
SHKRUAR NGA JULIA VRAPI
17 TETOR 2020
Projekti “Udhëtim me mjeshtra të letërsisë europiane” do të sjellë në shqip dhjetë autorë të letërsisë bashkëkohore europiane. “Udhëtim me mjeshtra të letërsisë evropiane” është i pesti projekti i fituar nga shtëpia botuese “Dituria”, pjesë programit Europa Krijuese e Bashkimit Europian. Gjatë harkut kohor prej 15 muajsh, tetor 2020 deri në muajin dhjetor të vitit 2021, shtëpia botuese “Dituria” do të përkthejë, botojë dhe promovojë dhjetë vepra artistike për fëmijë, të rinj e të rritur (poezi, tregime, romane) zëra dinjitozë të letërsisë europiane. Në ambientet e librarisë “Friend’s Book House” shtëpia botuese “Dituria” organizoi konferencën e prezantimit të këtij projekti. Ndër të tjera gjatë këtij prezantimi, ku u tha se projekti europian i përkthimit letrar si pjesë e programit të Europës Krijuese që do të sjellë tek lexuesit në shqip autorët më të njohur të letërsisë bashkëkohore, u vu në dukje se dhe të rinjtë janë të interesuar për këtë lloj letërsie. Prej 1 tetorit të këtij viti shtëpia botuese “Dituria” ka nisur zbatimin e projektit europian të përkthimit letrar dhe “Udhëtim me mjeshtër të letërsisë europiane” është i pesti i fituar nga “Dituria”, pas tri projektesh të ngjashme përkthimi dhe një tjetër projekti bashkëpunimi ndërkombëtar. Në 15 muaj “Dituria” do të botojë 10 vepra, besuar përkthyesve më të mirë që ka sot për sot lëmi i përkthimit në Shqipëri. Vepra “Marrëzi, marrëzi, dashurie për ty” nga Alda Merini përkthyese është Ledia Dushi; “Ankthi para penalltisë” nga Peter Handke përkthyese Jonila Godole; “Ngadalësia” nga Milan Kundera përkthyese Mirela Kumbaro; “Poema” Janis Ricos përkthyes Romeo Çollaku; Olga prej letre 3. Misteriozja nga Elisabetta Gnone përkthyese Albana Nexhipi; “Katitzi” nga Katerina Taikon përkthyes Sokol Demaku; “Kopshti prej qelqi” nga Tatiana Tibuleac – EUPL Prize, përkthyese Marinela Sota; “Mutacioni” nga Francis Kirps- EUPL Prize, përkthyes Edvin Cami; “Pasqyra dhe drita” nga Hilary Mantel përkthyes Korab Hoxha dhe “Insekte të dashura dhe histori të tjera” Masa Kolanovic, EUPL Prize, përkthyes Xhelal Fejza.
Qëllimi i projektit
Një paketë veprash të shumëllojshme, nga autorë të mirënjohur e të vlerësuar me çmime të rëndësishme letrare (Kundera, Mantel, Handke, Ritsos, Merini etj), si dhe nga zëra të rinj të talentuar fitues të çmimit EUPL (Tibuleac, Kolanovic, Kirps). Në materialin shpjegues, thuhet se qëllimi i këtij projekti është qasja e lexuesit shqiptar me vepra letrare me cilësi të lartë nga 10 autorë europianë, që përfaqësojnë vende, gjuhë dhe kultura të ndryshme, por që i lidh një fije e përbashkët: historia për jetën dhe shfaqjet e saj të shumta (kujtime, sensualitet, dashuri, vuajtje, identiteti marrëdhënie familjare). “Këta libra shpërfaqin forcën e jashtëzakonshme të fuqisë imagjinare të mjeshtërve letrarë europianë, si dhe rëndësinë e ndarjes së ideve e perspektivave të reja, të ndryshme, të panjohura. Ata e futin lexuesin në një botë më të madhe dhe pasqyrojnë, në një kuptim më të gjerë, pjesë të historisë së jetës të secilit prej nesh, pavarësisht nga koha dhe vendi”, thuhet mes të tjerave për këtë projekt me rëndësi. Duke promovuar këta tituj, “Dituria” synon të nxitë kënaqësinë e leximit dhe shumëllojshmërinë e shprehjes kulturore te të rinjtë e të rriturit, duke inkurajuar kështu edhe qarkullimin ndërkombëtar të veprave letrare me cilësi të lartë dhe promovuar idenë e një identiteti të përbashkët kulturor.