Skellig

Skellig

Historia magjike e një miqësie të pazakontë
David Almond
Përktheu: Erblina Kërçishta
192 faqe; 700 lekë
Familja e Majkëllit ka vetëm pak ditë që është shpërngulur në shtëpinë e re, kur brenda në një garazh të vjetër e të shkatërruar djaloshi zbulon diçka magjike: një krijesë, edhe burrë edhe zog, që me sa duket ka nevojë për ndihmën e tij. Quhet Skellig dhe i pëlqen shumë ushqimi kinez dhe birra e zezë. Nuk do ta marrim vesh kurrë se çfarë është, janë ca mistere në këtë histori. Por e rëndësishme për Majkëllin dhe motrën e tij të sapolindur, që është në spital, pezull mes jetës dhe vdekjes, është që Skelligu ekziston.
Majkëlli është një fëmijë si gjithë të tjerët. Shkon në shkollë, luan futboll dhe ka shokë me nofka si Liki dhe Kuti. Por jeta e tij bëhet e jashtëzakonshme, falë Skelligut dhe Minës, vajzës fqinje të çuditshme e kokëfortë, me “ca sy që duket se mund të depërtojnë brenda teje”, së cilës i pëlqen një shkrimtar si William Blake dhe nuk e ndjek shkollën, sepse nuk do “të mbyllet në kafaz”. Majkëlli e Mina i vënë veshin heshtjes më shumë se zhurmës, aty ku jeton bukuria misterioze e jetës. Ata pyesin veten nëse njerëzit i kanë pasur dhe pastaj humbur krahët dhe nëse një ditë do t’u rriten. Është një pyetje me peshë. Që lidhet me thelbin e njeriut: si është dhe si do të jetë. Një libër magjik, që të prek, të mallëngjen. Siç thotë Mina: “Edhe mund të tronditesh nga prania e kaq shumë bukurive mbi tokë…”

Rreth autorit

David Almondi

David Almondi

David Almondi (1951) u rrit në një familje të madhe në Felling, një qytet i vogël me pamje nga lumi Tyne, në Angli. Konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj anglezë për letërsinë për fëmijë dhe është autori më i rekomanduar në listat e leximit në shkollat e Britanisë së Madhe.
Me romanin e tij të parë Skellig ka fituar çmimet më të rëndësishme letrare ndërkombëtare, mes të cilave medaljen Carnegie dhe çmimin Whitbread për librin e vitit.
Skellig është botuar në më shumë se tridhjetë gjuhë. Më 2010, David Almondi fitoi çmimin Hans Christian Andersen për kontributin disavjeçar në letërsinë për fëmijë.
Romanet, historitë, filmat dhe dramat që pasuan i kanë sjellë sukses të madh, një sërë çmimesh ndërkombëtare dhe janë vlerësuar me fjalët më të mira nga kritika.

Rreth përkthyesit

Erblina Kërçishta lindi në qytetin e Peshkopisë. Më 2003 përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, për përkthyese dhe interprete e gjuhës angleze. Më 2011 kreu studimet MA pranë Institutit të Studimeve Europiane. Ka punuar në Qendrën për Përkthim dhe Kualifikim (2009-2012) dhe si pedagoge e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës (2009-2012). Në vitin 2013 u vendos përfundimisht në ShBA dhe deri më 2016 ishte mësuese për Knowledge Universe, Troi, Miçigan, ShBA; nga shtatori 2016 - përkthyese për Multilanguage Services, Inc. Me një përvojë 14-vjeçare në fushën e përkthimit dhe të edukimit të fëmijëve dhe brezave të rinj, Erblina Kërçishta është përkthyese e shumë titujve, si: Superpluhuri i doktor Proktorit, Jo Nesbo; E fiksuara pas dyqaneve vë kurorë, Sophie Kinsella; Selaniku, qyteti i fantazmave, Mark Mazower; Një grua në Paris, Paula McLain; Pushime në vilë, Madeleine Wickham; Historia e Finlandës, Henrik Meinander; Historia e Polonisë, Jerzy Lukowski dhe Hubert Zawadzki etj. Njohëse shumë e mirë e anglishtes dhe italishtes.