Udhëtimi i mrekullueshëm i Poliksenës
Bianca Pitzorno
Përktheu Erion Kristo
368 faqe
900 lekë
Historia e fëmijës së humbur, të rritur larg prindërve dhe pastaj të gjetur sërish, është një temë e rrahur në shumë nga romanet e shekullit XIX. Siç duket, në historinë e njerëzimit, të gjithë prindërit kanë pasur frikë se mos i humbasin fëmijët e tyre dhe të gjithë fëmijët e kanë përjetuar këtë frikë. E, për fat të keq, kjo ngjet shpesh, si në përrallën e Gishtos, të cilin babai dhe nëna nuk “e humbin”, por e braktisin, sepse janë shumë të skamur.
Dhe çdo fëmijë i braktisur, prindërit që nuk i ka njohur kurrë, i përfytyron si njerëz të pasur e të rëndësishëm, nga të cilët dikush i ka rrëmbyer.
Romane me histori të tilla, të rrëfyera në variante të ndryshme, kam lëçitur shumë. Aq shumë, saqë m’u mbush mendja të argëtohesha vetë dhe bashkë me mua lexuesit e vegjël, duke shkruar një histori tjetër, me shumë aventura, për udhëtimin e mrekullueshëm të Poliksenës.
Poliksena nuk merr nga murgeshat që e kanë gjetur të vogël, vetëm një shenjë “njohjeje”, por disa. Dhe në rrugëtimin e vet, has një mori njerëzish që “mund” të jenë nëna ose babai i saj, por çdo gjurmë del e rreme.
Poliksena i përçmon të tjerët dhe, sikurse shumë bashkëmoshatare të saj sot, ëndërron të jetë princeshë. Princesha e vërtetë është më e arsyeshme sesa ajo, kurse vajza e tretë që është princeshë, ndërkohë, e ka mësuar se kur pasuria dhe pushteti keqpërdoren, mund t’i bëjnë të tjerët të palumtur dhe skllevër.
Rreth përkthyesit
Erion Kristo
Erion Kristo lindi më 1972, në qytetin e Vlorës. Përfundoi studimet e larta për Gjuhë dhe letërsi, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, 1994; më 1996 studimet master në Filozofi në Universitetin San Tommaso, Itali; më 2001-2002 studimet master në Administrim Menaxhim, IFG-FNEGE, Tiranë - Universiteti Montesquieu BORDEAUX IV, Francë; më 2004-2005 studimet master në Letërsi, Fakulteti i Filologjisë, Universiteti i Tiranës; më 2012 studimet në UCLA Los Anxhelos, fitues i Fulbright Scholar në Departamentin e Shkencave Politike; më 2014 studimet doktorale në Filozofi, Universiteti “San Tommaso”, Romë, Itali. Erion Kristo është autor i mjaft tregimeve, poezive, eseve dhe shumë përkthimeve nga autorë të ndryshëm. Anëtar i Shoqatës për Progres dhe Kulturë në Mediat Eletronike etj. Pjesëmarrës në disa seminare të zhvilluara nga Këshilli i Europës në Budapest, Sofje, Insbruk, Strasburg etj. Njohës shumë i mirë gjuhëve italiane dhe angleze. Përkthyes i më tepër se 20 titujve për fëmijë, të rinj e të rritur. Disa nga titujt e tij të përkthyer, janë përfshirë sot në programet shkollore të letërsisë: “Dëgjoje zemrën time” nga Bianca Pitzorno; “Matia dhe gjyshi” nga Roberto Piumini; “Pema e errët” nga Donatella Bindi Mondaini; “Magjistari i Ozit” nga L. Frank Baum etj. Përkthyes i dhjetëra veprave në filozofi-sociologji nga italishtja ose anglishtja në shqip.