Edvin Cami lindi në vitin 1974 në Tiranë. Përfundoi në vitin 2001 studimet për gjuhë gjermane në Universitetin “Marmara” të Stambollit. Kreu studime pasuniversitare në të njëjtën fushë në Universitetin “Karl Franc” të Gracit (2002), si dhe në Universitetin e Tiranës (2009). Në vitin 2019, doktoroi në Universitetin “Ludvig Maksmilian” të Munihut në fushat letërsi moderne gjermane dhe histori e kulturë e Lindjes së Mesme e turkologji.
Është lektor i gjuhës e i letërsisë gjermane në Univer-sitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe në Universitetin e Tiranës, si dhe autor i një numri artikujsh e punimesh monografike botuar brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilët librat Gëtja mes Perëndimit dhe misticizmit oriental (Tiranë 2009) dhe Begegnungen mit dem Orient im literarischen Schaffen Goethes (Berlin 2019). Është njohës i mirë i gjermanishtes, i anglishtes, i italishtes, i frëngjishtes e i turqishtes dhe përkthyes i shumë teksteve letrare e pragmatiste.
Nga gjermanishtja përmendim: Siddharta nga H. Hesse, tregime e novela nga H. von Hoffmannsthal, H. Mann, G. Benn, J. Roth, K. Valentin, R. Musil, apo esenë Moisiu i Mikelanxhelos nga S. Freud. Është bashkëpërkthyes i vëllimit poetik Kann keine Trauer sein / Nuk mund të jetë zi, nga G. Benn. Kontribuues në vëllimin dygjuhësh (shqip-gjermanisht) Përrallë dimri – ABC e përkthimit letrar; Ein Wintermärchen / Kleine Fibel der literarischen Übersetzung, me ese e artikuj teorikë mbi përkthimin letrar, përshkrim përvojash dhe përkthime poezie e proze. Nga italishtja: Gruaja leopard nga A. Moravia, si dhe Kronika e Tursun Beut.
Nga anglishtja veçojmë: Perandoria Osmane. Periudha klasike 1300-1600 nga H. Inalcik; në bashkëpërkthim, Historia e Perandorisë Osmane dhe e Turqisë moderne nga S. Show etj.
Për projektin ballkanik “Guximi për të kujtuar” të institutit “Goethe”, ka përkthyer nga shqipja në turqisht tregime nga autorë shqiptarë, dhe në shqip tregime e poezi nga autorë turq e qipriotë.
Ndër të tjera, është fitues i çmimit të parë për përkthimin në shqip të poetit gjerman G. Benn, më 1998 nga shoqata kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”, si dhe i çmimit të përkthimit më të mirë të Panairit të Librit të Tiranës, 2016, për përkthimin e romanit Dru qershie dhe ndjenja të vjetra të autores Marica Bodrožić.
Showing the single result