Ikanakët
Mario Desiati
Përktheu: Albana Nexhipi
Numri faqeve: 296
Çmimi: 1000 lekë
Një roman për përkatësinë dhe pranimin e vetes, për miqësitë këmbëngulëse, për një brez që ka parë larg për të gjetur veten.
Klaudia hyn në jetën e Françeskos një mëngjes me diell, në oborrin e shkollës: është një rrufe në qiell të hapur, lindja e një dëshire krejt të re, që është, mbi të gjitha, dëshirë për jetën. Do të rriten bashkë, duke u grindur si uji me zjarrin, të ndryshëm e të trazuar. Ajo e guximshme, me flokë të kuq dhe kravatë, gjithmonë në arrati; ai i tërhequr, por i përvëluar nga kureshtja erotike. Ajo e provokon: e di që nëna jote dhe babai im janë të dashuruar? Por në sytë e atij djali të përmbajtur dallon një shkëndijë, ku njeh veten. Që nga ai moment, nuk ndahen më.
Klaudia nuk e duron dot provincën; ikën sa herë që mundet, fillimisht në Londër, pastaj në Milano dhe në fund në Berlin, kryeqytetin europian të transgresionit; Françesko mbetet në vend dhe gërmon brenda vetes. Rriten bashkë, në një lojë simbiotike largimi dhe ndjekjeje, ku përfundojnë gjithmonë duke u rigjetur. Janë dy të shpërngulur, ikanakë, ose thjesht të rinj.
Mario Desiati përshkruan mijëra ndërlikimet e një brezi fluid, të shkulur nga rrënjët, ikanak: brezi i tij. Brezi i atyre që nuk kanë pasur frikë të kërkojnë larg shtëpisë vendin e tyre në botë, brezi i atyre që janë ndier vërtet qytetarë të Europës.
Me një stil poetik, herë-herë provokues, Desiati rrëfen mijëra format që mund të marrë dëshira kur lihet e lirë të shfaqet. Pa frikë që të prekë telat e romantizmit, pa drojë në hetimin e detajeve më të rëndomta të instinktit dhe trupit, ai e vë në pyetje seksin dhe e zbulon siç është: një nga shumë sjelljet që qeniet njerëzore kanë shpikur për t’u përpjekur të jenë të lumtura.
Rreth përkthyesit
Albana Nexhipi
Albana Nexhipi lindi më 1978. Në vitin 2001 përfundoi studimet e larta për Gjuhë shqipe dhe letërsi dhe më 2004 studimet Master për Letërsi, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Gjatë vitit 2004 kreu specializimin pasuniversitar në lëmë të Letërsisë së krahasuar në Università per Stranieri, Peruxha, Itali. Në vitet 2004-2014 - gazetare, redaktore përgjegjëse, autore dokumentaresh dhe reportazhesh; nga viti 2009 - pedagoge e Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës. Njohëse shumë e mirë e italishtes, Albana Nexhipi është përkthyese e disa librave: "Nina dhe misteri i notës Oktavë", "Nina dhe Syri Sekret i Atlantidës", "Nina dhe Numri i Artë", "Nina dhe fuqia e Absinthiumit" nga Moony Witcher; "Mikesha gjeniale: fëmijëria, adoleshenca" nga Elena Ferrante; "Dje, sot, nesër" nga Sophia Loren; "Pas bukurisë: si mund ta përmirësojmë imazhin pa e tradhtuar veten" nga Willy Pasini dhe "Maria Teresa Baldini"; "Erosi dhe qytetërimi" nga Herbert Marcuse; "Homo videns: televizioni dhe postmendimi" nga Giovanni Sartori; "Seria Fairy Oak: Sekreti i Binjakeve, Magjia e Territ, Fuqia e Dritës" nga Elisabetta Gnone; "Olga prej letre", "Olga prej letre: Xhumi i zi" nga Elisabetta Gnone; "Dhoma e Fluturave" nga Lucinda Riley; "Ole" nga Guus Kuijer; "Bija italiane", "Bija kubane" nga Soraya Lane; "Ministria e Zgjidhjeve" nga Sanne Rooseboom; "Njeriu i rërës" nga Lars Kepler; "Vajzat e vilës së pëlhurave", "Trashëgimia e Vilës së Pëlhurave", "Kthim në Vilën e Pëlhurave" nga Anne Jacobs; "Si të bëhesh mbret" nga Jan Terlouw; "Elisabeta dhe të tjerat", nga Eva Grippa; "Uji i liqenit nuk është kurrë i ëmbël" nga Giulia Caminito; "Një histori shkodrane: flamujt e parë të anijeve tregtare shqiptare (1913-1914), Shpnesa e Shcypeniis (Shqiptarë të Trieshtit) dhe Jo vetëm 'Hymni i Flamurit': disa kuriozitete mbi himnet e tjera kombëtare shqiptare në ag’ të Pavarësisë" nga Paolo Muner.
