Mrekullia e madhe

Viola Ardone
Përktheu: Agim Doksani
Numri faqeve: 328
Çmimi: 1200 lekë

Vogëlushja Elba mban emrin e një lumi të madh të Veriut: ka vendosur nëna e saj ta quajë kështu. Në fillim, nënë e bijë jetonin së bashku, në një vend të cilin Elba e quan gjysmëbotë, por që në të vërtetë është një spital psikiatrik. Pastaj nëna e saj u zhduk dhe asaj nuk i mbeti gjë tjetër veçse të rritej, të përpilonte “Ditarin e sëmundjeve të mendjes” dhe t’u tregonte të sapoardhurve në repart për mjekët Bishtdhelpër dhe Llambushkë, për infermieren Xhilet dhe qenushën Buba, për universin e saj, i vetmi që njeh. Të paktën derisa një psikiatri të ri, Fausto Mrekullisë, t’i tiposet që ta nxjerrë nga spitali psikiatrik, madje t’i fshijë nga faqja e dheut vende si këto; në fund të fundit, këtë parashikon ligji Basaglia, i miratuar pak vjet më parë. Doktor Mrekullia e merr Elbën të jetojë në shtëpinë e tij, si ta kishte bijë të vetën: e vetmja që ka zgjedhur në jetë dhe falë së cilës ai, që kurrë nuk ka qenë një baba i mirë, mëson peshën dhe forcën e atësisë.

Proza intensive, origjinale, plot muzikalitet e Viola Ardones na tregon se dashuria e të tjerëve nuk varet kurrë vetëm nga ne. Ky është misteri, por edhe mrekullia e dashurisë.

Category:

Rreth autorit

Viola Ardone

Viola Ardone

Viola Ardone (Napoli, 1974) jep latinisht dhe italisht në shkollë të mesme. Është autore e disa romaneve, ndër të cilat përmendim: “Receta e zemrës në trazira” (2012), “Një revolucion sentimental” (2016), “Treni i fëmijëve” (2019), Oliva Denaro (2021), që janë konsideruar ndër veprat më të suksesshme të letërsisë italiane të viteve të fundit.
“Mrekullia e madhe” është romani i dytë i Viola Ardones, që botohet nga DITURIA, pas Treni i fëmijëve (2023), që sapo u botua në Itali u bë ngjarja letrare e vitit dhe u përkthye në tridhjetë e gjashtë gjuhë. Me skenarin e këtij libri është realizuar së fundi një film.

Rreth përkthyesit

Agim Doksani u diplomua në vitin 1992 në Gjuhë dhe Letërsi Italiane në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 1993-1995 punoi si përkthyes dhe gazetar në Radio Televizion, në Tiranë, në Departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë; 1995-1998 - asistent në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, në sektorin e Leksikologjisë dhe Terminologjisë. Që prej vitit 1998 është koordinator dhe përkthyes në Institutin Shqiptar të Medias, organizator trajnimesh në marrëdhëniet me publikun dhe koordinator kursesh gazetarie, si dhe kursesh të lidhura me mediat lokale, aksesin në informacion etj. Me një karrierë gati 30-vjeçare në përkthim, Agim Doksani ka përkthyer disa vepra të letërsisë italiane: Jeta gënjeshtare e të rriturve, Mikesha gjeniale, vëllimet 2–4 nga Elena Ferrante (pjesë e një projekti CREA); Papa Satàn Aleppe (bashkëpërkthyes) nga Umberto Eco; Shalli andaluzian nga Elsa Morante; Diçka e shkruar nga Emmanuele Trevi; Dërgomë shumë jetë nga Paolo di Paolo; Me synimet më të këqija nga Alessandro Piperno; Në mbretërinë e mrekullive nga Geronimo Stilton; Frikë nga dashuria nga Giacomo Dacquino; Fluturaku i kohës nga Stefano Benni; Koha për të vrarë nga Ennio Flaiano; Nuk kemi lindur për të vuajtur nga Raffaele Morelli; Madame de Pompadur nga Massimo Grilandi; Dhoma e endëses nga Cristina Caboni, Treni i fëmijëve nga Viola Ardone (pjesë e projektit CREA të DITURIA-s), Ishulli i shpirtrave nga Piergiorgio Pulixi etj. Në vitin 2020, Agim Doksani fitoi Çmimin për Përkthimin më të mirë, dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.