Djali që e sheh botën me gishta

Përktheu: Astrit Beqiraj
Numri i faqeve: 80
Çmimi: 700 lekë

KUR DIVERSITETI NUK ËSHTË MË PENGESË, POR FORCË
Kamili është një fëmijë si çdo fëmijë tjetër: ai është i gëzuar, i gjallë, shkon në kopsht dhe i pëlqen të bëjë edhe ndonjë shaka. Po çfarë e bën atë të veçantë? Kamili ka lindur i verbër. Nuk është gjithmonë e lehtë të rritesh pa pasur mundësi ta shohësh botën me sytë e tu, por me ndihmën e familjes, Kamili mëson të përmirësojë aftësitë e tjera, të nxisë imagjinatën dhe madje të “shohë me gishta”. Dhe më kot prindërit shqetësohen për të ardhmen e tij; Kamili është i sigurt: në planet e veta, e sheh veten President të Republikës!
Aventurat e Kamilit, me sfida dhe suksese, na mësojnë se mund të arrijmë gjithçka, nëse e duam me gjithë shpirt.

Category:

Rreth autorit

Tomasz Małkowski

Tomasz Małkowski

Tomasz Małkowski ka lindur në vitin 1966 në Gdańsk, Poloni.
Ai është diplomuar për pedagogji speciale në Fakultetin e Edukimit, por njihet veçanërisht si autor librash për fëmijë dhe tekstesh shkollore të historisë. Ka botuar edhe një guidë udhëtimi për fëmijët dhe serinë e librave Grabitësi i vazos së humbur. Në vitin 2013, fitoi çmimin kryesor në Konkursin Letrar të Qytetit të Gdańskut, për romanin Ojcze Józefie.
Jeton në Gdańsk me bashkëshorten dhe fëmijët, i pëlqejnë shëtitjet në natyrë dhe mësimi i gjuhëve të huaja.
Libri "Djali që e sheh botën me gishta" është përkthyer në shumë gjuhë.

Rreth përkthyesit

Astrit Beqiraj ka lindur në Vlorë. Në vitin 1980 përfundoi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dhe në vitin 1988 studimet për gjuhët polake, serbe dhe frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës (UT). Në vitet 1981-2000 punoi si gazetar-përkthyes i gjuhës polake në Radio Tirana; 1995-1997 - lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Torunit (Poloni); 2000-2022 - specialist i diplomacisë publike dhe medias/përkthyes në Ambasadën e Polonisë në Tiranë. Astrit Beqiraj ka dhënë kontribut të çmuar për promovimin e gjuhës dhe kulturës polake jashtë vendit. Ky kontribut, me punën dhe angazhimin e tij ndër vite, i ka afruar shqiptarët dhe polakët më pranë njëri-tjetrit. Për këtë kontribut, Beqiraj është nderuar me disa çmime të rëndësishme: 2013 - Çmimi për Përkthimin më të Mirë për vitin 2013, nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë; 2013 - Gloria Artis (argjend) nga Ministria e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare e Polonisë; 2018 - “Çmimi i Mirënjohjes” nga Universiteti i Varshavës; 2020 - Çmimi Bene Merito nga Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë; 2024 - Kryqi i Meritës nga Presidenti i Republikës së Polonisë. Astrit Beqiraj ka përkthyer dhjetëra vepra nga letërsia polake në shqip, publicistikë, prozë, poezi: "Mbi udhëtimet në kohë" dhe "Në bregun tjetër të lumit" nga Czesław Miłosz; "Perandori, Imperium", "Udhëtime me Herodotem", "Tjetri, "Abanoz" nga R. Kapuściński; "Rrugës për në Babadag" nga A. Stasiuk; "Në kërkim të sensit të humbur" nga A. Michnik; "Pianisti" nga W. Szpilman; "Mbreti i fëmijëve të botës", "Falimentimi i Xhekut të vogël", "Juzhkët", "Jashkët dhe Frankët" nga J. Korczak; "Poezi të zgjedhura" nga T. Różewicz; "Sonatë për shumë tamburë", "Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve", "Empuzion" nga O. Tokarczuk; "Përmbytja" nga H. Sienkiewicz etj.