Agim Doksani u diplomua në vitin 1992 në Gjuhë dhe Letërsi Italiane në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 1993-1995 punoi si përkthyes dhe gazetar në Radio Televizion, në Tiranë, në Departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë; 1995-1998 – asistent në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, në sektorin e Leksikologjisë dhe Terminologjisë. Që prej vitit 1998 është koordinator dhe përkthyes në Institutin Shqiptar të Medias, organizator trajnimesh në marrëdhëniet me publikun dhe koordinator kursesh gazetarie, si dhe kursesh të lidhura me mediat lokale, aksesin në informacion etj.
Me një karrierë gati 30-vjeçare në përkthim, Agim Doksani ka përkthyer disa vepra të letërsisë italiane: Jeta gënjeshtare e të rriturve, Mikesha gjeniale, vëllimet 2–4 nga Elena Ferrante (pjesë e një projekti CREA); Papa Satàn Aleppe (bashkëpërkthyes) nga Umberto Eco; Shalli andaluzian nga Elsa Morante; Diçka e shkruar nga Emmanuele Trevi; Dërgomë shumë jetë nga Paolo di Paolo; Me synimet më të këqija nga Alessandro Piperno; Në mbretërinë e mrekullive nga Geronimo Stilton; Frikë nga dashuria nga Giacomo Dacquino; Fluturaku i kohës nga Stefano Benni; Koha për të vrarë nga Ennio Flaiano; Nuk kemi lindur për të vuajtur nga Raffaele Morelli; Madame de Pompadur nga Massimo Grilandi; Dhoma e endëses nga Cristina Caboni, Treni i fëmijëve nga Viola Ardone (pjesë e projektit CREA të DITURIA-s), Ishulli i shpirtrave nga Piergiorgio Pulixi etj.
Në vitin 2020, Agim Doksani fitoi Çmimin për Përkthimin më të mirë, dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.
Showing the single result
