Vizitorja e pasqyrës 2. Të zhdukurit e Dritëhënës
Christelle Dabos
Përktheu: Lorena Dedja
Numri i faqeve: 520
Çmimi: 1400 lekë
“Të zhdukurit e Dritëhënës”, vëllimi i dytë i serisë bestseller ndërkombëtar “Vizitorja e pasqyrës”, më në fund në shqip! Fitues i Prix Albertine Jeunesse, 2021
“Të zhdukurit e Dritëhënës” fillon pikërisht aty ku mbaroi vëllimi i parë “Të fejuarit e dimrit”. Në Arkën e akullt të Polit, ku Ofelia është flakur nga Plakat për t’u martuar kundër dëshirës të saj me fisnikun Torn, vapa është mbytëse. Por ky është vetëm një nga iluzionet e krijuara nga Mirazhët, klani dominues i Arkës, të zotët të prodhojnë tavane të mbuluara nga xhungla tropikale, dete të pafundme brenda pallateve dhe fustane me flutura që valëviten. Në Qytetqiell, kryeqyteti i Polit, Ofelinë e prezantojnë me zotin Faruk, shpirtin e gjithëfuqishëm dhe të pavdekshëm të familjes, i bardhë si bora dhe me një kujtesë shumë të dobët. Ai shpreson te dhuntitë e Ofelisë si “lexuese” për të zbuluar misteret që përmban Libri, një dokument misterioz i cili, ndër shekuj, ka shkaktuar çmendurinë apo vrasjen e shumë mendjelehtëve që janë përpjekur ta deshifrojnë.
Për Ofelinë nis një varg aventurash dhe fatkeqësish. Vetëm me ndihmën e një truproje të padukshëm, ajo arrin të mbrohet nga sulmet e pabesa të tradhtarëve dhe kurthet vdekjeprurëse të Mirazhëve. Por edhe vetë çuditet kur kupton se po rrezikon jetën dhe po harxhon gjithë energjitë e saj në këtë labirint hetimesh për hir të dashurisë për Tornin, burrin që mendonte se e urrente më shumë se këdo tjetër në botë. Ndërkaq, Torni është zhdukur…
Rreth përkthyesit
Lorena Dedja
Lorena Dedja është diplomuar në degën Gjuhë dhe Letërsi Frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, në vitin 1991. Në vitin 1999 mbrojti një Diplomë të Studimeve të Thelluara (Master i shkencave) në Letërsi dhe Qytetërim francez në Universitetin Paris III, Sorbonne Nouvelle - Paris, Francë. Më 2003 mori gradën “Doktor i shkencave” në fushën e qytetërimit francez dhe, që prej vitit 2012, mban titullin “Profesor i asociuar”. Fushat e mësimdhënies dhe ekspertizës kërkimore përfshijnë qytetërimin, komunikimin ndërkulturor, letërsinë, historinë dhe gjuhësinë. Ka marrë pjesë në disa projekte ndërkombëtare të mbështetura nga Agjencia Universitare e Frankofonisë. Ka marrë pjesë në një sërë konferencash kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar shumë artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu i është kushtuar edhe punës përkthimore, duke qenë përkthyese letrare për disa shtëpi botuese. Lorena Dedja ka përkthyer një numër të madh veprash nga frëngjishtja në shqip dhe nga shqipja në frëngjisht, ndër të cilat: Imoralisti nga André Gide, E doja nga Anna Gavalda, Sulejmani i Madhërishëm nga André Clot, Sytë e verdhë të krokodilëve nga Kathérine Pancol, Rojtari i fundit i Ellis Island nga Gaëlle Josse, Vizitorja e pasqyrës 1: Të fejuarit e dimrit nga Christelle Dabos, Çmondializimi nga Jacques Sapir etj., si edhe Les Clandestins nga Vangjel Leka dhe La ville de Kadaré (nga shqipja në frëngjisht).
