Nga intervista e Zafonit ne Festivalin e Letërsisë, në Pordenonne
Pyetje: Çfarë marrëdhënieje keni me përkthyesit dhe përkthimet e librave tuaj? Dhe një kuriozitet: a keni një bibliotekë të veçantë ku mbani romanet tuaja të përkthyera?
Përgjigje: Po i përgjigjem pyetjes suaj, duke filluar nga fundi. Po, në shtëpinë time, në Kaliforni, kam një pjesë të tërë të bibliotekës kushtuar përkthimeve të librave të mi, të cilët janë të gjithë atje, të sistemuar me rregull, përfshirë ato në japonisht me hieroglifët e tyre të bukura të pakuptueshme. Por kam një problem të vogël: kam shkruar mjaft libra dhe secili është përkthyer në pesëdhjetë gjuhë, kështu që përkthimet po gllabërojnë librat e tjerë dhe tani jam në rrezik të më mbushin plot e përplot të gjithë shtëpinë!
E admiroj dhe e respektoj shumë punën e përkthyesve dhe mbaj lidhje të ngushta me shumë prej tyre, duke bashkëpunuar me dëshirë, sigurisht nëse përkthehen në gjuhë që unë i njoh. Unë kurrë nuk i detyroj në zgjedhjet e tyre dhe të gjithë më kontaktojnë kur preferojnë; disa m’i shkruajnë dyshimet sapo u lindin, ndërsa të tjerë i mbledhin dhe i dërgojnë të gjitha tok së bashku, në fund të dorës së parë të përkthimit. Sigurisht, kur njoh gjuhën, gjithçka është më e thjeshtë, por ndonjëherë ndodhin gjëra shumë të çuditshme. Për shembull, një ditë, përkthyesja ime koreane, më shkroi duke më kërkuar ndihmë për të zgjidhur një dyshim në përkthim. Kur lexova se cili ishte problemi, vura duart në kokë. “Nëse nuk e ka kuptuar atë fragment,” e pyeta veten, “çfarë dreqin ka përkthyer deri më tani?” Në fakt, kam shumë frikë të shkoj në Kore, megjithëse më kanë ftuar, sepse imagjinoj që kur të mbërrij në aeroport, do të më presë një dush me domate … pas atij përkthimi!
Sidoqoftë, kam një interes të fortë për gjuhët dhe përkthimet. Duke qenë dygjuhësh, d.m.th. duke folur nga lindja kastilianisht dhe katalanisht, unë i njoh mekanizmat e gjuhëve romane mjaft mirë dhe mund të jem i dobishëm për përkthyesit. Gjithashtu, pasi kam jetuar në Kaliforni për afro gjysmën e jetës sime, unë bashkëpunoj në mënyrë aktive në përkthimet e librave të mi në anglisht; në të vërtetë, për mua është pothuajse një rishkrim i librit, sikur i vë pikën përfundimisht.
Kurse gjuhët e tjera mbeten një mister thuajse i padepërtueshëm; Për shembull, holandishtja funksionon krejt ndryshe nga gjuhët romane dhe shpesh është e nevojshme të ndahen fjalitë dhe të rindërtohen nga e para, për të pasur kuptim. Por kjo punë me gjuhën më përfshin dhe më magjeps shumë: të përkthesh do të thotë të njohësh në thellësi mekanizmat e një gjuhe, t’i zbërthesh dhe mbërthesh sërish si në një arkitekturë komplekse.
Po, përkthimi për mua është ky: një matematikë e fjalës.
Perktheu A.Sh.