Përtej Lumit
Rosa Liksom
Përktheu: Kujtim Ymeri
Numri i faqeve: 224
Çmimi: 1000 lekë
Personazhet e romanit janë banorë të Laponisë, midis Finlandës dhe Suedisë. Vija kufitare kalon nëpër Lumin të cilit autorja nuk ia përmend emrin. Drejt tij shkon një turmë e pambarimtë barinjsh, djem të rinj ose fare të vegjël, të cilët u prijnë dhjetëra mijëra gjedhëve, që do të gjejnë strehë në Suedi, e cila, ndryshe nga Finlanda, ishte asnjanëse në Luftën e Dytë Botërore. Aleate e Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik, Finlanda kapitulloi në vjeshtën e vitit 1944. Gjermanët patën një marrëveshje për tërheqjen drejt Norvegjisë, me mareshalin Manerheim, president i Finlandës. Pas presionit sovjetik, Manerheimi u detyrua të ishte më aktiv ndaj trupave gjermane dhe tërheqja e “vëllezërve të armëve” u shndërrua në një tragë gjaku e shkatërrimi, ngjarje të cilat përshkruhen edhe në këtë roman.
Mbi 50 mijë banorë të Laponisë finlandeze kapërcyen lumin kufitar dhe u strehuan në kampet e Suedisë. Pjesë e këtij eksodi është tabloja e vuajtjeve, poshtërimeve dhe vdekjeve që ka përshkruar Roza Liksomi në roman, ku gjejnë vend edhe vërshimi i mijëra ushtarakëve, rezervistëve e rekruteve të reja finlandeze, si dhe odiseja e dhembshme e mijëra vajzave e djemve thuajse adoleshentë. Odise që nisi në vjeshtën e 1944 dhe u mbyll me kthimin e popullsisë lapone, në verë-vjeshtë të vitit 1945.
Atmosfera e vuajtjeve të një populli në eksod, por edhe dhembjet personale të protagonistes, e afrojnë këtë roman me veprën tjetër të autores, Gruaja e kolonelit, e mirëpritur nga lexuesi ynë. Edhe ky ka një mesazh për dhembjet e shkaktuara nga një luftë e gabuar, viktima të së cilës janë, si zakonisht, ata që nuk kanë përgjegjësi për të. Mes tyre, protagonistja e romanit, në prag të rinisë, shkrirë me peizazhin, natyrën dhe botën shtazore të vendit të saj, në përpjekjet për të kuptuar botën dhe universin, në vigjilje të zbulimeve të panjohura shpirtërore që do t’i ofrojë jeta.
Rreth përkthyesit
Kujtim Ymeri
Kujtim Ymeri ka lindur në Tiranë. Kreu gjimnazin në Tiranë më 1965, studimet e larta për gjuhë shqipe dhe letërsi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, më 1969. Në vitet 1970-1972 punoi si gazetar në Radiotelevizionin Shqiptar, më 1972-1975 pedagog i letërsisë së huaj bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë më 1975-1978; nga 1978-1990 bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Studimeve M-L. Gjatë viteve 1991-1993 zëdhënës për shtypin në Këshillin e Ministrave; në vitet 1994-1997 redaktor në Shtëpinë Botuese DITURIA; në vitet 1992-1998 anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar; në vitet 1997-2000 Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Stamboll dhe deri më 2012 në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga viti 2012 është përkthyes i lirë. Njohës i disa gjuhëve të huaja, si: anglisht, italisht, rusisht, Kujtim Ymeri është përkthyes i shumë veprave letrare, historike e filozofike. Përmendim disa prej veprave të përkthyera: Botime historike: “Bizantinët”, A. Cameron; “Majat e Shalës”, R. W. Lane; “Luftërat ballkanike”, E. Ivetic; “Europa Lindore Qendrore midis dy luftërave botërore”, J. Rothschild; “Europa Juglindore nën sundimin osman, 1354-1804”, P. F. Sugar; “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, M. C. Carnes & J. A. Garraty; “Historia e Kanadasë”, D. Morton; “Lindja e Europës”, R. S. Lopez; “Historia e Spanjës”, F. G. de Cortázar & J. M. G. Vesga; “Historia e Rusisë”, E. V. Anisimov; “Shqipëria: Ngritja e një mbretërie”, J. Swire; “Por përse jemi ende fashistë?”, Francesco Filippi. Botime sociologjike apo filozofike: “Konservatorizmi: Ëndrra dhe realiteti”, R. Nisbet; “Përse nuk jam i krishterë”, B. Russell; “Politikat krahasuese: Popujt dhe teoritë në ndryshimin e botës”, L. C. Maye; “Orientimi seksual: një e drejtë njerëzore. Një ese për Ligjin e të Drejtave të Njeriut”, E. Heinze; “Magjistratura në demokracitë bashkëkohore”, Carlo Guanieri&Patrizia Pederzoli; “Ç’është demokracia?”, G. Sartori; “Gjuha e harruar”, E. Fromm; “Bota që krijoi Amerika”, R. Kagan; “Kina: Në brendësi të traditave dhe kulturës”, Su Shujang. Vepra letrare: “Salla e ujqërve”, Hilary Mantel; “Një hero i kohës sonë”, Mihail Lermontov; “Përballë detit”, David Vogel; “Në lulen e moshës”, S. Y. Agnon; “Dita e opriçnjikut”, Vladimir Sorokin; “Braktisje”, Elisabeth Åsbrink; “1947 - Viti kur filloi gjithçka”, Elisabeth Åsbrink; “Dhjetë gra”, Marcela Serrano; “Cirku i iluzioneve”, Amita Parikh; “Mjeku i oborrit”, Per Olov Enquist; “Qyteti kufitar”, Shen Congwen; “Gra që flasin”, Miriam Toews; “Qyteti në dëborë”, Beka Kurkhuli; “Zogu aromatik”, Jin Bo; “Gruaja e Kolonelit”, Rosa Liksom; “Kabina nr. 6”, Rosa Liksom; “Duke u endur”, Lu Xun; “Kur lejlekët fluturojnë në jug”, Lisa Ridzén; etj.
