12985452_1165800020106016_1783646394158109236_n

Kanali Musolini

Kanali Musolini Çmimi Strega 2010
Antonio Pennacchi
Diana Kastrati

Përfytyroni një tokë kënetore në Itali, kënetën Pontine. Përfytyroni tani, një nga figurat më të zeza të Luftës II Botërore, Musolinin, i cili ndërmori (ahime!) një nga projektet më ambicioze, bonifikimin e kësaj kënete. Mijëra njerëz të papunë, që vinin nga Veriu, punuan për hapjen e këtij Kanali. Fisi Peruci, përkrahës e simpatizant i hershëm i fashizmit, me laçkë e me plaçkë, shpërngulet ketu. Pennacchi na sjell në këtë libër një poemë të madhe epike që tregon historinë e Italisë, përmes rrëfimit të njerëzve të thjeshtë e të përunjur, episodeve dramatike dhe ndonjëherë komike, duke përshkruar kështu ngjarje të mëdha historike. Historia fillon në vitin 1926, por kthehet mbrapa në kohë përmes rrëfimit të njërit prej trashëgimtarëve të familjes Peruci, argatë venetë në fund të shekullit XIX, një fis i tërë fshatarësh që vijnë në Agro Pontino.
Histori të vogla “të vërteta” të një eksodi të madh historik shpesh të harruar ose të keqkomentuar. Një poemë që në frymën e rrëfimeve të mëdha, gërsheton ngjarje dramatike dhe të habitshme të protagonistëve të saj me ato, jo më pak të trazuara, të një gjysmë shekulli të historisë italiane.
Pjese e projektit te perkthimit #Storytellingthelife, mbeshtetur nga #CreativeEurope

Rreth autorit

Atonio Pennacchi

Atonio Pennacchi

Antonio Pennacchi lindi në Latina, më 1950. Që në moshë fare të re u përfshi në Lëvizjen Sociale Italiane (MSI), por u përjashtua pas disa vjetësh për shkak të një manifestimi antiamerikan kundër luftës në Vietnam. Më vonë vendosi të aderojë në radhët e marksistëve të “Servire il Popolo”. Pastaj, vit pas viti, u bë pjesë e Partisë Socialiste Italiane (PSI), Konfederatës së Përgjithshme Italiane të Punëtorëve (CGIL), Bashkimit Italian të Punëtorëve (UIL), Partisë Komuniste Italiane (PCI) dhe sërish e Konfederatës së Përgjithshme Italiane të Punëtorëve (CGIL). Përjashtimi i fundit më 1983, nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punëtorëve, e bindi Pennacchin se kishte ardhur koha të hiqte dorë nga politika. Kështu, nisi t’u përkushtohet studimeve dhe të shkruarit. Më 1994, në moshën 44-vjeçare, u diplomua në letërsi me një temë për Benedetto Crocen. Në të njëjtin vit botoi romanin Mammut, i cili u pasua nga: Palude (1995), Una Nuvola Rossa (1998), L’Autobus di Stalin e altri scritti, Il fasciocomunista (2003, fitues i Premio Napoli), Shaw 150. Storie di fabbriche e dintorni (2006), Fascio e Martello. Viaggio per le città del Duce (2008), Canale Mussolini (2010, me të cilin Pennacchi fitoi Premio Strega), Le Iene del Circeo (2010).

Rreth përkthyesit

Diana Kastrati kreu studimet e larta për gjuhë dhe kulturë italiane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, më 1989. Më pas vijoi studimet pasuniversitare brenda e jashtë vendit, dhe u mor me kërkime shkencore në Università per Stranieri të Peruxhas, në universitetin La Sapienza të Romës, në Università Tor Vergata të Romës, në Institute of International Relations Clingendael të Hagës. Për disa vite pedagoge në Departamentin e Italianistikës, universiteti L. Gurakuqi, Shkodër. Njëkohësisht kontribuoi edhe në fushën sociale, duke drejtuar Qendrën e parë të Gruas në Shkodër. Më pas në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pranë Drejtorisë së Vendeve Anëtare të BE-së. Ka punuar për ngritjen e Akademisë Diplomatike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Nga 2003 pedagoge në Departamentin e Gjuhës Italiane, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, si titullare e Sociolinguistikës italiane dhe Historisë së Mesjetës italiane. Mban titullin akademik Profesore e Asociuar. Autore artikujsh e studimesh të botuara në revista shkencore e kulturore brenda dhe jashtë vendit. Fushat e lëvrimit studimor përfshijnë letërsinë italiane, antropologjinë kulturore me fokus shoqërinë shqiptare, sociolinguistikën italiane dhe kritikën e përkthimit. Është pjesë e disa projekteve studimore me universitetet europiane. Pjesëmarrëse me kontributet e saj në më tepër se 30 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare në: Itali, Spanjë, Kosovë, Mal të Zi, Rumani etj. Autore librash si Faktorizimi i Miteve moderne shqiptare, produkt i traditës dhe i komunikimit mediatik; Bibliografi e punime të prof. Jup Kastratit etj. Përkthyese e veprave të disa prej autorëve më të spikatur të skenës letrare dhe kulturore italiane, si: Ligjërata mbi Dhjetëshen e parë të Tit Livit, e pasuar nga Konsiderata rreth Ligjëratave të Machiavellit, N. Machiavelli & F. Guicciardini; Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, U. Eco; Indiferentët, A. Moravia; Le ultime lune, F. Bordon; Vdekja e Amalia Saçerdotes dhe Gruaja e bankierit, Andrea Camilleri; Letër një kamikazi, K. F. Allam etj.