Ishulli i Dështimit

 

Ina Vëllçanova

Përktheu Rajna Kovaçi

700 lekë

Ishulli i Dështimit ka në qendër dy gra që tregojnë historitë e veta. Megjithëse thuajse nuk e njohin njëra-tjetrën, mes tyre ekziston një lidhje magjike: njëra prej tyre është astrologe amatore dhe lexon në horoskopin e tjetrës për dështimin që i kanoset asaj. Secila nga gratë di vetëm historinë e vet dhe copëzat e rrëfimit: dy universe paralele, sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme, duhet të përshtaten në një të vetme nga lexuesi, si në një puzzle. Janë histori rreth grave, burrave, fëmijëve e maceve, si edhe një histori rreth ishullit të largët magjepsës, me sa duket ishulli kroat Krk në detin Adriatik, ku mund të ndodhë shkatërrimi apo dështimi i parashikuar nga yjet. Historitë janë rreth tokës e detit, yjeve e diellit, dhomave e shtëpive; por kryesisht rreth marrëdhënieve njerëzore, impulseve, frustrimeve, dëshirave e realitetit, dashurisë e tradhtive, rreth dëshirimit dhe pamundësisë për të çelur zemrën.
Romani spikat në sajë të shkrirjes së mprehtë të dy historive dhe dy personazheve femra në kërkim të identitetit të tyre, duke krijuar një simbol të ri ekzistencial. Duke depërtuar në qëndrimet e personazheve, syri vëzhgues, pena mjeshtërore e mendjehapur e autores futet thellë në rrethanat dhe mentalitetet në ndryshim e sipër në vendet e Europës Lindore të ditëve tona, duke na njohur në mënyrë mbresëlënëse me psikologjinë e kohës. Nëse dështimi i parashikuar do të prekë personazhet apo jo, këtë lexuesi e zbulon në faqen e fundit të paparashikuar të librit. Elementi befasues është që rrëfimi nuk tregon aspak historinë e një dështimi.

Category:

Rreth autorit

Ina Vëllçanova

Ina Vëllçanova

Ina Vëllçanova është gazetare, shkrimtare, producente e përkthyese. Diplomuar për filologji të gjuhës bullgare në Universitetin e Sofjes St. Kliment Ohridski, karrierën profesionale ia ka kushtuar artit të audio-dramës. Për një kohë të gjatë ka punuar në Departamentin e Dramës të Radios Kombëtare Bullgare. Produksionet e saj audio kanë fituar Croatian Grand Prix Marulic më 1998, Prix Europa në Berlin, më 1998, dhe çmime të tjera të rëndësishme në Sofje. Vëllçanova është tashmë shkrimtare e njohur, me tre romane të botuara. Romani i saj i parë, The Sinking of Sozopol, shërbeu si skenari i filmit me të njëjtin titull më 2013; më 2014 fitoi çmimin kombëtar Golden Rose për këtë skenar dhe më 2015, filmi fitoi çmimin The Best Foreign Film në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Nju Jork dhe çmimin Best Ensemble Cast në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Milano. Më 2016, mori çmimin Grand Prix në Festivalin e Pavarur të Filmit në Pragë.

Rreth përkthyesit

Rajna Kovaçi lindi në Sofje më 1963. Vjen nga një familje me nënë bullgare dhe baba shqiptar, por ka jetuar në Shqipëri. Shkollimin e ka kryer në Shqipëri. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë. Studimet e larta i përfundoi më 1985 për Gjuhë dhe letërsi angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Më 1993 u diplomua për Gjuhë, letërsi dhe kulturë bullgare në Universitetin Kombëtar të Sofjes. Në periudhën 1989-2004 punoi si përkthyese në revistën “Bota letrare”; më 1994-2004 këshilltare për marrëdhënie me jashtë, në Ministrinë e Ndërtimit dhe të Transportit; më 2004-2008 drejtore e Organizatës për Barazi gjinore dhe për Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve; më 2008-2010 sekretare e parë në Ambasadën e Shqipërisë në Sofje. Nga viti 2010 në drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në Radiotelevizionin Shqiptar. Skenariste e disa dokumentarëve me TV Top Channel, Radiotelevizionin Shqiptar, TV Vizion+ etj. Autore e librit “Diktatorët, burra të pangopur me gra”. Njohëse shumë e mirë e gjuhëve bullgare, angleze dhe italiane. Përkthyese e disa veprave. Përmendim: Shtamba e blertë (Зелената Стомна) nga Yordan Radichkov; Ëndrra e një tregtari (Сънят на продавача), Frika (Страх) nga Rumen Leonidov dhe Vazvishenie (Summit, EUPL - dorëshkrim) nga Milen Ruskov.