Kleo Lati ka lindur në Dhërmi. Kreu shkollën e mesme në Vlorë. Studimet e larta në Degën e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, më 1975. Më 1975-1996 punoi si gazetar në gazetat më të rëndësishme dhe në Institutin e Studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Më 1991-1996 korrespondent në Tiranë i gazetës së përditshme greke “Eleftheros Typos” dhe më 1996-2007 korrespondent i Agjencisë Greke të Lajmeve “Macedonia Press”. Më 1999-2008 përkthyes në Zyrën e Shtypit të Ambasadës Greke në Tiranë. Nga viti 2011 përkthyes zyrtar për gjuhën greke në Ministrinë e Drejtësisë. Qytetar me shtetësi greke dhe shqiptare. Ka mbaruar kursin nëntëmujor për Gjuhën, Letërsinë dhe Historinë Greke në Athinë, në vitin 2004.
Ka shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe disa romane, si: “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Mëkati i bukur i tradhtisë”, “Trupi im më përket mua”, si dhe drama, vëllime me tregime, libra për fëmijë etj.
Ka përkthyer në shqip shumë vepra të shquara të letërsisë greke. Përmendim: vëllim me tregime nga autorë të njohur grekë (A. Samarakis, V. Vassilikos, M. Kumandareas etj.); Në emër të dashurisë, A. Samarakis; Fëmijët nuk duan psikolog. Duan prindër, Nikos Sideris; Një dashuri dy jetë, Melina Tuda; Për cilën dashuri më flet, Thekla Kristaqi; Dashuritë e mëdha nuk veshin fustan nusërie, Mitsi Valaka; Agrixhento, Kosta Haxhiantoniu (fitues i Çmimit Europian 2011); Sprova e kohës së humbur, Kani Karava; Njeriu prej dëbore dhe vajza dhe Piratët e oxhakut, E.Trivizas; Një njeri në shtëpinë e qenve, Makis Tsitas; Fijet, Katina Vlahu; Z. Orgjia e pushtetit, Vassilis Vassilikos (DITURIA, Creative Europe, 2016); Çadra e purpurt, Alki Zei (DITURIA, Creative Europe, 2017) etj.

Showing the single result