Si ma shpjegoi çmenduria botën
Dita Zipfel
Përktheu: Elda Gjana
Nr. i faqeve: 208
Çmimi: 1000 lekë
“Si ma shpjegoi çmenduria botën” nga Dita Zipfeli, me ilustrime nga Rán Flygenringu, është një roman origjinal dhe ironik, që rrëfen kalimin nga fëmijëria në adoleshencë, me një këndvështrim krejt jashtë skemave të zakonshme.
Lusi është pothuajse trembëdhjetë vjeçe dhe ka plot gjëra në kokë: të zërë shoqe, të bjerë në dashuri dhe, mbi të gjitha, të largohet nga shtëpia e të shkojë në Berlin. Partneri i ri i së ëmës është shpërngulur tek ata dhe, me mirësinë e tepruar e buzëqeshjen që nuk i ndahet kurrë nga fytyra, është bërë i neveritshëm për Lusin. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, dhomën e Lusit e ka kthyer në studion e vet…
Për të mbledhur ca para për biletën e trenit për në Berlin, Lusi fillon të punojë për zotin Klinge, një plak i rrjedhur, që e paguan për të kopjuar receta, të cilat, sipas tij, kanë fuqi magjike, me përbërës të çuditshëm, si zemër dragoi (domate), pështymë ujku (mjaltë) apo tru sirene (mjedër). Po sikur ndonjë nga përzierjet e tij të jetë vërtet një eliksir dashurie, siç thotë ai?
Lusi, brenda vetes, shpreson se po dhe vendos ta provojë, por gjërat nuk shkojnë aspak siç i kishte menduar.
Një histori plot humor dhe personazhe të këndshme, të çuditshme, për të gjithë ata që mendojnë se familjet janë të ndërlikuara, ndërsa miqësia dhe dashuria janë të pazëvendësueshme.
Rreth përkthyesit
Elda Gjana
Elda Gjana Boriçi ka lindur në Tiranë. Në vitin 2000, u diplo-mua për Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2004, ndoqi një kurs trajnimi mbi aspektet teorike e praktike të përkthimit nga gjer-manishtja, organizuar nga KulturKontakt Austria (Vjenë); po atë vit u përzgjodh për një qëndrim në Shtëpinë e Përkthyesve “Übersetzerhaus Looren”, Zyrih, për shkëmbim përvojash profesionale me përkthyes të tjerë dhe realizim të një projekti përkthimi. Më 2009, përfundoi studimet e Masterit Shkencor, ndërsa më 2015 mbrojti doktoraturën në fushën e gjuhësisë. Në vitin 2011, ishte pjesë e një seminari me autorë, kritikë letrarë dhe botues gjermanë, për përkthimin e letërsisë gjermane, i organizuar nga Sommerakademie für Übersetzer deutscher Literatur në Berlin. Sot punon si bibliografe në Departamentin e Albano-Balkanologjisë në Bibliotekën Kombëtare. Elda Gjana ka përkthyer në shqip disa vepra nga letërsia gjermane, ndër të cilat: "Shtëpia e fundit para malit" nga Monika Helfer, "Rinia pa Zot, Dita e fundit dhe Besim, dashuri, shpresë" nga Ödön von Horváth; "Çdokush" nga Hugo von Hofmannsthal; "Paketa" nga Sebastian Fitzek; "Moisiu: Njeriu dhe artisti në fjalë dhe imazhe" nga Hans Böhm; "Të vdekurit" nga Christian Kracht; "Trazira e dashurisë: Jeta dhe koha e saj pasqyruar në korrespondencën e tyre" nga Friderike dhe Stefan Zweig; "Shandani i varrosur" nga Stefan Zweig; "Ata që s’kanë asgjë" nga Katharina Hackerit etj. Autore e një sërë kumtesash, të botuara në revista shkencore.
