Blogu

sot.com.al: “Dituria” sjell romanin “Mysafirë me pagesë” të Sarah Waters, një vepër që nuk duhet humbur


“Mysafirë me pagesë” nga Sarah Waters, vjen në shqip për lexuesit nga shtëpia botuese “Dituria”. I vlerësuar nga kritika, romani është botuar edhe në vende të ndryshme të botës. “Mysafirë me pagesë”, një rrugëtim në të kaluarën, plot emocion, kthesa të befasishme dhe personazhe që mbesin në mendje. Romani botim nga “Dituria” është përkthyer nga Kujtim Ymeri. Londër. Është viti 1920. Lufta ka përfunduar, por pasojat vazhdojnë të ndihen në të gjithë vendin; njerëzit vajtojnë humbjen e bijve dhe bashkëshortëve të tyre e në të njëjtën kohë edhe humbjen e pafajësisë.

Romani “Mysafirë me pagesë” i Sarah Waters, shkrimtare mjaft e suksesshme londineze, është një tjetër tour de force i detajeve të sakta të asaj periudhe dhe pasioneve të fshehura. Si në çdo roman tjetër të Watersit, rrëfimi për kohën dhe mjedisin në të cilin vendosen ngjarjet është tejet besnik. Londra e romanit është një qytet në tranzicion të shpejtë e të vështirë: nuk është më Londra e epokës së xhazit, por diçka më e errët dhe më e ngrirë. Kostoja emocionale dhe fizike e luftës është e dukshme në çdo detaj. Dhe në këtë klimë të vështirë të pasluftës, e veja zonja Reji dhe vajza e saj Frensis, janë të detyruara të pranojnë në shtëpinë e tyre në jug të Londrës qiramarrës, ose siç quhen “mysafirë me pagesë”. Shpejt, Leonard dhe Lilien Barbëri, një çift i ri i klasës së “jakave të bardha”, zhvendosen aty duke e turbulluar pa kthim jetën e shtëpisë dhe të vetë banorëve. Rrëfimi merr befas një kthesë të çuditshme, teksa faqe pas faqeje dy banoret më të reja në moshë të shtëpisë arrijnë të njohin ndjenjat e tyre dhe të krijojnë një marrëdhënie të re, pasionante. Pastaj një vrasje dhe sërish një kthesë e fortë, që e drejton romanin nga një histori pasionante dashurie në një triller të sofistikuar. “Mysafirë me pagesë” nga Sara Waters, i përkthyer nga Kujtim Ymeri 600 faqe, kushton 1250 lekë.

Veçantia e romanit

Ajo çka e bën të veçantë këtë roman të Watersit, përveç origjinalitetit, është përshkrimi i një gruaje të ngërthyer në një martesë të mjerë dhe që dalëngadalë bën llogaritë me seksualitetin e saj të vërtetë. Sarah Waters gërmon çdo skenë, secilin veprim dhe bashkëveprim, deri në skutat më të thella, duke i lënë vend pa dyshim edhe imagjinatës. Ajo rrëfen për historinë, dashurinë dhe dëshirën themelore të njeriut për t’u parë jo për atë që duket, por për atë që është në të vërtetë. Kjo është në të njëjtën kohë një histori e dashurisë triumfuese, ku Frensisi shpëtohet në çastin e fundit dhe, pas gjithë atyre që ka kaluar, është vështirë të besohet.

Në fund të fundit, kush nuk do ta donte një fund si ky? Si në të gjitha romanet e saj, Waters e merr me vete lexuesin në një të shkuar të largët dhe shkëlqen në portretizimin me përpikëri të personazheve dhe situatave evokuese. Çdokush mbetet i mrekulluar nga gjuha e asaj epoke, nga mënyra se si trajtohen klasat (Rejët e sjellshëm aristokratë kundrejt Berbërve të thekur të klasës punëtore) dhe përshkrimi i ndryshimeve shoqërore, veçanërisht sa u takon grave. Një roman që të mbërthen, me personazhe që të mbesin gjatë në mendjen, dhe Sarah Waters është thjesht një shkrimtare e mrekullueshme, një yll i letërsisë bashkëkohore, që The Independent me të drejtë e ka cilësuar si “një nga rrëfimtaret më të mira që jetojnë sot”. Ajo zotëron një besim prej profesionisteje, si pothuajse asnjë tjetër, që e bën të mendojë hollë e të ketë në kontroll të plotë materien e saj. I zgjedhur si “libri më i mirë i vitit 2014” nga shumë gazeta e revista dhe kandidat për çmime të rëndësishme letrare, “Mysafirë me pagesë” është botuar në më tepër se njëzet vende të botës.

SHKRUAR NGA JULIA VRAPI

https://sot.com.al/kultura/dituria-sjell-romanin-mysafire-me-pagese-te-sarah-waters-nje-veper-qe-nu?fbclid=IwAR3p-5NTc2aVXCsbpdKLBPl4LQ4mWt6uyF10kVpNmB00c97p8CKgzfrloIY#.XjP2oImF2F8.facebook

Leave a Comment

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes:

<a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>