Atë natë e pashë

Drago Jančar
Përktheu Nikollë Berishaj
Kopertina Besim Tula
216 faqe
Çmimi 700 lekë

Atë natë e pashë është një histori që rrëfehet përmes këndvështrimit të pesë personazheve të ndryshme, të cilët flasin për veten dhe kohërat e trazuara në të cilat jetuan. Roman i fortë, i shkruar në një mënyrë befasuese dhe i rrjedhshëm, “me bukuri çarmatuese”, siç e kanë konsideruar, që trajton një temë që nuk është e lehtë, flet për një histori dashurie në kohë lufte, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në Slloveni. Në qendër është Veronika Zarniku, borgjeze nga Ljubljana, personazh interesant, hera herës i çuditshëm, që dashuron e dashurohet, që buzëqesh në mënyrë enigmatike dhe që jeton sikur pas dyerve të banesës së saj – kështjellë të mos vriteshin njerëz e të mos ndesheshin ushtri, sepse ajo “do thjesht të jetojë, të gëzojë” jetën. Por në një skenë tragjike, në vorbullën e një periudhe të trazuar në histori, të pushtimit fashist dhe nazist të territorit slloven, “thjesht” të jetosh është një iluzion. Gruaja zhduket në stuhinë e luftës civile, e akuzuar për kolaboracionizëm dhe e eliminuar nga partizanët.
Libri i D. Jančar është një nga veprat më të rafinuara të letërsisë moderne europiane, me një vështrim të vëmendshëm për historinë dhe aurën e misterit që karakterizon hijeshinë femërore. Një roman i vërtetë, si pak të tjerë.

Category:

Rreth autorit

Drago Jančar

Drago Jančar

Drago Jančari është tregimtar, dramaturg dhe eseist. Ai është një nga shkrimtarët sllovenë më të shquar dhe më të vlerësuar në Europë. Vepra e tij e gjerë letrare, teatrore dhe eseistike është përkthyer në më tepër se 20 gjuhë dhe është vlerësuar me çmime prestigjioze në vende të ndryshme. Mes shumë çmimeve që ai ka fituar, vlen të përmenden: Velika Prešernova nagrada - çmimi Prešeren i karrierës (1993), Çmimi Europian për prozën e shkurtër (1994) dhe Herder Preis për letërsinë (2003). Romani Atë natë e pashë, përkthyer në shqip nga Nikollë Berishaj, është vlerësuar me një sërë çmimesh të rëndësishme letrare, duke përfshirë prestigjiozin Prix du Meilleur livre étranger (2014), Çmimin Europian të Letërsisë (2011) dhe Çmimin Ndërkombëtar Ignazio Silone (2016).

Rreth përkthyesit

Nikollë Berishaj lindi më 1958, në qytetin e Tuzit, Mali i Zi. Bashkautor në Enciklopedija Slovenije (A-Ca), Lubjanë 1987. Pjesëmarrës në Seminarin Ndërkombëtar të Përkthimit të Letërsisë Sllovene, Novo Mesto, 17-22 gusht 2010. Fitues i çmimit Pretnar 2013, çmimi më i rëndësishëm në Slloveni për përkthime të letërsisë sllovene në gjuhë tjera, i barasvlershëm me titullin e nderit Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave. Autor i librit “Antologjia e poezisë bashkëkohore sllovene”, 2008 dhe i “Fjalorit sllovenisht-shqip dhe shqip-sllovenisht” 2002 dhe 2009. Përkthyes i dhjetëra titujve për fëmijë, të rinj e të rritur nga sllovenishtja: “Kebarie, vajza që lexonte bukur”, nga Janja Vidmar; “Miku im Piki Jakob”, shkruar nga Kajetan Kovič; “Gjarpri nën gurë”, nga Željko Kozinc; “Burek.si?”, nga Jernej Mlekuž; “Gjenitë pa brekë”; “Nekropoli Nekropola”, nga Boris Pahor; “Druri pa emër”, nga Drago Jančar; “Frika i ka sytë e hapur”, nga Milan Dekleva etj. Përkthime nga shqipja në sllovenisht i veprave të shkrimtarit Ismail Kadare: “Prilli i thyer”/Zlomljeni April, “Kush e solli Doruntinën?”/Kdo je pripeljal Doruntino. Përkthime nga gjuhët serbe, kroate, malaziase: Tuzi burim - Malësia qëllim; “Asgjë nuk është ashtu si duket se është”, Balša Brković; “Vetëm për ty”, Katarina Ulić etj.