Blogu

Rezultatet e seminareve “Përvojat në përkthimin e letërsisë më të mirë europiane” dhe “Problemet e përkthimit në letërsinë ballkanike”



Në të dy seminaret pati diskutime dhe debate të forta, u theksua që vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i botimit të titujve nga letërsia europiane edhe falë përfshirjes në projektin Europa Krijuese të Bashkimit Europian, dhe në mjaft bashkëpunime të tjera të frytshme me institucione europiane, por edhe si rezultat edhe i politikave kulturore largpamëse të botuesve vendas. Në konferencë pati diskutime nga përkthyes të tjerë, nga gazetarë dhe lexues. Merrnin pjesë edhe shumë studentë të letërsisë dhe të gjuhëve të huaja nga Fakultetet përkatëse këtu në Tiranë. Konferenca pati jehonë në media televizive dhe në shtypin e shkruar.

Disa nga rezultatet e Seminarit:

 

 

·         Bashkëpunimi i botuesve me përkthyesit është kusht i rëndësishëm për sjelljen në shqip të veprave me vlerë nga letërsia e huaj;

 

 

·         Përzgjedhja e veprave të përkthyera që i ofrohet lexuesi shqiptar, në mënyrë të organizuar, pra me mbështetjen e shtetit (bibliotekat), duhet të kryhet nga specialistë të letërsisë me mbështetjen e drejtpërdrejtë të botuesve, për të shmangur përsëritjen e titujve të konsideruar “klasikë”, si edhe për ta qasur lexuesin me letërsinë më të mirë bashkëkohore.

 

 

·         Në këtë kuadër marrin vlerë edhe përkthimet nga gjuhët ballkanike dhe nga gjuhët me përhapje të vogël, por nga përkthyes të përzgjedhur dhe, kur nuk është e mundur, duke synuar edhe përkthimin nga gjuhë të ndërsjella, sipas rekomandimeve të botuesve të parë.

 

·         Është kthyer në domosdoshmëri ripërkthimi i disa kryeveprave të letërsisë, por gjithmonë si një ndërmarrje e përkthyesve të zot.

 

·         Përkthyes nuk konsiderohen ata që njohin një gjuhë të huaj, përkthyes janë ata që zotërojnë gjuhën e huaj së bashku me gjithë bagazhin kulturor a mentalitetin përkatës të folësve të asaj gjuhe, duke e përcjellë në shqipe me të njëjtin nivel, duke ruajtur origjinalitetin e autorit.

 

·         Në tregun kulturor ka shumë përkthime me nivel të mirë e shumë të mirë, siç ka edhe përkthime krejt naive dhe me gabime të shumta të nivelit kuptimor, morfologjik, sintaksor, stilistik etj.

 

Është detyrë dhe përgjegjësi e botuesve kontrolli i botimeve në këtë aspekt, duke e kaluar përkthimin në disa filtra: të redaktorit dhe korrektorit. Por
gjithashtu është përgjegjësi edhe e institucioneve përkatëse, që, në rastet e tenderëve publikë për librin, të mënjanojnë titujt e përkthyer keq dhe pa
kujdesjen e duhur e të merituar.