Blogu

Udhëtimi i mrekullueshëm i Poliksenës, Bianca Pitzorno, në shkollën “28 Nëntori”, në Laprakë. Të pranishëm Erion Kristo, përkthyes dhe Mariana Ymeri, botuese

Si t’i bëjmë fëmijët ta duan librin?
Shumë veta pyesin dhe shumë prindër shqetësohen për këtë… Është e paarritshme në kohën e teknologjisë? Jo, sigurisht që nuk është e paarritshme!
Një takim sot në shkollën “28 Nëntori”, në Laprakë, që na mbushi me emocione, ne dhe nxënësit, na bindi sërish për këtë. Shkuam për të prezantuar për nxënësit një libër të ri, që ka botuar DITURIA, pjesë e Projektit të Bashkimit Europian: “Histori fatesh njerëzore”.
Ishim pra aty, bashkë me Erion Kriston për të folur me nxënësit për librin “Udhëtimi i mrekullueshëm i Poliksenës”, shkruar nga Bianca Pitzorno, përkthyes i të cilit është Erioni, por jo vetëm për kaq.
Jemi vërtet pa fjalë nga energjia pozitive e fëmijëve, sidomos kur di t’ua gjesh celësat e zemrës dhe të shpirtit dhe kur u flet për libra të cilët vërtet “të rrisin”.
Ishte një “leksion” i bukur interaktiv i Erion Kristos për dashurinë për librin, për pasionet e fëmijëve, për cfarë lexojnë ata, për të ardhmen e tyre, cfarë do të bëhen dhe si do t’ia arrijnë…Folëm për Bianca Pitzornon, për Zhyl Vernin, për Harry Potterin, për Poliksenën dhe Priskën…madje edhe për Shopenhaurin e Plutarkun, për aq sa na duhej.
Në fund, në dalje, u ndeshëm me prindërit që prisnin fëmijët: vërtet emocionues falënderimi i tyre për orën e mrekullueshme që kishin kaluar bijtë me ne dhe me… librin.
Është një mësim për të gjithë, njerëzit e librave, por edhe për shkollën, mësuesit, dhe sidomos për drejtuesit e arsimit, që duhet t’u hapin dyert bisedave të tilla: takimi me librin dhe njerëzit e librit veç u hap mendjen dhe zemrën fëmijëve dhe ua kthen në një pasion librin!
Falemnderit drejtuesve të shkollës 28 Nëntori dhe vecanërisht mësueses së letërsisë, Klodiana Zani.
Sigurisht, falemnderit Erion Kristos, jo vetëm se është përkthyes i jashtëzakonshëm, por edhe sepse i do shumë fëmijët dhe di ta përcjellë këtë me fjalë të ngrohta dhe me peshë.
Dhe për t’iu kthyer pyetjes së parë: Fëmijët e duan librin dhe do ta duan më shumë kur u flet për të, kur i nxit të shkojnë në bibliotekë, kur i fut në librari, kur shohin mamin dhe babin që kanë një libër në dorë, kur u REKOMANDON librin interesant.
Dhe pastaj, le të zgjedhin vetë, pas librit që ju ka ardhur nga rekomandimi i një shoku, me ndonjë titull që ka brenda “qofte” apo “gangsterë”…, ata do të shijojnë kënaqësinë e leximit dhe herën tjetër do t’ju vënë veshin.
Për çdo pasion të fëmijëve, ka një libër dhe një raft me libra në librari. M.Y.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes:

<a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>