Kebaria, vajza që lexonte bukur
Janja Vidmar
Përktheu: Nikollë Berishaj
128 faqe
500 lekë
Kebarie apo Kedi, siç e thërret babai i saj, është një vajzë rome, nga një kulturë tjetër, e cila shkon në një shkollë sllovene afër vendit ku jeton familja e saj. Ajo grindet shpesh me shokët e klasës, me mësuesen dhe këdo që e sheh si një rome, ndryshe nga të tjerët. Por ajo nuk ndihet mirë as në familje, sepse të gjithë i fshehin të vërtetën për të atin.
Historia, e ndarë sipas ditëve të javës, është shumë tërheqëse për lexuesit e rinj. Sidomos rrëfimi dinamik dhe plot befasi nga jeta e shkollës, plot aventura dhe me një gjuhë të pasur me shprehje rome, një histori që mbart mesazhe të forta rreth dallimeve midis njerëzve dhe mirëkuptimit midis tyre, dialogut multikulturor dhe shumëgjuhësisë, duke vënë në krye vlera themelore të njeriut, si dashuria, e vërteta, besnikëria etj. Me gjithë sjelljen e vrazhdë të të rriturve, Kebaria ndihet e lirë, ajo ëndërron të bëhet mësuese me zemrën “si një libër i hapur” dhe me nxënës të cilët ajo do t’i mësojë njësoj, ngado që të vijnë…
I këshillueshëm për fëmijët nëntë vjeç e lart, por edhe më shumë për prindërit e tyre ☺.
Rreth përkthyesit
Nikollë Berishaj
Nikollë Berishaj lindi më 1958, në qytetin e Tuzit, Mali i Zi. Prej vitit 1977 deri më 1989 jetoi në Lubjanë, Slloveni, ku dhe u diplomua për inxhinieri elektroteknike. Prej vitit 1980 është anëtar i Shoqatës së Përkthyesve të Sllovenisë; anëtar i Shoqatës së Përkthyesve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në vitin 1989 u kthye përgjithmonë në vendlindje, Tuz. Bashkautor në Enciklopedija Slovenije (A-Ca), Lubjanë 1987. Pjesëmarrës në Seminarin Ndërkombëtar të Përkthimit të Letërsisë Sllovene, Novo Mesto, 17-22 gusht 2010. Fitues i çmimit Pretnar 2013, çmimi më i rëndësishëm në Slloveni për përkthime të letërsisë sllovene në gjuhë tjera, i barasvlershëm me titullin e nderit Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave. Autor i librit “Antologjia e poezisë bashkëkohore sllovene”, 2008 dhe i “Fjalorit sllovenisht-shqip dhe shqip-sllovenisht” 2002 dhe 2009. Përkthyes i dhjetëra titujve për fëmijë, të rinj e të rritur nga sllovenishtja: “Miku im Piki Jakob”, shkruar nga Kajetan Kovič; “Gjarpri nën gurë”, nga Željko Kozinc; “Burek.si?”, nga Jernej Mlekuž; “Gjenitë pa brekë”; “Nekropoli Nekropola”, nga Boris Pahor; “Druri pa emër”, nga Drago Jančar; “Frika i ka sytë e hapur”, nga Milan Dekleva etj. Përkthime nga shqipja në sllovenisht: “Prilli i thyer”/Zlomljeni April, Ismail Kadare; “Kush e solli Doruntinën?”/Kdo je pripeljal Doruntino, Ismail Kadare (roman). Përkthime në shqip nga gjuhë tjera (serbisht, kroatisht, gjuhë malaziase): Tuzi burim - Malësia qëllim; “Asgjë nuk është ashtu si duket se është”, Balša Brković; “Vetëm për ty”, Katarina Ulić etj.