Labirinti i Shpirtrave

Carlos Ruiz Zafón
Përktheu Flavia Kaba
716 faqe
1800 lekë

Barcelonë, fund i viteve ‘50. Daniel Sempere nuk është më djali që kemi njohur mes tuneleve të pafundme të Varrezës së Librave të Harruar, në kërkim të librit që do t’i ndryshonte jetën. Misteri i vdekjes së nënës së tij, Izabelës, ka hapur një humnerë dhe i ka trazuar shpirtin, një humnerë nga e cila gruaja e tij, Bea, dhe miku besnik, Fermini, po përpiqen ta shpëtojnë.
Pikërisht kur Danieli beson se është një hap larg zgjidhjes së enigmës, një komplot edhe më i errët, edhe më misterioz nga sa mund ta imagjinonte, shtrihet dhe përfshin edhe të, një komplot që zë fill në zyrat e Regjimit. Dhe në këtë çast shfaqet Alisia Grisi, një shpirt i dalë nga hijet e luftës, që do ta çojë Danielin në zemrën e errësirës për të zbuluar historinë e fshehtë të familjes, edhe pse çmimi për t’u paguar do të jetë shumë i lartë.
Labirinti i Shpirtrave është një roman pasionant, plot intriga dhe aventura. Përmes këtyre faqeve do të zbulojmë finalen madhështore të sagës, që ka filluar me Hijen e erës, e cila arrin këtu kulmin e forcës dhe njëkohësisht i ngre një himn madhështor botës së librave, artit të rrëfimit dhe lidhjes magjike midis letersise dhe jetes.

Category:

Rreth autorit

Carlos Ruiz Zafon

Carlos Ruiz Zafon

Carlos Ruiz Zafón lindi në Barcelonë më 1964. Deri më 1993 ka jetuar në Los Anxhelos. Romani i tij i parë, Princi i mjegullës (1993), fitoi çmimin si romani më i mirë për të rinj. Më 1999 botoi romanin Marina, më 2001 librin Hija e erës, që shënoi miliona kopje të shitura anekënd botës, dhe më pas Loja e engjëllit, një sukses i madh ndërkombëtar. Librat e Zafón-it janë botuar në 45 vende dhe janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë. Ai është autori bashkëkohor spanjoll më i suksesshëm.

Rreth përkthyesit

Flavia Kaba lindi në Tiranë më 1981. Në vitet 1998-2001 studioi në shkollën e mesme “Safiye Sultan Kiz Koleji”, Stamboll. Më 2001-2006 kreu me sukses studimet universitare në Fakultetin e Gjuhës, të Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin e Ankarasë, ku u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Spanjolle. Ka kryer specializime në fushën e letërsisë në Universitetin Complutense në Madrid. Nga viti 2010 është pedagoge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Ka një PhD në studimet letrare. Ka kryer shumë kualifikime e trajnime brenda dhe jashtë vendit. Autore artikujsh e studimesh të botuara në revista shkencore e kulturore brenda dhe jashtë vendit për hapësirën e përbashkët kulturore spanjolle dhe latino-amerikane, për aspektet stilistike të letërsisë spanjolle etj. Ka marrë pjesë me ligjërime në seminare, konferenca, kolokiume, workshope në Universitetin e Tiranës për probleme të përkthimit, të semantikës, të morfologjisë apo sintaksës së spanjishtes, të letërsisë spanjolle dhe latino-amerikane, të spanjishtes si gjuhë e huaj e dytë etj. Është përkthyese nga origjinali e pesë romaneve të autorit spanjoll Carlos Ruiz Zafón: I Burgosuri i Qiellit, Princi i mjegullës, Pallati i mesnatës, Dritat e shtatorit dhe Labirinti i Shpirtrave.