërfaqja, apo te thelbi i tij?
***
TRE KOZMONAUTËT janë nisur nga tre pika të ndryshme të tokës: Nga AMERIKA është nisur amerikani. Nga RUSIA është nisur rusi; nga KINA është nisur kinezi. Që të tre mbërrijnë njëkohësisht në planetin MARS të cilin të tre njerëzit duan ta zbulojnë.
“Secili pre tyre do të kish dashur të mbërrinte i pari në Mars,
për të treguar se është më i zoti.
Pasi amerikani nuk e donte rusin,
Ndërsa rusi nuk e donte amerikanin.
Kinezi nuk i besonte asnjërit.”
A janë njerëz të ndryshëm tre kozmonautët? Në fakt flasin gjuhë të ndryshme dhe nuk kuptohen mes tyre. Këngët i kanë të ndryshme, përshëndetjet të ndryshme. Ndoshta mes rusit dhe amerikanit ka një farë njohjeje. Edhe pse këngët e tyre nuk ngjajnë, pëlqehen nga njëri-tjetri. Kurse Kinezi vjen nga një botë shumë e largët, e çuditshme sepse mungon njohja. Për këtë arsye kënga e tij u tingëllon stonaturë 2 të tjerëve.
Kështu, mes të ndryshmeve të panjohura, padyshim që mbizotëron moskuptimi.
“Kozmonautët vështronin peizazhin,
shihnin njëri-tjetrin
dhe rrinte gjithsecili veçmas,
mosbesues ndaj tjetrit.”
Por sa kohë mund të rrijnë njerëzit kështu? Në largësi, mosbesues, në armiqësi madje?
Njeriu është një qenie sociale Nuk mund të jetë i vetëmjaftueshëm, ka nevojë për tjetrin. E për pasojë sado i panjohur dhe në distancë të ndihet me tjetrin, do të vijë një moment që diçka brenda tij do ta nxisë drejt njohjes së tij. E njohja, pak e nga pak do t’i zbulojë fijet lidhëse e ato fije do të shndërrohen në ura.
Po pra: njeriu nuk rri kurrë pafundësisht në të dy anët e një humnere;
në brigjet e një lumi të egër;
në skajet e një oqeani.
Njeriu patjetër do të përpiqet t’i bashkojë skajet. Por të kish qenë njeriu thjesht natyrë vetmitare, nuk do të kish shkuar të zbulonte botën dhe të takonte njerëz të tjerë.
Kështu edhe kozmonautët e Umberto Eco-s sado me armiqësi, rivalitet, mosbesim dhe me çudi u panë në fillim, deshën s’deshën e pranuan njëri-tjetrin.
E pranuan sepse zbuluan që të thellësi të gjithsecilit është një bërthamë identike. Dhe duhet të qëndronin bashkë.
Në fund të fundit: “Njejriu është një kafshë e destinar të jetojë në komunitet”, – thoshte Aristoteli.
Nga ana tjetër, “Konflikti është një pjesë integrale e jetës njerëzore, gjendet brenda nesh dhe rreth nesh”, – thoshte Lao Tzuja.
Edhe kozmonautët e Umberto Eco-s ishin të gatshëm për të hyrë në konflikt. Sepse donin të ishin të parët, sepse ishin të prirur të mos e vlerësonin tjetrin, të mos e pranonin… për shkak të mosnjohjes. Por rrethanat zbuluan të përbashkëtën. Madje edhe përtej tokësorëve. Kur përballë këtyre të fundit u shfaq marsiani, ata vunë re se ai:
“Ishte kaq ndryshe nga ata
Sa nuk ishin të aftë ta donin.
Ranë menjëherë në një mendje
Dhe u rreshtuan kundër tij.
[…]
…Ishte shumë i shëmtuar
Dhe tokësorët mendonin
Se kush është i shëmtuar është dhe i keq.
Ndaj vendosën ta vrisnin…”
Marsiani vetë qe trembur kur i pat vënë re:
“I pa dhe ia bëri; Grrrr!
Në gjuhën e tij donte të thoshte: Obobo, mama.
Ç’janë këto qenie të shpifura?!”
Me gjasë moskuptimi për hir të ndryshimit që sjell si pasojë konfliktin ngre gjithnjë krye i pari. Kurse elementi i përbashkët që qëndron në thelb të të gjithëve, do pak kohë derisa të zbulohet. Ama është dhe fort i rëndësishëm. Çështja është ta pikasim.
Kozmonautët e Umberto Eco-s e pikasën, e kuptuan se:
“…mbi tokë,
ashtu si dhe në planetë të tjerë, secili ka shijen e vet;
mjafton që gjithkush të kuptohet me të tjerët.”
***
“Tre kozmonautët” e Umberto Eco-s. Është një rrëfenjë për fëmijë në fakt por, duke qenë filozofike vështirë t’i ndajë lexuesit. Fundja edhe vetë Umberto Eco e pat thënë, pak a shumë, se rrëfenja e tij vlen njëlloj për të rritur dhe fëmijë. Ndryshe e thënë është një rrëfenjë për fëmijë-të-rritur ose të-rritur-fëmijë. Për fëmijët sepse përdoren fjalë të thjeshta porse për të gjithë që mund të reflektojnë përmes atyre fjalëve. Kështu TRE KOZMONAUTËT është një mundësi reflektimi për lexues nga 9 deri në 99 vjeç. Për hir të së vërtetës 9-vjeçarëve u duhet ndihmë për të depërtuar nëpër rruginat e rreflektimit. Ndaj hyjnë në lojë lexuesit apo reflektuesit e rritur.
Reflektimi vijon me “Bomba dhe gjenerali” dhe “Xhuxhamxhuxhët e planeti Gnu”, të tria të bëra bashkë në librin TRI RRËFENJA.
Reflektimi vijon edhe përmes ilustrimeve të mrekullueshme të Eugenio Carmi-t;
Për fjalët dhe figurat e TRI RRËFENJAVE, me përkthyesin Edon Qesari,
në RTSH1
BIBLIOTEKË nga Arta Marku.
#trirrefenja #CreativeEurope4Books #shtepiabotuesedituria #libraperfemije










