Olga prej letre. Një udhëtim i jashtëzakonshëm
Olga prej letre. Një udhëtim i jashtëzakonshëm
Elisabetta Gnone
Përktheu: Albana Nexhipi
304 faqe
900 lekë
Olga Papeli është një vajzë hollake si degëz dhe ka një talent të veçantë: di të rrëfejë histori të pabesueshme, të cilat thotë se i ka jetuar vetë dhe ku mund të ndodhë që një baldosë të flasë, një lepur të jetë lundërtar dhe një ari të bëhet rrobaqepës. Të vërteta? Të sajuara? Tomeoja e mençur, berberja e fshatit, thotë se Olga i krijon historitë e saj rreth fantazmave të fëmijërisë për të mposhtur frikën. Prandaj historitë e Olgës janë aq të suksesshme: sepse ato mposhtin përbindëshat nga të cilët, në të vërtetë, tremben të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Një ditë prej ditësh, për të ngushëlluar mikun e saj Larvin, që është shumë i brishtë, Olga vendos t’i tregojë historinë e Olgës, vajzës prej letre, që la fshatin në kërkim të magjistares Auzolia, e cila do ta kthente në një fëmijë si gjithë të tjerët, prej mishi e kocke. Udhëtimi ishte i gjatë dhe plot aventura: Olga takoi një shitës gjurmësh, udhëtoi së bashku me një djalosh që jetonte në një balonë dhe me një tjetër që e kaloi përtej detit, duke vozitur. Rrezikoi jetën shumë herë, humbi mes një pylli, por trupa e një cirku me artistë interesantë e gjeti. Dhe vetëm më në fund, kur takoi magjistaren, vajza prej letre e kuptoi se sa shumë gjëra ia kishte dalë mbanë të bënte…
Kjo është një ndodhi e vërtetë. Është ndodhia se si në fund, Ariu i stërvitur i zotit Xhubat më preu mes përmes dhe Burreci me sustë më ngjiti me shirit skoçi. Ai mban gjithmonë një rrotull të tillë me vete, sepse hera-herës i qëllon të shqitet nga fundi i kutisë dhe të bjerë jashtë. Gruaja fluturuese deshi të më jepte një prej leukoplasteve të veta, por unë i thashë se, kur të presin më dysh, nevojitet diçka më e fortë për të të mbajtur bashkë.
Rreth përkthyesit
Albana Nexhipi
Albana Nexhipi lindi më 1978. Në vitin 2001 përfundoi studimet e larta për Gjuhë shqipe dhe letërsi dhe më 2004 studimet Master për Letërsi, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Gjatë vitit 2004 kreu specializimin pasuniversitar në lëmë të Letërsisë së krahasuar në Università per Stranieri, Peruxha, Itali. Në vitet 2004-2014 - gazetare, redaktore përgjegjëse, autore dokumentaresh dhe reportazhesh; nga viti 2009 - pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. Njohëse shumë e mirë e italishtes, Albana Nexhipi është përkthyese e disa librave: “Nina dhe misteri i notës Oktavë”, “Nina dhe Syri Sekret i Atlantidës”, “Nina dhe Numri i Artë”, “Nina dhe fuqia e Absinthiumit” nga Moony Witcher; “Mikesha gjeniale: fëmijëria, adoleshenca” nga Elena Ferrante; “Dje, sot, nesër” nga Sophia Loren; “Pas bukurisë: si mund ta përmirësojmë imazhin pa e tradhtuar veten” nga Willy Pasini dhe Maria Teresa Baldini; “Erosi dhe qytetërimi” nga Herbert Marcuse; “Homo videns: televizioni dhe postmendimi” (DITURIA, 2013) nga Giovanni Sartori; “Një histori shkodrane: flamujt e parë të anijeve tregtare shqiptare (1913-1914), Shpnesa e Shcypeniis (Shqiptarë të Trieshtit)” dhe “Jo vetëm ‘Hymni i Flamurit’: disa kuriozitete mbi himnet e tjera kombëtare shqiptare në ag’ të Pavarësisë” nga Paolo Muner.