Flavia Kaba lindi në Tiranë më 1981. Në vitet 1998-2001 studioi në shkollën e mesme “Safiye Sultan Kiz Koleji”, Stamboll. Më 2001-2006 kreu me sukses studimet universitare në Fakultetin e Gjuhës, të Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin e Ankarasë, ku u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Spanjolle. Ka kryer specializime në fushën e letërsisë në Universitetin Complutense në Madrid. Nga viti 2010 është pedagoge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Ka një PhD në studimet letrare.
Ka kryer shumë kualifikime e trajnime brenda dhe jashtë vendit. Autore artikujsh e studimesh të botuara në revista shkencore e kulturore brenda dhe jashtë vendit për hapësirën e përbashkët kulturore spanjolle dhe latino-amerikane, për aspektet stilistike të letërsisë spanjolle etj. Ka marrë pjesë me ligjërime në seminare, konferenca, kolokiume, workshope në Universitetin e Tiranës për probleme të përkthimit, të semantikës, të morfologjisë apo sintaksës së spanjishtes, të letërsisë spanjolle dhe latino-amerikane, të spanjishtes si gjuhë e huaj e dytë etj.
Është përkthyese nga origjinali e pesë romaneve të autorit spanjoll Carlos Ruiz Zafón: I Burgosuri i Qiellit, Princi i mjegullës, Pallati i mesnatës, Dritat e shtatorit dhe Labirinti i Shpirtrave.

Showing the single result