18557287_1538860436133304_4441469182704861848_n

Qëllo, tashmë jam i vdekur

QËLLO, TASHMË JAM I VDEKUR
Përktheu: Flavia Kaba
648 faqe; 1800 lekë

Mariana është ngarkuar nga një organizatë joqeveritare që të hartojë një raport për vendbanimet e hebrenjve në territoret palestineze. Për ta kryer këtë detyrë në mënyrë të paanshme, ajo beson se është e rëndësishme që të dëgjojë të dyja palët, ndaj vendos të takojë, në Jerusalem, Aron Zukerin, një nga liderët shoqërorë të Izraelit, përkrahës i guximshëm i politikës së popullimeve. Ajo takon edhe babain e Aronit, Ezekiel Zukerin, i cili ka shumë gjëra për të rrëfyer dhe shumë të tjera për të fshehur… Duke dashur të rindërtojë një puzzle, ku tashmë është e pamundur të kombinohen copëzat e panumërta, Ezekieli i tregon Marianës historinë e familjes, duke filluar nga fundi i shekullit XIX, kur, gjatë periudhës cariste, familja Zuker u dëbua nga Rusia. Pasi kishte përjetuar ferrin e pogromeve dhe shumë padrejtësi mizore, Samueli, babai i Ezekielit, u vendos në Tokën e Premtuar duke bërë realitet një ëndërr brezash. Atje ai mori një copëz nga tokat e Ziadëve, një familje arabe me kryefamiljar Ahmetin, njeri i thjeshtë e shumë punëtor. Kopshti i Shpresës u quajt ky vend i përbashkët, ku Ahmet Ziadi dhe Samuel Zukeri, me gjithë vështirësitë, krijuan një lidhje aq të fortë saqë familjet e tyre, edhe pas disa brezash, janë ende të bashkuara…
Në një kontekst historik të ndërlikuar dhe të veçantë në llojin e vet, në një udhëtim që na çon nga Shën Petërburgu në Jerusalem, duke kaluar nëpër Varshavë e Paris, Julia Navarro përfshin aventurën epike të dy familjeve të destinuara për t’u përballur përmes tradhtive, vuajtjeve, dashurive të pamundura dhe ëndrrave të prera në mes, duke na dhënë historinë intensive dhe prekëse të dy burrave kurajozë që ditën të kapërcenin dallimet politike e fetare falë miqësisë së tyre të pashembullt.
#Storytellingthelife #CreativeEurope

Rreth autorit

Julia Navarro

Julia Navarro

Julia Navarro, autore e librit te sapobotuar nga DITURIA, “Qëllo, tashmë jam i vdekur” eshte nje gazetare dhe analiste shumë e njohur në Spanjë, e vlerësuar mjaft edhe për shkrimet politike rreth aktualitetit spanjoll. Autore e shumë librave për historinë bashkëkohore, si: “1982-1996, nga Felipe tek Aznar”, “E majta që po vjen”, “Zonja Presidente”, “Socializmi i ri: Vizioni i José Luis Rodriguez Zapateros” etj. Romani i saj i parë, “Vëllazëria e Pëlhurës së Shenjtë” (40 botime në spanjisht) shënoi sukses të jashtëzakonshëm dhe arriti rekord kopjesh të shitura jo vetëm në Spanjë, por edhe jashtë saj. Deri tani ky roman është botuar në 18 gjuhë. Me veprat e mëvonshme, “Më thuaj kush jam”, “Bibla prej argjile”, “Gjaku i të pafajshmëve” dhe “Qëllo, tashmë jam i vdekur!”, fitoi përfundimisht zemrat e lexuesve dhe të kritikës. Këto romane janë vlerësuar me çmime të rëndësishme të fushës së letrave, kanë shënuar dhjetëra miliona kopje të shitura në të gjithë botën dhe janë botuar në më tepër se tridhjetë vende, përfshirë këtu: Italinë, Gjermaninë, Portugalinë, ShBA, Britaninë e Madhe, Rusinë, Japoninë etj.

Rreth përkthyesit

Flavia Kaba ka studiuar në shkollën e mesme “Safiye Sultan Kiz Koleji”, Stamboll. Më 2001-2006 kreu studimet universitare në Fakultetin e Gjuhës, të Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin e Ankarasë, ku u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Spanjolle. Ka kryer specializime në fushën e letërsisë në universitetin Complutense në Madrid. Nga 2010 është pedagoge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës.Ka marrë titullin doktore e shkencave letrare. Ka kryer shumë kualifikime e trajnime brenda dhe jashtë vendit. Autore artikujsh e studimesh të botuara në revista shkencore e kulturore brenda dhe jashtë vendit për hapësirën e përbashkët kulturore spanjolle dhe latino-amerikane, për aspektet stilistike të letërsisë spanjolle etj. Ka marrë pjesë në seminare, konferenca, kolokiume, workshope në Universitetin e Tiranës për probleme të përkthimit, të semantikes, të morfologjisë apo sintaksës së spanjishtes, të letërsisë spanjolle dhe latino-amerikane, të spanjishtes si gjuhë e huaj e dytë etj. Shkruan në revista të ndryshme, të specializuara për probleme të përkthimit, për autorë dhe për letërsinë spanjolle e latino-amerikane. Është e pranishme në mediat kulturore si specialiste për letërsinë dhe autorë spanjollë e latino-amerikanë. Është përkthyese nga origjinali e katër romaneve të autorit spanjoll Carlos Ruiz Zafón: I burgosuri i Qiellit, Princi i mjegullës, Pallati i mesnatës, Dritat e shtatorit. Në proces përkthimi Labirinti i shpirtrave, nga po ky autor.