Albana Shala lindi në Shkodër më 1968. Shkollën e mesme e përfundoi më 1986 në Tiranë. Në vitin 1990 përfundoi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Më 1995 studioi për të Drejtën Ndërkombëtare në Institutin e Studimeve Shoqërore (ISS) në Hagë, Holandë, dhe më pas, më 1997, po në këtë institut mori master në Politikat e Zhvillimit. Në vitet 1999-2001 ndoqi programin e mësimit të gjuhës holandeze në Universitetin e Amsterdamit.
Në vitet 1990-1992 punoi si redaktore në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” në Tiranë. Nga viti 1992 deri në vitin 1994 ishte asistente e programit të UNDP për Shqipërinë. Më 1998-2011 ishte koordinatore programi në fondacionin “Pres Now” në Amsterdam, Holandë. Prej vitit 2011 është koordinatore programi në “Free Press Unlimited”, fondacion holandez që mbështet mediat e pavarura në zona konflikti dhe në vendet në zhvillim. Prej vitit 2014, për dy mandate radhazi, u zgjodh në krye të bordit të IPDC (Programit Ndërkombëtar të Zhvillimit të Komunikacionit) të UNESCO-s dhe mbetet anëtare e këtij bordi. Prej vitit 2015 është anëtare e bordit të fondacionit “In den Vreemde” (në ndihmë të artistëve në rrezik) dhe që në nëntor të 2019 e drejton këtë bord. Në vitin 2010 mori pjesë në International Writing Program Residency, në Universitetin e Iowa-s, në SHBA.
Në vitin 2011 ishte si autore, pёrfaqёsuese e Shqipёrisё, nё Panairin e Librit në Leipzig, Gjermani. Në vitin 2015 ishte “shkrimtare në residencë” në Graz, Austri.
Albana Shala është autore e disa veprave:Në shqip:
Papa dixhital, 2008, i vlerësuar me çmimin Migjeni nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë më 2009; Parajsa është e portokalltë, më 2010; Ngarkesa e fëmijës, 2013; Bisedë me dhjetë miq, 2017
Në holandisht, gjermanisht, anglisht: De digitale Paus, 2009; Ten conversations with Albanians, 2017
Tregime, poezi e shkrime në përmbledhje: Oost Blok Boek: een reis langs de sporen van het communistische verleden; Een dansje in de regen; Ablak, Literatur und Kritiek, Lichtungen.
Përkthime nga gjuha holandeze: Romani Darka me autor Herman Koch 2016; romani Virgjëresha holandeze me autor Marente de Moor 2017.
Showing the single result