Çunat nuk qajnë

Malorie Blackman
Përktheu Virgjil Muçi
328 faqe
900 lekë

“Trupi i saj i puthitur pas timit ishte i ngrohtë. Flokët e saj te mjekra ime ishin të butë e të mëndafshtë. Por unë e urreja.” Janë fjalët e Dantes, personazhit kryesor të këtij romani emocionues, nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme. Po mban në duar një foshnjë, për të cilën më parë nuk dinte asgjë dhe që, papritmas, e dashura e dikurshme ia lë në derë!
Nëna e Dantes nuk jeton prej kohësh dhe i ati, i kujdesshëm, por i rreptë, nuk është nga ata që lë shteg për t’i ikur përgjegjësisë, kështu që Dante duhet t’i harrojë një herë për një herë, me gjithë dëftesën e tij me katër yje “A”, planet e universitetit: shkollimi i lartë, karriera si gazetar, një e ardhme vezulluese fluturon e zhduket. Dante bëhet baba i vetëm, disa javë para ditëlindjes së tij të 18. Sikur të mos mjaftonte kjo, i vëllai, Adami, rrihet për vdekje nga një grup djemsh …
Malorie Blackmani ka krijuar një histori realiste për atë që ndodh në shoqëri tani. Jo një histori të sheqerosur, por thjesht siç ndodh përnjëmend. Ngjarje, me të cilat njerëzit përballen çdo ditë. Prindër adoleshentë të vetëm. Sjellje homofobike ndaj më të dobtëve. E megjithatë, ajo arrin të krijojë një histori plot shpresë, dashuri dhe humor që të bën të qash e të jesh i lumtur, së bashku me personazhet. Romani i ri dramatik i Blackmanit do t’ju shoqërojë në një udhëtim të vështirë të jetës së adoleshentëve sot…

Category:

Rreth autorit

Malorie Blackman

Malorie Blackman

Malorie Blackman, një nga shkrimtaret më interesante e me shumë imagjinatë që shkruan për lexuesit e rinj. Autore e mjaft skenarëve televizivë, fitues të Çmimit BAFTA.
Romani i parë i serisë E bardha dhe e zeza, i botuar në vitin 2001 në Britaninë e Madhe, pati një sukses të jashtëzakonshëm te lexuesit dhe kritikët britanikë.U përkthye menjëherë në të gjitha gjuhët e Europës dhe meritoi mjaft çmime të rëndësishme letrare, përfshirë Children’s Book, Sheffield Children’s Book dhe Lancashire Children’s Book Award. Romani i dytë i kësaj serie, Në teh të thikës, së bashku me Hacker dhe Thief! fituan Young Telegraph/Gimme 5 Award, duke e bërë Malorie Blackmanin të vetmen autore dy herë fituese të këtij çmimi.
Autore e mjaft titujve të tjerë për të rinjtë, që janë në majat e klasifikimit të librave të vlerësuar nga lexuesit. Librat e saj janë përkthyer në 15 gjuhë dhe kanë fituar çmime të shumta edhe në vende të tjera.
Jeton në Kent me bashkëshortin dhe vajzën e saj, Elizabetën.
Më 2005, Malorie u nderua me Çmimin Eleanor Farjeon si mirënjohje për kontributin e shquar në botën e librave për fëmijë.
Më 2008, u nderua me një OBE (Urdhri më i lartë i Perandorisë britanike) për shërbimin e saj për letërsinë për të rinjtë.

Rreth përkthyesit

Virgjil Muçi lindi më 1963, në qytetin e Tiranës. Më 1986 përfundoi studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, në vitet 1987-1988 ndoqi kursin pasuniversitar për skenarist. Ka punuar në Ministrinë e Kulturës 1998-2000; në Bibliotekën Kombëtare 2006-2010; ministër këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë, Otava, Kanada, 2011-'13; drejtor departamenti në Ministrinë e Punëve të Jashtme, 2012-'14; ministër këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd, 2015-aktualisht. Autor i njohur në letërsinë për fëmijë, është një nga përkthyesit më të njohur. Ai ka sjellë në shqip shumë vepra të mëdha: Kënga e Qyqes dhe Krimbi i mëndafshit nga R. Galbraith; Dhe nuk mbeti më askush dhe Vrasje në Orient Express nga Agatha Christie; E bardha dhe e zeza nga Malorie Blackman, botuar nga DITURIA, janë nga titujt më të suksesshëm që Virgjil Muçi ka shqipëruar për lexuesin e rritur. Ai ka përkthyer edhe për të vegjlit tituj të famshëm, si: Pipi Çorapegjata nga Astrid Lindgren; Tre derrkucët dhe Rosaku i shëmtuar etj. Është fituesi i Çmimit kombëtar Penda e Argjendtë 1997; Çmimit të Përkthimit 1998; Çmimit At Donat Kurtit 2009, dhënë nga Ministria e Kulturës etj. Përrallat dhe tregimet e tij, si Shpatat nuk u ndryshkën, Si u bë kampione bretkosa Kuak, Rojtari i pyllit, Përralla shqiptare, vëll. I-IV, Shtrigat, Përralla shqiptare 100+1 natë, vëll. I, II janë shumë të dashura për të vegjlit. Disa libra të tij janë përkthyer edhe në gjuhën italiane, si: Fiabe albanesi, Antologia della letteratura albanese contemporanea etj. Ai është fitues i Çmimit kombëtar Pena e Argjendtë 1997; Çmimit të Përkthimit 1998; Çmimit At Donat Kurtit 2009, dhënë nga Ministria e Kulturës etj.