Mysafirë me pagesë

Sarah Waters
Përktheu Kujtim Ymeri
Kopertina 1250 lekë
600 faqe

Një roman i jashtëzakonshëm, mjeshtëror, i narrativës së shkëlqyer, sensualitetit dhe dramacitetit psikologjik, shkruar nga autorja e bestsellerëve ndërkombëtarë, Sarah Waters.

Është viti 1922 dhe Londra është e tensionuar. Ish-ushtarakët janë të zhgënjyer, të papunët dhe të uriturit kërkojnë ndryshim. Në jug të Londrës, në një shtëpi të madhe të heshtur, tani pa vëllezër, pa bashkëshort e madje pa shërbëtorë, jeta do të ndryshojë, pasi zonja Rej dhe e bija, Frensisi, për të mbijetuar, do të detyrohen të japin një pjesë të shtëpisë, befas shumë e madhe për dy vetë, për qiramarrës ose, si quhen për të përdorur një term “politikisht të saktë”, mysafirë me pagesë. Me ardhjen e Lilien dhe Leonard Barberit, një çift bashkëshortësh të rinj, rutina e shtëpisë dhe jeta e banorëve të saj do të tronditen papritur. Dhe ndërsa pasionet rriten dhe zhgënjimet bëhen mal, askush nuk mund të parashikojë se sa larg dhe sa shkatërruese do të bëhen ngjarjet. Me mjeshtërinë e rrëfimit, që e bëri kaq të

dashur e të vlerësuar për lexuesin e kritikën, Sarah Waters sjell një histori tërheqëse për pasionin dashuror, dëshirat e parrëfyera dhe pasojat e tyre tronditëse. Një roman i mprehtë, që në atmosferën e një epoke historike përshkruan personazhe që mbeten në zemrën dhe kujtesën e lexuesit, kaq të gjalla, kaq të mirëfillta në ethen e tyre dramatike për lumturi, në këtë kryevepër të tensionit psikologjik dhe thellësisë emocionale.

Category:

Rreth autorit

Sarah Waters

Sarah Waters

Sarah Waters (Uells, 1966), e diplomuar në letërsinë angleze, para se t’i kushtohej plotësisht të shkruarit, ishte lektore në Open University të Londrës. Mes shumë të tjerash, është fituese e çmimit Somerset Maugham dhe dy herë finaliste e Mail on Sunday/John Llewellyn Rhys Prize. Më 2003, revista Granta e renditi ndër njëzet shkrimtarët e rinj më të mirë britanikë, ndërsa Booksellers Association dhe Waterstone’s Booksellers e nominuan si Autoren e Vitit për British Book Awards.
E cilësuar si një yll i letërsisë bashkëkohore, romanet e saj janë pëlqyer jashtëzakonisht nga lexuesi i gjerë dhe kritika, aq sa janë bërë filma (Affinity) dhe seriale televizive (Tipping the velvet dhe Fingersmith) të suksesshme.
I zgjedhur si “libri më i mirë i vitit 2014” nga shumë gazeta e revista dhe kandidat për çmime të rëndësishme letrare, Mysafirë me pagesë është botuar në më tepër se njëzet vende.

Rreth përkthyesit

Kujtim Ymeri ka lindur në Tiranë. Kreu shkollën e mesme në Tiranë më 1965, studimet e larta për gjuhë shqipe dhe letërsi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, më 1969. Në vitet 1970-1972 punoi si gazetar në Radiotelevizionin Shqiptar, më 1972-1975 pedagog i letërsisë së huaj bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1975-1978, me kohë të pjesshme); nga 1978-1990 bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Studimeve M-L. Gjatë viteve 1991-1993 zëdhënës për shtypin në Këshillin e Ministrave; në vitet 1994-1997 redaktor në Shtëpinë Botuese DITURIA; në vitet 1992-1998 anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar; në vitet 1997-2000 - Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Stamboll dhe deri më 2012 në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Institutin Kombëtar të Diasporës, Drejtorinë e Shtypit dhe Akademinë Diplomatike. Nga viti 2012 është përkthyes i lirë. Njohës i disa gjuhëve të huaja, si: anglisht, italisht, rusisht, Kujtim Ymeri është përkthyes i shumë veprave letrare, historike e filozofike. Përmendim: Salla e ujqërve, H. Mantel; Një hero i kohës sonë, M. Lermontov; Përballë detit, D. Vogel; Në lulen e moshës, S. Y. Agnon; Majat e Shalës, R. W. Lane; Gjuha e harruar, E. Fromm; Europa Lindore Qendrore midis dy luftërave botërore, J. Rothschild; Magjistratura në demokracitë bashkëkohore, Carlo Guanieri&Patrizia Pederzoli; Ç’është demokracia?, G. Sartori; Bota që krijoi Amerika, R. Kagan; Bizantinët, A. Cameron; Europa Juglindore nën sundimin osman, 1354-1804, P. F. Sugar; Shqipëria: Ngritja e një mbretërie, J. Swire; Konservatorizmi: Ëndrra dhe realiteti, R. Nisbet; Përse nuk jam i krishterë, B. Russell; Politikat krahasuese: Popujt dhe teoritë në ndryshimin e botës, L. C. Maye; Orientimi seksual: një e drejtë njerëzore. Një ese për Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, E. Heinze; Lindja e Europës, R. S. Lopez; Historia e Spanjës, F. G. de Cortázar & J. M. G. Vesga; Luftërat ballkanike, E. Ivetic; Historia e Rusisë, E. V. Anisimov; Dita e opriçnjikut, Vladimir Sorokin; Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, M. C. Carnes & J. A. Garraty; Historia e Kanadasë, D. Morton etj.