Kostandina

Kostandina

Autore: Alki Zei
Përktheu: Maklena Nika
208 faqe
700 lekë
ISBN 978-9928-217-49-3
Vajza trembëdhjetëvjeçare Tina, kishte qenë shumë e lumtur kur jetonte në Gjermani, por një ditë gjithçka u kthye kokëposhtë. Nuk i kishte shkuar kurrë në mend se prindërit e saj do të ndaheshin dhe do ta dërgonin të jetonte në Greqi, me gjyshen që nuk e honepste dot. Konstandina duhet të lërë dhomën e saj të ngrohtë, miqtë e shkollën, që e pëlqen pa masë, e të ndryhet në dhomëzën që i ka bërë gati Farmuri. Kështu e quan gjyshen e çuditshme.  Janë armike të betuara: gjyshja që nuk e lë rehat një çast e flet vetëm për të shkuarën, dhe Konstandina që nuk ia vë veshin kurrë. Por tanimë nuk i bëhet vonë për asgjë: një shok i ka gjetur atë kokrrën në ngjyrë të kaltër, që bën çudira, e cila ia zgjidh të gjitha telashet. Ia zgjidh vërtet?
Është historia e një adoleshenteje, që dalëngadalë rrëshqet drejt drogës. Por është edhe historia e dy brezave, që nuk duan ta pranojnë se, pavarësisht nga mosmarrëveshjet, janë  edhe të ngjashëm. Vlera e këtij romani nuk mbetet vetëm te subjekti.
Alki Zei ka aftësinë të vëzhgojë dhe të përshkruajë gjithçka përreth me stilin e saj të mrekullueshëm dhe me gjuhën e mistershme.

Rreth autorit

Alki Zei

Alki Zei

Alki Zei lindi në Athinë më 1925. Babai ishte nga Kreta, kurse nëna nga Samoja, ku kaloi fëmijërinë. Studioi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Athinës, në Fakultetin e Dramës të Konservatorit të Athinës dhe në Institutin e Kinematografisë në Moskë, për skenariste. Nga viti 1954 deri më 1964 jetoi si azilante politike në Bashkimin Sovjetik. Më 1964 u kthye bashkë me familjen në Greqi, për t’u larguar sërish me ardhjen në pushtet të Juntës ushtarake, më 1967. Këtë herë vendi i tyre i qëndrimit u bë Franca, për t’u kthyer vetëm pas rënies së regjimit diktatorial.
Filloi të merret me letërsi që e re. Romani i saj i parë, gjysmë autobiografik, titullohet Tigri i vitrinës (1963) dhe frymëzimin e ka marrë nga fëmijëria në Samo. Vijon të shkruajë romane për fëmijë, përmendim: Lufta e Petros (1971); Ungj Platoja (1975); Këpucët e Hanibalit (1979) dhe më 1987 u botua libri i saj i parë për të rritur, E fejuara e Akilit. Më 1992 botoi Gjyshi gënjeshtar dhe më 2002 Kostandina. Më 2013 boton romanin autobiografik Me laps fabër numër dy. Librat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë. Më 2010 u nderua me medaljen e Akademisë së Athinës. Më 2012 u shpall Doktor Honoris Causa në Universitetin e Qipros. Më 2014 Honoris Causa në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut, ndërsa më 2015 të njëjtin nderim nga Universiteti i Patrës. Në janar 2015 shteti francez e nderoi me Kryqin e Artë të Legjionit të Nderit, ndërsa në shtator 2015 me titullin Komandant i Urdhrit të Arteve dhe të Letrave.

Rreth përkthyesit

Maklena Nika lindi në vitin 1980 në Fier. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta për Gjuhë e Letërsi Greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Vazhdoi studimet bachelor për Menaxhim Biznesi në Universitetin e Caen-it, Francë, studimet pasuniversitare për master në diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare, dhe më pas për master në letërsinë greke, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Në janar 2009 fitoi një bursë studimore nga Universiteti Aristotel në Selanik për kërkime doktorale. Në vitin 2013 mori titullin Doktor i shkencave në letërsinë greke, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës dhe që prej dhjetorit 2015 ka titullin Profesor i Asociuar. Nga viti 2006 është pedagoge e gjuhës dhe e letërsisë greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, UT. Ajo është presidente e shoqatës ndërkombëtare “Miqtë e Kazantzakit” për Shqipërinë, si dhe administratore e studios së përkthimit “Aetos Traslations & Events”. Njohëse e mirë e disa gjuhëve, si: greqisht, anglisht, frëngjisht, italisht. Përkthyese zyrtare për gjuhën greke, e njohur nga Ministria e Drejtësisë. Përkthyese e një sërë veprash letrare. Përmendim: Pjesë teatrale: “Më afër”, Patric Marber; “Portreti i Dorian Gray”, Oscar Wilde; “Miss Margarita”, Roberto Athayde; “Shërbëtorët”, Jean Genet; “Lisistrata”, Aristofani; “Dadot”, Georgios Skourtsis. Romane: “Ari i rremë” nga Maro Douka, “Bashkëpatriotë të padëshiruar” nga Jorgos Margaritis; “Në bregun përballë” nga Telemak Koça; “Udhëtim nëpër Itali, Egjipt, Sinai, Jerusalem, Qipro, More” nga Nikos Kazantzaki etj. Gjithashtu ka përkthyer nga gjuha shqipe në greke përmbledhjen me poezi haiku “Erashka e hënës” nga Milianov Kallupi.