Blogu

Gazeta Liberale: Historia e një shtëpie në udhëkryq

Nga Kleo Lati

Rreth romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të shquar grek Vassilis Vassilikos

Letërsia greke cilësohet në mënyrë të gjithëpranuar si një letërsi e madhe në rrafsh botëror, si në fushën e poezisë ashtu edhe në atë të prozës, me poetët nobelistë Seferis dhe Elitis apo me poetë të mëdhenj si Kavafis, Palamas dhe Ricos, si dhe me prozatorë të shquar si Kazanxaqis, Venezi, Vizynos (ky i fundit edhe poet) e plot të tjerë. Këta emra të shquar të letërsisë greke dhe asaj botërore u përkasin atyre që kanë ikur fizikisht nga kjo botë, por vazhdojnë jetën e përjetshme që kanë krijuesit e mëdhenj. Kurse Vassilis Vassilikos, romanin e të cilit me titull “Shtëpia në udhëkryq” e solli këto ditë për lexuesit shqiptarë shtëpia botuese “Dituria”, është emri më i shquar i prozës greke të gjysmës së dytë të shekullit të 20 dhe më pas, deri në ditët tona, kur ai, edhe pse i ka kapërcyer të 85 vitet e jetës, vazhdon të shkruajë, duke qenë vital dhe krijues. Ky është romani i dytë i këtij autori të shquar që vjen në shqip nga po e njëjta shtëpi botuese, si dhe nga i njëjti përkthyes, autor i këtyre radhëve, pas kryeveprës së Vassilikos, romanit “Z, orgjia e pushtetit”.

Vassilis Vassilikos është shkrimtari grek më i përkthyer në botë, pas shkrimtarit të shquar Kazanxaqis. Veprat e tij, të cilat i kalojnë të 120 titujt dhe që përfshijnë thuajse të gjitha gjinitë, janë përkthyer në mbi 45 gjuhë të ndryshme të planetit dhe janë vlerësuar për talentin e tij të fuqishëm krijues. Një talent i padiskutueshëm që spikat edhe në romanin “Shtëpia në udhëkryq”, të cilin autori e shkroi kur ishte vetëm 24 vjeç! Në këtë roman autori të befason jo vetëm me stilin dhe mjeshtërinë e të shkruarit, por edhe me njohjen e thellë të jetës dhe të botës së brendshme të njerëzve. Duke lexuar dhe përkthyer këtë roman të mrekullueshëm, shkruar me një stil sa lakonik aq edhe të ngjeshur mendimi, kam sjellë ndërmend një thënie të bukur të Franc Kafkës, sipas të cilit “një libër duhet të jetë një kazmë që të çajë detin e ngrirë brenda nesh”. Këtë depërtim dhe “zhytje” në thellësi të detit të shpirtit njerëzor, autori i këtij romani e bën me një mjeshtëri të lartë artistike, me një gjuhë të pasur dhe plot kolorit, me përshkrime fantastike të mendimeve, ndjenjave dhe përjetimeve të personazheve të tij, të cilët kanë botën e tyre të thellë shpirtërore, zotërohen nga pasione të fuqishme, nga joshje dhe tundime që shpesh nuk arrijnë dot t’u bëjnë ballë. Këtë gjë e shpreh shumë bukur personazhi kryesor i romanit, Magda, një grua me përjetime dhe pasione të fuqishme brenda vetes, e cila aty nga fundi i romanit thotë: “Përse të jemi kaq të dobët në thellësi të shpirtit tonë? Përse pasioni e kapërcen logjikën tonë?”.

Veçoria e këtij romani është se rreket të depërtojë në thellësi të qenies, të zbërthejë kodet mistike të asaj marrëdhënieje të fuqishme dhe të brishtë njëherësh mes trupit dhe shpirtit, për të cilën Kazanxaqis thoshte se “përpiqem të pajtoj trupin dhe shpirtin, këta dy miq dhe armiq të përjetshëm të njëri-tjetrit”.

Vassilis Vassilikos është një shkrimtar i shquar, një personalitet shumëdimensional, me librat e tij të lexuar nga qindra mijëra dhe miliona lexues gjithandej, ndërmjet të cilëve romani “Z” që u ekranizua nga regjisori i shquar Kosta Gavra, por që kohët e fundit u bë edhe opera. Ai është jo vetëm një shkrimtar i madh, por edhe një figurë e shquar e jetës politike, intelektuale dhe sociale greke dhe më gjerë, duke lënë gjurmën e tij të veçantë. Në këtë kuptim përkthimi në gjuhën e bukur dhe të pasur shqipe dhe ofrimi i veprave të tij për lexuesin shqiptar, përbën një ngjarje sa letrare, aq edhe kulturore, që kontribuon në njohjen më të thellë të kulturave të pasura të dy popujve më të vjetër të Ballkanit, atij grek dhe shqiptar.

Ky shkrimtar i shquar, i cili mban peshën e tetë dekadave e gjysmë të një jete plot me dallgë dhe trazime, ashtu sikurse edhe me plot suksese dhe triumfe letrare, vazhdon të sfidojë kohën me mënyrën më të bukur dhe të dobishme që ai di të bëjë: të shkruajë letërsi. Dhe filozofinë e tij për jetën dhe kohën, Vassilikos e shpreh mjaft bukur në një intervistë të kohëve të fundit dhënë në shtypin grek, ku pyetjes “a është koha gjithmonë një armik?”, mjeshtri i fjalës i përgjigjet: “Koha nuk është kurrë një armik. Armiku është kronik”./Gazeta Liberale

Leave a Comment

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes:

<a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>