Blogu

Gazeta ExLibris: “Pesha e dashurisë” nga Sara Stridsberg, përkthyer nga Sokol Demaku. Kur fiksimi për lirinë dhe ai për vdekjen përplasen në mënyrë të rrezikshme…

Nga Ekleva Progonati

“Pesha e dashurisë” është një roman i komplikuar. Për marrëdhëniet mes njerëzve, dashurinë, urrejtjen, ambicien, ligësinë e shumë të tjera, mund të shkruash shumë… Por të shkruash me art, me delikatesë, me forcë, për sëmundjet mendore, për varësinë ndaj gjithçkaje që kthehet në obsesion, për individin që e vuan dhe shoqërinë pjesë e së cilës është, për përballimin e dramës së madhe të atyre që kanë humbur mendjen, është vërtet një sipërmarrje gjigante. Sara Stridsberg, shkrimtarja suedeze, një nga zërat më interesantë të letërsisë skandinave, ia ka dalë më së miri. Stridsberg-u nuk është një emër i panjohur: romani i saj i parë “Happy Sally” është vlerësuar shumë nga kritika. Me tri romanet e saj të mëvonshme ka fituar çmimet më prestigjioze letrare dhe ka qenë finaliste e çmimit August, një nga çmimet më të rëndësishme letrare në Suedi. Kurse me romanin “Pesha e dashurisë”, të sapobotuar nga Dituria, ajo fitoi më 2015 Çmimin Europian të Letërsisë. “Një zog deti i bardhë fluturon i vetëm nëpër korridoret e ndërtesës së Stora Mansit, në spitalin e Beckombergut. Ai është i madh dhe i ndriçuar, në ëndërr unë vrapoj pas tij duke provuar ta kap, por nuk e arrij dhe ai fluturon nga një dritare e thyer dhe zhduket në errësirën e natës”, – kështu fillon ky roman që rrëfen një marrëdhënie të brishtë dhe kurrë të thjeshtë midis sëmundjes dhe shëndetit, në një histori të vendosur në Beckomberg, spital psikiatrik në Suedi. Një vajzë e re që ndjek e viziton çdo ditë të atin, të shtruar në këtë spital! Mjekë antikonformistë që i nxjerrin të sëmurët natën nëpër qytet, sepse vetëm mes njerëzve mund të bëhen sërish të njerëzishëm! I lehtë, i rëndë, i mrekullueshëm, poetik, filozofik, me një stil që rrallë e gjen, i kallëzuar me mendjen dhe syrin e kësaj vajze të re, që rrëfen me pasigurinë e adoleshentes, por që në spitalin psikiatrik është dashuruar, dhe më pas me mendjen e gruas, që tashmë ka një fëmijë, të cilin e rrit vetë duke e mbajtur sëmundjen dhe të atin në një largësi njëherazi intime dhe të trishtuar. Stridsberg-u shkruan në një mënyrë poetike e evokuese dhe zbulon të gjitha kthesat e marrëdhënies midis një ati që ndihet jashtë botës dhe një bije që përpiqet të fitojë botën. Me një delikatesë të jashtëzakonshme, shkrimtarja i jep jetë dimensionit mitik, në të njëjtën kohë utopik dhe të tmerrshëm, të spitalit psikiatrik, ku fiksimi për lirinë dhe ai për vdekjen përplasen në mënyrë të rrezikshme. Por, në të njëjtën kohë, romani përshkruan gëzimin e jetës: ai është një roman për dashurinë në forma të ndryshme. Në fund të fundit, Stridsberg-u shkruan për dashurinë për njeriun dhe disa nga portretet e romanit janë të paharrueshme. “Pesha e dashurisë” nuk duhet lexuar me ngut; libri e përcakton vetë ritmin; shpaloset duke na përfshirë e larguar nga realiteti ku ndodhemi e duke na krijuar ndjesinë sikur do të rrëzohemi, e ngjashme me personazhet e romanit. Shkrimtarja skandinave, që para pak kohe dha dorëheqjen si anëtare e Akademisë së Arteve të Suedisë, për shkak të skandalit të çmimit Nobel për letërsinë, është kandidate për çmimin e madh Booker Prize, të cilin urojmë ta fitojë. Së shpejti ajo do të vizitojë vendin tonë për t’u njohur edhe me lexuesin shqiptar. Libri ka ardhur në shqip nga Sokol Demaku, pedagog, publicist, shkrimtar dhe përkthyes. Demaku ka përkthyer shumë vepra nga suedishtja në shqip, si: Drita, Torgu Lindgren; Gjithë çka më kujtohet; Do të thërras vëllezërit e mi, Jonas Hassen Khemiri; A di të fërshëllesh, Johana?, Ulf Stark; Gjueti diamantesh, Mats Wänblad etj. Demaku është anëtar i kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Krijues Shqiptarë në Suedi, si dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë, që prej vitit 2012.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes:

<a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>