Shtëpia në udhëkryq

Vassilikos
Përktheu Kleo Lati
164 faqe
700 lekë

“Shtëpia në udhëkryq” e Vassilis Vassilikos, shkrimtar bashkëkohor grek, është një roman erotik, plot sensualitet dhe seksualitet. Vepra sjell atmosferën e jetës rinore dhe të qarqeve të artistëve grekë të fundviteve ‘50, përshkruan ambicie të zhgënjyera dhe ëndrra të parealizuara, që, pa dyshim, shënjojnë karakterin dhe jetën e personazheve kryesore.
Kjo nuk është vetëm një histori dashurie mes Janit student dhe Magdës, gruas së muzikantit Jakov. Është shumë më tepër sesa thjesht pasion, mbushur me fiksime dhe afshe të tepruara, gati patologjike. Ata e duan njëri-tjetrin, nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin, ndahen e kthehen së bashku nën ethet e dashurisë dhe seksit të shfrenuar. Gjatë rrëfimit mjeshtëror, mbushur me erotizëm që ndihet përmes atmosferës së ngjarjeve dhe më gjerë, në shtëpinë e Jakovit duket sikur të gjitha personazhet janë, kush më pak e kush më shumë, të përfshira në marrëdhënie sekrete apo joshje, që deformojnë raportet e tyre intime, por në të njëjtën kohë i shtyjnë ato të kërkojnë kënaqësi të reja, edhe pse me dhembje. Në këtë roman del qartë atmosfera e shfrenuar e Athinës së mesit të shekullit XX, ajo atmosferë që sundonte edhe në Europë, në kërkim të lirisë së pakufishme.
I vlerësuar për portretizimin mjeshtëror të personazheve, Shtëpia në udhëkryq, romani që shënoi majën në krijimtarinë letrare të Vassilis Vassilikos, është përkthyer në 40 gjuhë dhe ka fituar Çmimin Shtetëror për Prozën e Shkurtër më 1980, si dhe shumë çmime të rëndësishme letrare.

Category:

Rreth autorit

Vassilis Vassilikos

Vassilis Vassilikos

Vassilis Vassilikos ka lindur në Kavallë. Studioi për Drejtësi në Universitetin Aristoteli të Selanikut e më pas për Regjisurë Televizive në Jalë dhe në School of Radio & Television në Nju Jork. Në vitet 1950-’60 shkrimtar dhe gazetar. Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i ERT 1981-’84; ambasador i Greqisë në UNESCO 1996-2004. Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Grekë, i Shoqatës së Autorëve dhe Kompozitorëve Dramatikë. Është nderuar me titullin Komandor i Arteve dhe i Letrave të Republikës Franceze. Doktor Honoris Causa në Universitetet e Patrës, të Thesalisë dhe të Kapodistrias të Athinës.
Librat (1953-1966): Rrëfimi i Jasonit, Viktima të Paqes, Kujtime nga Hirona, trilogjia Gjethja-Pusi-Grahma (fitues i Çmimit Kosta Urani), Mitologjia e Amerikës, Fotografitë, Jashtë mureve, Z. Orgjia e pushtetit (film i regjisorit Kosta Gavras).
Gjatë viteve të mërgimit në Paris, Romë, Berlin (1967-1974), botoi shumë libra në disa gjuhë.
U kthye në Greqi më 1974 dhe po atë vit u vendos në Romë, deri më 1978. Më pas jetoi në Nju Jork deri më 1981 dhe në Paris 1985-2004. Krijimtaria botuese vijoi me librat: Glaucus Thrasakis, Mjeku ligjor, Uji, Lamtumira e fundit, Flaka e dashurisë, Fuzhnjat, Perdja, Helikopteri, Sfrato, K (çështja Koskota), Magji, Apologjia e Z, Kujtesa rikthehet me sandale gome, Diva, Stelios Kazanxidhis etj.
Ka botuar 120 libra dhe është prozatori grek më i përkthyer në botë pas Niko Kazanxaqis.

Rreth përkthyesit

Kleo Lati ka lindur në Dhërmi. Kreu shkollën e mesme në Vlorë. Studimet e larta në Degën e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, më 1975. Më 1975-1996 punoi si gazetar në gazetat më të rëndësishme dhe në Institutin e Studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Më 1991-1996 korrespondent në Tiranë i gazetës së përditshme greke “Eleftheros Typos” dhe më 1996-2007 korrespondent i Agjencisë Greke të Lajmeve “Macedonia Press”. Më 1999-2008 përkthyes në Zyrën e Shtypit të Ambasadës Greke në Tiranë. Nga viti 2011 përkthyes zyrtar për gjuhën greke në Ministrinë e Drejtësisë. Qytetar me shtetësi greke dhe shqiptare. Ka mbaruar kursin nëntëmujor për Gjuhën, Letërsinë dhe Historinë Greke në Athinë, në vitin 2004. Ka shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe disa romane, si: “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Mëkati i bukur i tradhtisë”, “Trupi im më përket mua”, si dhe drama, vëllime me tregime, libra për fëmijë etj. Ka përkthyer në shqip shumë vepra të shquara të letërsisë greke. Përmendim: vëllim me tregime nga autorë të njohur grekë (A. Samarakis, V. Vassilikos, M. Kumandareas etj.); Në emër të dashurisë, A. Samarakis; Fëmijët nuk duan psikolog. Duan prindër, Nikos Sideris; Një dashuri dy jetë, Melina Tuda; Për cilën dashuri më flet, Thekla Kristaqi; Dashuritë e mëdha nuk veshin fustan nusërie, Mitsi Valaka; Agrixhento, Kosta Haxhiantoniu (fitues i Çmimit Europian 2011); Sprova e kohës së humbur, Kani Karava; Njeriu prej dëbore dhe vajza dhe Piratët e oxhakut, E.Trivizas; Një njeri në shtëpinë e qenve, Makis Tsitas; Fijet, Katina Vlahu; Z. Orgjia e pushtetit, Vassilis Vassilikos (DITURIA, Creative Europe, 2016); Çadra e purpurt, Alki Zei (DITURIA, Creative Europe, 2017) etj.