1936293_1191164344236250_2618372904003797170_n

Z. Orgjia e pushtetit

Z. Orgjia e pushtetit
Vassilis Vassilikos
Përktheu: Kleo Lati
384 faqe
1200 lekë
Z – Orgjia e pushtetit është një roman-dokumentar tronditës për vrasjen e politikanit të shquar grek Grigori Lambraki – personazhi “Z” në vepër. Vrasja nga forca paraushtarake të inkurajuara nga shteti ndodhi më 22 maj 1963, gjatë një mitingu për paqen. Disa nga përfaqësuesit e organeve shtetërore në roman paraqiten me emra të tillë, si: Përbindëshi, Vampiri, Tigri, duke simbolizuar një realitet-xhungël të Greqisë së asaj kohe, kur kishte një luftë të ashpër politike mes së Djathtës dhe së Majtës. Vrasja e Z-së në atë kohë tronditi Greqinë dhe pati një ndikim në ngjarjet që rrodhën më pas, dhe vetëm pak vite më vonë në Greqi u vendos diktatura e kolonelëve (1967).
Përmes rrëfimit të vrasjes së deputetit të së Majtës Demokratike Greke, dëshmohet egërsia e pushtetit të asaj kohe në Greqi, deri në nivele të larta, për të luftuar kundërshtarët politikë. Vrasja e deputetit ishte e inskenuar, ashtu sikurse u bënë përpjekje të mëdha nga ana e pushtetit edhe për të manipuluar gjyqin për këtë ngjarje të bujshme.

“Një rrëfim brilant. Një libër për kohën tonë. Se si fitoret morale mund të korruptohen. Do t’ju bëjë të derdhni lot dhe të rebeloheni… Mund të duket si një rrëfenjë për një ngjarje politike, por Z është në të njëjtën kohë edhe një triller i shkëlqyer, një britmë që të rrëqeth.”

Roger Ebert, The New York Times
“Romani Z, mitizimi i çështjes Lambrakis, bëri që emri i Vassilikos të dëgjohet në të gjithë botën.”
Aleksandros Koxhias, shkrimtar dhe studiues i letërsisë

Rreth autorit

Vassilis Vassilikos

Vassilis Vassilikos

Vassilis Vassilikos ka lindur në Kavallë. Studioi për Drejtësi në Universitetin Aristoteli të Selanikut e më pas për Regjisurë Televizive në Jalë dhe në School of Radio & Television në Nju Jork. Shkrimtar nga viti 1953 dhe gazetar nga viti 1963. Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i ΕRΤ 1981-’84; këshilltar bashkiak në Athinë 1994-’96, 2014-‘15; ambasador i Greqisë në UNESCO 1996-2004. Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Grekë, i Shoqatës së Autorëve dhe Kompozitorëve Dramatikë. Është nderuar me titullin Komandor i Arteve dhe i Letrave të Republikës Franceze. Doktor Honoris Causa në Universitetet e Patrës, të Thesalisë dhe të Kapodistrias të Athinës.
Librat (1953-1966): Rrëfimi i Jasonit, Viktima të Paqes, Kujtime nga Hirona, trilogjia Gjethja-Pusi-Grahma (fitues i Çmimit Kosta Urani), Mitologjia e Amerikës, Fotografitë, Jashtë mureve, Z (film i regjisorit Kosta Gavras).
Gjatë viteve të mërgimit në Paris, Romë, Berlin (1967-1974), botoi shumë libra në disa gjuhë.
U kthye në Greqi më 1974 dhe po atë vit u vendos në Romë, deri më 1978. Më pas jetoi në Nju Jork deri më 1981 dhe në Paris 1985-2004. Krijimtaria botuese vijoi me librat: Glaucus Thrasakis, Mjeku ligjor, Uji, Lamtumira e fundit, Flaka e dashurisë, Fuzhnjat, Perdja, Helikopteri, Sfrato, K (çështja Koskota), Magji, Apologjia e Z, Kujtesa rikthehet me sandale gome, Diva, Stelios Kazanxidhis etj.
Ka botuar 120 libra dhe është prozatori grek më i përkthyer në botë pas Niko Kazanxaqis. Ndërmjet një mijë librave që gazeta angleze The Guardian rekomandon se duhen lexuar patjetër, nga letërsia greke përfshihen vetëm dy libra: Jeta e Aleksis Zorba i Kazanxaqis dhe romani Z i Vassilikos.

Rreth përkthyesit

Kleo Lati ka lindur më 1952. Shkollën e mesme e kreu në Vlorë. Studimet e larta në Degën e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, më 1975. Më 1975-1996 punoi si gazetar në gazetat më të rëndësishme dhe në Institutin e Studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Më 1991-1996 korrespondent në Tiranë i gazetës së përditshme greke “Eleftheros Typos” dhe më 1996-2005 korrespondent i Agjencisë Greke të Lajmeve “Macedonia Press”. Më 1999-2008 përkthyes në Zyrën e Shtypit të Ambasadës Greke në Tiranë. Nga viti 2011 përkthyes zyrtar për gjuhën greke në Ministrinë e Drejtësisë. Qytetar me shtetësi greke dhe shqiptare. Ka mbaruar kursin nëntëmujor për Gjuhën, Letërsinë dhe Historinë Greke në Athinë, në vitin 2004. Ka shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe disa romane, si: “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Mëkati i bukur i tradhtisë”, “Trupi im më përket mua”, si dhe drama, vëllime me tregime, libra për fëmijë etj. Ka përkthyer në shqip shumë vepra të shquara të letërsisë greke. - Vëllim me tregime nga autorë të njohur grekë (A. Samarakis, V. Vassilikos, M. Kumandareas etj) 2003. - “Në emër të dashurisë”, roman, A. Samarakis, 2005. - “Fëmijët nuk duan psikolog. Duan prindër”, Nikos Sideris, 2010. - “Një dashuri dy jetë”, roman, Melina Tuda, 2011. - “Për cilën dashuri më flet”, roman, Thekla Kristaqi, 2011. - “Dashuritë e mëdha nuk veshin fustan nusërie”, roman, Mitsi Valaka, 2012. - “Agrixhento”, roman, Kosta Haxhiantoniu, 2013 (fitues i Çmimit Europian 2011). - “Sprova e kohës së humbur”, roman, Kani Karava, 2013. - “Fijet”, roman, Katina Vlahu, 2014.