Erotika
Jani Ricos
Përktheu: Eleana Zhako
124 faqe
800 lekë
Përmbledhja poetike e Janis Ricosit, me titullin “Erotika” që i prezantohet lexuesit, është kuintesenca e gjithë krijimtarisë së tij lirike-erotike. I shkruar në fillim të dhjetëvjeçarit të fundit të jetës së tij, ky vëllim, ndryshe nga vëllimet e tij të mëparshme poetike, shquhet për modernizmin e theksuar, për lakonizmin artistik, formën minimaliste, ku gjallon një numër i pafundmë figurash, simbolesh mitike e biblike dhe elementesh natyrore. “Erotika” ndahet në tri pjesë, të cilat që në titull përçojnë veçanësinë e stilit dhe përmbajtjes së tyre. Pjesa e parë që përbëhet nga 44 poezi të shkurtra, ka si titull “Suitë minore në të kuqe maxhore”; pjesa e dytë është një poemë strofash të shkurtra, me titullin “Trup lakuriq”; ndërsa pjesa e tretë, “Fjala mishtore”, i afrohet më tepër prozës poetike, dhe përfshin 12 shkrime poetike.
“Erotika” është e zhveshur nga miklimet poetike, ka spontanitetin e erotizmit të pastër, burimor. Poezitë e tij flasin për ngjizjen mishtore, për frikën e humbjes së të dashurës, për mrekullinë e aktit erotik, për botën parë me sytë e dashurisë. Përshkrimet e tij janë tejet të gjalla, tejet tunduese, tejet të prekshme dhe të pakapshme njëkohësisht. Lexuesi shqiptar do të njohë një Ricos të zhytur kokë e këmbë në dashuri, një Ricos panteist, në poezitë e të cilit shpirti erotik gjallon kudo, në fruta, në sende, objekte, peizazhe, pemë, zogj etj. Në një intervistë Ricosi shprehet që erotizmi i poezive të tij, është antidoti ndaj zvetënimit të pamëshirshëm, që sjell koha dhe rreshkja e trupit. Poezia e Ricosit është provokuese deri në asht. Ajo shenjon ndërthurjen e pazgjidhshme mes fjalës e trupit, e cila mishërohet mjeshtërisht, që në poezinë hyrëse.
Rreth përkthyesit
Eleana Zhako
Eleana është diplomuar për gjuhë shqipe dhe letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës; ka kryer fakultetin për Studime Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin Panteion të Shkencave Sociale e Politike të Athinës. Më pas është specializuar për të Drejtën e Mjedisit dhe Energjisë, në Universitetin Katolik të Leuvenit në Belgjikë. Ka punuar në Bruksel, për një periudhë, në institucionet e Bashkimit Europian, si asistente e eksperte në fushën e mjedisit dhe energjisë, diplomacisë dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë viteve të fundit është angazhuar kryesisht me projekte kulturore në Shqipëri dhe Greqi. Është në vitin e fundit të specializimit për Studime Teatri, në Universitetin e Hapur të Qipros. Aktualisht jeton në Bruksel. Autore e një sërë artikujsh kulturorë, tregimesh të shkurtra, esesh, Eleana Zhako është edhe përkthyese e autorëve të ndryshëm, shqiptarë e grekë. Përkthime nga shqipja në greqisht: Ndërhyrjet e Z. Shyti nga Ardian Vehbiu; Fluturimi mbi Teatrin Kombëtar të Kosovës nga Jeton Neziraj; Virgjëresha e Betuar nga Elvira Dones, Festivali Kulturor i Athinës. Nga greqishtja në shqip ka përkthyer veprën “Vdes siç vdes një vend” të Dimitris Dimitriadis, Zenit (2015), që u vu në skenën e Teatrit Kombëtar, Tiranë, në shtator 2017. Të tjera përkthime në proces: Ο ευαγγελισμός της Κασσάνδρας (Ungjillëzimi i Kasandrës) Ασκητική (Asketika) nga Niko Kazanxaqis Η λάσπη (Balta) nga Kristo Armando Gjezo Ka botuar përmbledhje poezish nga autorë grekë në revista letrare dhe elektronike.