Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, sot, për librin “Labirinti i shpirtrave” dhe dëshirën për të lexuar… Sa i vështirë është procesi i përkthimit? Si u fute në botën e përkthimit letrar? Cilat janë planet e tua letrare të ardhshme? Ishin pyetjet që iu drejtuan përkthyeses së Labirintit të shpirtrave, Flavia Kabës, që në jetën e saj “civile” është një pedagoge e suksesshme dhe shumë e admiruar nga studentët e saj të spanjishtes. Flavia solli një përvojë të bukur por sidomos sugjestionuese për auditorin, duke folur për “kleçkat” e përkthimit, domosdoshmërinë e njohjes së dy gjuhëve, dhënëse dhe marrëse, negocimin e vazhdueshëm të përkthyesit ndaj dy gjuhëve, bagazhin kulturor dhe Vullnetin, në një kohë kur specialistët ndihen të zënë me punë deri në fyt! Urime Flavias për këtë përkthim të mrekullueshëm të një autori që bota letrare e konsideron shkrimtarin e dytë spanjoll më të lexuar, pas Servantesit!