Astrit Beqiraj ka lindur në Vlorë. Në vitin 1980 përfundoi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dhe në vitin 1988 studimet për gjuhët polake, serbe dhe frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës (UT). Në vitet 1981-2000 punoi si gazetar-përkthyes i gjuhës polake në Radio Tirana; 1995-1997 – lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Torunit (Poloni); 2000-2022 – specialist i diplomacisë publike dhe medias/përkthyes në Ambasadën e Polonisë në Tiranë.
Astrit Beqiraj ka dhënë kontribut të çmuar për promovimin e gjuhës dhe kulturës polake jashtë vendit. Ky kontribut, me punën dhe angazhimin e tij ndër vite, i ka afruar shqiptarët dhe polakët më pranë njëri-tjetrit. Për këtë kontribut, Beqiraj është nderuar me disa çmime të rëndësishme: 2013 – Çmimi për Përkthimin më të Mirë për vitin 2013, nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë; 2013 – Gloria Artis (argjend) nga Ministria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare e Polonisë; 2018 – “Çmimi i Mirënjohjes” nga Universiteti i Varshavës; 2020 – Çmimi Bene Merito nga Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë; 2024 – Kryqi i Meritës nga Presidenti i Republikës së Polonisë.
Astrit Beqiraj ka përkthyer dhjetëra vepra nga letërsia polake në shqip, publicistikë, prozë, poezi: “Mbi udhëtimet në kohë” dhe “Në bregun tjetër të lumit” nga Czesław Miłosz; “Perandori, Imperium”, “Udhëtime me Herodotem”, “Tjetri, “Abanoz” nga R. Kapuściński; “Rrugës për në Babadag” nga A. Stasiuk; “Në kërkim të sensit të humbur” nga A. Michnik; “Pianisti” nga W. Szpilman; “Mbreti i fëmijëve të botës”, “Falimentimi i Xhekut të vogël”, “Juzhkët”, “Jashkët dhe Frankët” nga J. Korczak; “Poezi të zgjedhura” nga T. Różewicz; “Sonatë për shumë tamburë”, “Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve”, “Empuzion” nga O. Tokarczuk; “Përmbytja” nga H. Sienkiewicz etj.