Njeriu që mbillte pemë
Jean Giono
Përktheu: Saverina Pasho
Numri faqeve: 64
Çmimi: 600 lekë
Në Provansë, në një rajon të shkretë e të egër, një bari i vetmuar, me emrin Elzear, mbjell pemë ditë pas dite. Është i heshtur, këmbëngulës dhe e do me shpirt natyrën. Shkrimtari e ndjek hap pas hapi, duke na rrëfyer bujarinë e tij. Në një kohë kur teknologjia ka pushtuar zemrat e të rinjve, duke i “burgosur” shpesh mes mureve, ky libër ngjan si i shkruar sot dhe si një ftesë për t’u kthyer te natyra, ashtu si rrënjët, degët, gjethet dhe frutat e pemës në tokën mëmë.
Një klasik i madh i letërsisë, një himn për natyrën, që ka shëtitur botën, me ilustrimet e shkëlqyera të O. Desvaux. Një histori e bukur për shpresën, mbijetesën dhe altruizmin, Njeriu që mbillte pemë e prek po aq thellë lexuesin sot, sa edhe kur u botua për herë të parë.
Rreth përkthyesit
Saverina Pasho
Saverina Pasho lindi në Tiranë. Në vitin 1983 u diplomua në Gjuhë dhe Letërsi Frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës (UT). Në vitin 1995, përfundoi studimet pasuniversitare në Ecole Normale Supérieure de Fontenay/Saint-Cloud, Paris. Mban gradën “doktor” (2025) dhe titullin “Profesor” (2013) dhe nga viti 1987 është pedagoge në Departamentin e Gjuhës Franceze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, UT. Saverina Pasho ka një kontribut të konsiderueshëm në kërkimin shkencor, me artikuj e studime të shumta në fushën e letërsisë franceze dhe asaj shqiptare. Veçojmë këtu monografinë për Ismail Kadarenë “Kadare entre le mythe et leroman” (Editions universitaires européennes, Sarrebruck, 2013). Ajo ka një kontribut të konsiderueshëm si bashkautore në botimin e monografive “Migrants et migrations dans les manuels scolaires en Méditerranée” (Harmattan, 2016), “Le discours politiques-Regards croisés” (Harmattan, 2016), si dhe studimin “La valorisation du patrimoine culturel matériel et immatériel-outils linguistique et stratégie de communication” (botim i Fondit kombëtar bullgar për shkencën, BNSF, 2021). Përkthyese e një sërë veprave nga frëngjishtja, ndër të cilat: Dashuri qesharake, Festa e kotësisë, Lehtësia e padurueshme e qenies, Një takim, Valsi i lamtumirës nga Milan Kundera; Mos kujtoni se do të shpëtoni nga librat nga Umberto Eco dhe Jean-Claude Carrière; Romantizmi në letërsinë europiane nga P. V. Tieghem; Veprimtari të të mësuarit në orën e gjuhës së huaj nga M. Pendanx; Mbi pedagogjinë nga Piaget; Higjiena e vrasësit nga A. Nothomb; Konsiderata mbi Francën nga De Maistre; Regjimi i vjetër dhe Revolucioni nga Alexis de Tocqueville; Ishulli i mundshëm dhe Harta dhe territori nga M. Houellebecq; Me jetën përpara nga R. Gary; Ne të gjallët nga Ayn Rand. Çmime dhe mirënjohje: 2010 - Çmimi “Fan Noli” - përkthimi më i mirë i vitit 2010 me Ishulli i mundshëm nga M. Houellebecq; 2011 - Titull Nderi, Personalitet frankofon i vitit 2011; 2017 - Çmimi “Kult” - përkthimi më i mirë i vitit 2016 me Harta dhe territori; 2019 - Çmimi i Përkthimit me Lehtësia e padurueshme e qenies nga M. Kundera, Panairi i Librit, Prishtinë 2019.
