Dëshira e fundit e tezes ishte që një ditë pasi të varrosej ta thërrisnim tri herë në celularin që do ta groposnim së bashku me të. Në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje, kështu shkruante me dorëshkrimin e saj si prej fantazme që na priti, së bashku me sendet e saj personale në azilin e pleqve në Pilè. Më shumë se nga vdekja, ajo frikësohej se mos e varrosnin të gjallë dhe kjo frikë i ishte bërë fiksim vitet e fundit qëkur mbeti uloke. Para njëqind vjetësh një kushërirë e saj e largët, kishte pas qenë gjoja varrosur e gjallë në Boninovë, menjëherë pasi trualli ku kishte qenë bordeli i atjeshëm ishte shndërruar në varrezë. E gjetën kur hapën varrin e saj për t’i bërë vend një të vdekuri tjetër. Në arkivol gjetën rroba të shqyera dhe kocka të thyera të këmbëve dhe të duarve gjë që u interpretua sikur ishte një përpjekje e pasuksesshme e saj për t’u çliruar nga vdekja dhe burgosja e tmerrshme. Megjithëse ekzistonte edhe një teori tjetër, se të ndjerën ishte përpjekur ta nxirrte, me shumë mundime, punonjësi i varrezave në kërkim të arturinave me të cilat varroseshin atëbotë pjesëtarët e familjeve aristokrate të kohës. Ky i shkretë na paskësh dashur dëshpërimisht të shpëtonte familjen e tij të varfër nga uria. Një kushëriri ynë ka pas shkruar në vitet shtatëdhjetë një fejton në gazetën Vjesnik në lidhje me këtë ngjarje. Gjendja vegjetative në azil, e lënë në mëshirën e mendimeve të saj ogurzeza, i kishin hapur mjaft rrugë fantazisë së tezes për të ecur në këtë drejtim. Vëllai edhe unë qëndruam në Dubrovnik edhe një ditë të tërë pas varrimit në mënyrë që të përmbushnim dëshirën e saj të fundit. Asnjë pjesëtar i familjes tonë të gjerë që vazhdonte të jetonte në Dubrovnik, nuk deshi të merrej me këtë punë prej të luajturi. Për hir të së vërtetës edhe im vëlla kundërshtoi, por arrita ta bind në njëfarë mënyre që të qëndronim dhe të përmbushnim kësisoj këtë dëshirë të fundit të tezes, sado e kotë që të ishte. Tezja nuk kishte fëmijë të saj, sepse nuk ishte martuar kurrë, ndërsa kushërinjtë e tjerë ishin nga ai soji i njerëzve të ftohtë nga të cilët as pret dhe as kërkon asgjë dhe vazhdon të mbash distancë edhe në jetën e përtejvarrit. Nëna jonë ishte e pafuqishme për të ardhur në varrimin e së motrës. Për më shumë, Dubrovniku dukej nga Zagrebi sikur të ishte në fund të botës, diku atje larg në rrethrrotullimin e Jarçevës. Në vitet e fundit, vëllai dhe unë ishim të vetmit nga pjesa “veriore” e familjes të cilët, një herë në vit e nganjëherë edhe më rrallë se kaq, vinim për të vizituar tezen. Një vit në sistemin e referimit të veriorëve kalonte shumë shpejt, ndërkohë që tezja jonë këtë vit ishte e përqendruar në rrënimin e saj që kryhej ngadalë, në mënyrë të pakthyeshme dhe të papërballueshme. Nga patericat, nëpërmjet karrocës me rrota deri te qëndrimi shtrirë pa lëvizur. Këto ishin stadet e dorëzimit të saj të ngadaltë, në fillim me gjurin e thyer, pastaj me hemorragjinë cerebrale, e në fund me thyerjen e kockës së femurit që e ankoroi përfundimisht në shtrat. Që me aksidentin e parë, i cili në krahasim me ata që do të vinin dukej fare pa rëndësi, ajo nënshkroi kapitullimin pa kushte dhe e la veten në rënie të lirë në humnerë e cila një ditë përfundoi. Herën e fundit që e vizituam teksa ishte ende gjallë, para diçka më pak se një viti, qëndronte e palëvizur në krevat, e tharë, e ngurosur, ndoshta edhe e droguar prej ilaçeve që personeli i azilit ia injektonin në vena pleqve për të mos bezdisur të tjerët duke thirrur ndihmë. Protezat e dhëmbëve nuk e vinte më në gojë, e për pasojë buzët i ishin hyrë në brendësi të fytyrës së zhubravitur që dukej si fik i tharë. Humbiste në peshë në mënyrë konstante. Hante si zog, vetëm sa për t’u mbajtur në jetë, sa nga pafuqia, sa nga dëshpërimi, e sa nga ilaçet që shuanin te ajo çdo shkëndijë jete. Këmbët e saj të holla të mbështjella me pelena me muskujt e atrofizuar dhe lëkurën e zhubrosur të shtrira në dyshek, dukeshin si krahë zogu të shpupluar. Mezi e kuptonim se çfarë fliste megjithëse ajo nuk fliste ndonjë gjë të tepërt. Ndërsa sytë, ishin të vetmet që ndiznin pa ndërprerje atë shkëndijën e fundit, duke lëshuar një trishtim të papërballueshëm që humbiste në horizont diku mbi kokat tona. Nganjëherë më ndodhte që në përballje me këtë shikim të shkrehesha në vaj. Ndoshta nuk ishte vaj për atë. Ishim larg, ne në Veri ajo në Jug, ishim mësuar me kohë të jetonim njëri pa tjetrin. Ishte vaj për atë që po ndodhte, por edhe për atë që do të na ndodhte neve, të pafuqishmëve dhe të brishtëve, me afat kohëzgjatjeje paksa më të madh sesa jeta mesatare e brumbujve. Në ato momente ajo zgjaste drejt meje me dëshpërim duart e saj të thara dhe tërë kocka me thonj të paprerë. Kjo lëvizje gjithmonë më frikësonte dhe më shqetësonte. Më kujtonte faktin sesi mbeteshim tërësisht të vetmuar në lëvozhgat tona. Në takimet tona të fundit teksa ajo ishte ende në këmbë, në shtëpinë e saj, me trupin e saj dhe me shpirtin e saj të njohur, vazhdimisht ankohej për qytetin. Këtë fjalën e fundit ajo e shqiptonte qitet. Nuk ka më asnjë dyqan normal në qitet. Nuk kam ku të ndreq orën e dorës në qitet. Sheshet e qitetit janë shndërruar në dyqane suveniresh. Nuk mund të gjesh askund një ëmbëlsirë që t’ia vlejë. Vetëm arançata. Limonada, biskota mbështjella me celofan, sikur ne në qitet jetuakemi vetëm me ato. Nuk kam ku të blej lule për të dërguar në varreza. Nuk kam ku të shkurtoj kapotën, as të ngushtoj mesin. Në qitet na vinë kruzerë më të mëdhenj se vetë qiteti. Më duhet të shkoj në Gruzh për të gjetur ushqim për macet. Ushqente një çetë të tërë macesh. I vinin poshtë ballkonit të saj që shihte nga ana e kishës ortodokse. Ishte një parajsë e vërtetë. Ankohej për zhurmën që vazhdonte deri në orën pesë të mëngjesit. Edhe për rrëmujën e tmerrshme gjatë verës. Nuk e merrnin shumë seriozisht këtë ankim të saj. E konsideronin pjesë të veçantisë së saj dhe pjesë të folklorit të përkëdhelur dubrovnikas. Megjithëse, para më shumë se pesë vitesh, kishim shëtitur së bashku me të nëpër shëtitoren kryesore të quajtur Stradun, ku shumë rrallë i takonte që të shihte të njohurit e saj. Po zhdukeshin dalëngadalë. Kur ndodhte që takoheshin, ankoheshin për atë që ishte shndërruar qiteti. Dhe se si duhej ikur nga qiteti. Fjala qitet dëgjohej gjithnjë e më rrallë nëpër rrugë.E varrosëm në varrezën familjare në Boninovë. U mblodhën disa miq, pak përfaqësues të institucionit ku kishte punuar kur ishte gjallë dhe disa kushërinj. Celulari u gropos së bashku me të, ashtu siç desh. Para kësaj e mbushëm me kredite dhe ngarkuam baterinë. Dielli lart në qiell. Dukej sikur gropa e zbrazët kullufiste shkretëtirën e zbrazët në largësi. Ishte mëngjes. Një ditë pas varrimit. Vëllai dhe unë qëndronim në shtëpinë e saj në qytet. Kishim kaluar një natë pa gjumë në të cilën lumenj njerëzish kalonin nëpër gjendjen tonë gjysmë të përgjumur. Qëndronim në shtëpinë e cila ndërkohë e kishte harruar tezen. Nuk kishte banuar në të që prej një kohë të gjatë. Kishin pas banuar këtu miqtë e miqve të saj, dhe për pasojë gjërat e saj i kishin mënjanuar pa e vrarë mendjen nëpër rafte, në kuti dhe në qese plastike. Ato, unë dhe im vëlla do të duhet t’i dërgojmë ndokund për t’i evakuuar, ndoshta përsëri në azilin e pleqve ose në Karitas. Në kredencat e kuzhinës ka disa qese me çaj indian. Pluhuri kishte zënë vend në të gjithë këndet e banesës. Rrjetat e merimangave ishin grumbulluar nëpër anijet dhe varkat në miniaturë që ajo i kishte ndërtuar aq bukur sa ishte gjallë dhe e fortë. Biblioteka shtrinte më kot krahët saj për ta përqafuar atë. Në vend të saj erdhën vetëm disa sende që i sollëm nga azili i pleqve. Çanta e dorës mbushur me dokumente, pizhamet, manteli i shtëpisë, dy libra me kapakë të zbukuruar me autorë emrat e të cilëve nuk i kisha dëgjuar dhe të cilët ndoshta i kishte dhuratë nga ndokush, disa numra të revistës “Gloria” dhe një rezistencë për ngrohje. I lëshuam në dysheme para kolltukut duke i bërë të dukeshin akoma më shumë trishtuese. Gjithsesi kjo nuk ishte më banesa e saj. Që në fillim të viteve nëntëdhjetë ia kishte lëshuar një kushëriri të pasur nga Amerika e Jugut në mënyrë që ai të merrej me blerjen e saj nga shteti. Ai tani jetonte diku poshtë rrethrrotullimit të Jarçevës. Ia kishte dhënë praktikisht badihava para se çmimet e banesave në qytet të fillonin e të ngriheshin çmendurisht. Pas kësaj vlera e banesës kërceu me 1000 për qind më shtrenjtë. Kësisoj, kapitali i kushëririt të pasur nga Amerika e Jugut u rrit pak më shumë, ndërsa ajo mbeti e sigurt me banim deri sa të vdiste. Shpejt dhoma, kuzhina, banja dhe ballkoni i saj do të shndërroheshin në apartament për turistët.Duhej të shkonim te varreza dhe ta thërrisnim në celular. Tri herë gjatë ditës së sotme. Vëllai ishte nervoz sepse i duhej të kryente një program kompjuterik për një firmë dhe t’ia dërgonte urgjentisht po asaj firme me seli diku në anën tjetër të botës. Madje duhej ta kishte bërë që dje. Atij i dukej absurde ideja për ta thirrur. Më tha se do ta kishim më komode të niseshim për Zagreb dhe të thërrisnim diku gjatë autostradës, nëse vërtetë duhej ta thërrisnim. Të varrosesh për së gjalli në shekullin 21, shekulli i diagnozave precize, ishte gjë e pamundur nga ana shkencore. Por ajo kështu desh, i thashë. Nga ana tjetër, edhe sikur të ndodhë, gjë që është krejtësisht e pamundur, që ajo të ishte varrosur e gjallë, nuk do ta ketë kaq lehtë të përgjigjet në celular, sepse nuk do të ketë mjaftueshëm hapësirë manovrimi në arkivolin e ngushtë, ndoshta vetëm do të thërrasë për ndihmë, do të trokasë apo gërvishtë dërrasën e arkivolit që ta dëgjonim, e di edhe vetë si fliste me zë aq të ulët, vazhdoja unë në mbrojtje të dëshirës së saj, duke u përpjekur të paraqes hollësira teknike në mënyrë që ta bëja disi të justifikueshme kërkesën time. Vëllai ngriti sytë lart dhe doli jashtë në kërkim të valëve të internetit. Më mbeti mua detyrimi të përmbushja dëshirën e fundit të tezes. Kishte momente kur kjo gjë edhe mua vetë më dukej jashtë çdo arsyetimi. Si puna me atë tregimin e Edgar Alen Poes. Po sikur vërtetë të ekzistonte qoftë edhe shansi më i vogël që ajo të ishte varrosur për së gjalli si puna e asaj kushërirës së saj që kishte jetuar në shekullin 19, pranë së cilës qëndronte shtrirë tani. Dola jashtë. Vapa nuk kishte filluar akoma. U ula në kafenenë e afërt në sheshin Gunduliç. Celulari im qëndronte i heshtur nën hije. Sipërfaqja e tij e zezë pasqyronte qiellin. Mes përmes ekranit të fikur fluturoi një pëllumb. E pashë se si kaloi diagonal nëpër ekran, e pastaj u ngrit lart në qiell. Mora aparatin në dorë dhe e ndeza, ndërsa ai vetë, si i mençur që është, u lidh me Way-fi. Sa hap e mbyll sytë ai hyri në zemrën e qytetit dhe më nxori të dhënat mbi gjërat e afërta që paraqisnin interes. Visitors can take a walk along the city walls that surrounds Old City. The walk take a couple of hours and offers stunning views od the Dalmatian Coast and dhe bird’s eye view of the city. Lovrijanac Fortress is one of the sighs that can be seen from the wall, its an impressive structure built on an outcroping rock. It is located outside the Western wall of the Old Town and was featured in Game of Trones .Largova shikimin nga ekrani për në qytetin real. Një plakë e përkulur nën një kënd të drejtë zhyste shkopin nga njëri kosh plehrash të tjetri në kërkim të shisheve plastike. Nëpër tokë ishin shpërndarë thërrime buke dhe fije makaronash. Pëllumbat u zhvendosën nga njëra fasadë në tjetrën. U dëgjua përplasja e krahëve të tyre e përzier me zhurmën karakteristike të qytetit herët në mëngjes. Për shkak të thërrimeve të bukës, kjo pjesë e qytetit ishte Eldorado për ta, gjë që e dëshmonin glasat e tyre të përhapura gjithandej. Madje disa glasë të freskëta ishin edhe mbi monumentin e Gunduliçit. Kontejnerët ishin plot e përplot me shishe plastike të hedhura një natë më parë. Vërtet, në tregun e sheshit kishte shumë më pak banakë ku shiteshin zarzavate dhe fruta të freskëta. Mbizotëronin banakët ku shiteshin suvenire. Nga banaku i afërt ngjyrë vjollcë më vinte valë-valë, në varësi nga grumbulli i njerëzve që kalonin para tij, aroma e livandës. Një zonjë plakë po i shpjegonte një të huaji sesi të përdorte vajin që përmbante një shishe e vogël. I tregonte me duar lëvizjet për masazhin e kokës në raste të dhimbjeve të kokës. Tezja kishte të drejtë. Duhej të filloja ta thërrisja në celular se mos rastësisht ishte ende gjallë. Megjithëse edhe vetë e pranoja vetëm teorikisht këtë mundësi, e shtyrë më shumë nga rasti i atij kushëririt. Lashë 50 kuna mbi tryezë për kafen dhe ujin. Lashë prapa qytetin dhe u ngjita në shtegun e ngushtë me pllaka në drejtim të varrezës. Njerëzit të cilët gjatë ditës do të hyjnë këtu turma-turma, duke ardhur nga qyteti, nuk ishin zgjuar ende plotësisht. Ngjitem përpjetë. Kalova azilin e pleqve ku ende qëndronte i ngjitur lajmërimi për vdekjen e tezes. Macet qëndronin të strukura afër një koshi plehrash. Nga pjesa perëndimore më përcjellin mure të larta, horizonti dhe një fushë e shkretë ku vende-vende kishte ndonjë lule agava. Boninovo si vend i përshtatshëm për t’u vetëvrarë njihet që në fillim të shekullit 20. Edhe fisnikët dubrovnikas vinin këtu për t’i dhënë fund jetës. Gjithsesi rasti më i njohur i vetëvrasjes është ai i muzikantit Lluka Sorkoçeviç i cili, në momente depresioni, më datë 11 shtator 1879 vendosi t’i japë fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit të tij. Hyj në varrezë. Guralecët e vegjël të shpërndarë gjithandej nëpër pllakat e gurit kërcasin nën këmbët e mia. Qëndroj para varrit familjar në të cilin është varrosur tezja dhe nxjerr celularin nga çanta. Fotografia e saj në pllakën e varrit. Fotot e tjera janë ronitur prej kohësh. Në atë fotografi ajo është ende e re. Celulari duke ardhur rrugës për këtu kishte përcaktuar vendin ku ndodhem. Së paku afërsisht. Më kërkon recensionin për Guesthouse Boninovo. Arrita të dal nga grumbulli i përditësimeve që më kërkonte celulari ndërsa kërkoja numrin e saj. Tezja. Thirrje. Tingëllin. Në celularin tim dëgjohet tingulli i vendosjes së thirrjes, ndërsa nga brenda varrit dëgjohet shumë lehtë një tingull i celularit të tezes i markës Samsung klasik. Muzika Over the horizon. Për fat të mirë, afër meje nuk ka asnjeri që mund të dëshmojë për këtë që po bëj. Së paku, asnjë të gjallë. Melodia u përsërit disa herë dhe pushoi. Abonenti nuk përgjigjet. Largohem. Dëshira e parë u përmbush. Vapa prej ferri ende nuk ka nisur të sulmojë trupat tanë dhe të thithë prej tyre lëngun jetësor. Duhet mbijetuar edhe këtë ditë dhe duhet përmbushur gjithçka ashtu siç duhet. Për të mos mbetur llogari të pashlyera me të vdekurit. Në Pilè ka filluar tashmë rrëmuja. Menjëherë mbulohem nga fletë palosjet me përmbajtje turistike. Shëtitje Game of Trones, shëtitije me kajakë, private tours, Konavle Valley and Sokoltown tours, fish, drinks and folk music, një turmë e tërë njerëzish dëshiron të hyjë në një lëvozhgë arre. Duuu-brrrovnik! Duuu-brrrrovnik! Bëjnë foto, selfi, regjistrime të shkurtra të pamjeve panoramike të detit marrë nga rrethimi me mure. Përgjatë mesit të urës në Pilè është shtrirë një litar. Hyj në qytet nga ana e djathtë. Nga ana e majtë njerëzit dalin jashtë. Para meje flamuri i bankës OTP dhe i Lojërave Verore të Dubrovnikut. Me hapa të ngadaltë hyjmë në qytet të gjithë së bashku si pjesë e këtij lumi të madh njerëzish. Para çezmës së Onofrit një lahutar këndon disa këngë popullore tragjike. Qyteti shkrihet nën hapat e njerëzve. Si akulli i ajsbergëve nën pinguinët.Filloi koha e drekës. Nëpër Stadun, pronarët e restoranteve ftojnë vizitorët për të hyrë në lokalet e tyre. Gjithçka është plot bare-koktej, irish pube, kafene vjeneze, kafeteri italiane. Një njeri më merr përdore dhe më tërheq për nga lokali i tij. Qëndroj e pafuqishme dhe e hutuar. Më kapi prej të dyja duarve dhe filloi të kërcejë me mua tango ndërsa në vesh më pëshpëriste menynë e ditës në anglisht. I them se jam e jona, e ai më fton, me theksin e sllavonëve, dhe më premton ulje çmimi për vendasit. Ulem në tryezë e vetme dhe porosis nga menyja në anglisht. Vështroj sesi ai vazhdon të gjuajë njerëz i bërë qull në djersë. Nën sqetulla i zgjerohen dy njolla të mëdha. Përgjatë rrugës ka një sërë kësi ndërmjetësish që ftojnë secilin për te lokali i tyre. Secili përpiqet të jetë më depërtues sesa ai tjetri, të bëjë një figurë më të mirë në krahasim me rivalin përbri. Para meje mbiu një pjatë me makarona ngjyrë portokalli me katër midhje anash në sarkofagë të zinj. Pagova llogarinë me ulje dhe u largova më tej. Pllakat prej guri reflektojnë nxehtësinë dhe dritën. Në mure ka me mijëra njerëz që duan të ngjiten. Janë të përgatitur. Kanë kapele, ujë dhe shkopinj zgjatues për të bërë selfi. Vëllai nuk përgjigjet në celular. Gjithmonë është i tillë. Te ai gjithçka është hiperracionale. Mendje programuesi pa Edgar Alen Poen. Nuk çuditem që nuk më përgjigjet tani dhe e kuptoj se është i zemëruar me mua që këmbëngula ta thërrasim tezen ashtu siç kishte lënë amanet ajo. Fshihem nga dielli. Kërkoj ndonjë vend të freskët. Më shkon mendja te të çarat e mureve në afërsi të detit. E di se diku aty mund të jetë Buzha. Kaloj nëpërmjet të çarës pas katedrales nëpër të cilën kalojnë edhe njerëz të tjerë. E lëshoj veten të lëviz me hapin e të tjerëve që e dinë se ku shkojnë. Kanë guidë turistike dhe smartfonë. Kam akoma kohë të pi një kafe para vajtjes tjetër në varreza. Në Buzha, kamerieri djersin mes trupave dhe kostumeve të banjës. Nuk ka tryezë të zbrazët. Ulem në një pjesë të betonit mes mureve në të cilin shkruhet me ngjyrë të kuqe të yndyrshme “private”. Do të bëj si budallaqe dhe do të qëndroj këtu derisa dikush të më thotë të largohem. Vështroj drejt detit. Ata që lundrojnë me varka të vogla janë këmbëngulës, i afrohen Llokrumit sikur duan ta rrethojnë. Celulari im vibron me tingullin e përditësimit të të dhënave. Ai përherë di më shumë dhe është më i mençur se unë. A funny litle island just a 15 minute boat ride from the old port in Dubrovnik. Georgeous scenery and beaches! Tucked away in a quiet corner od the monastery is the Iron Throne! You can sit on it and have pictures with a nice little Game of Thrones exhibition to see all about the filming and you can locate scenes on the island. There’s also restaurant and a cafe. Would recommended for a visit and the Iron Throne is much better than the very poor replica you can site on for a fee in a shop in Dubrovnik . Me del para syve recensioni për lokalin Buzha. Everything is terribly overpriced and the service lackadaisical at best . Edhe unë mund të lë një recension nëse dëshiroj, por, e fryrë nga makaronat dhe katër midhjet e mëdha, qëndroj pa lëvizur nën hijen e fletëve të zbehta të palmave që më shërbejnë si mbrojtje nga dielli. Trupa lakuriq të lyer me vajra aromatikë plazhi hidhen nga muret direkt në det. Të thërrasësh tezen në varr, çfarë çmendurie. Im vëlla kishte të drejtë. Mund ta thërrisnim edhe po të ishim nisur më herët për në Zagreb. Më erdhi në majë të hundës. E thërras. Nuk përgjigjet. Ndjej se po fillojnë të më rrjedhin hundët. Çaj nëpër morinë e njerëzve. Piklat e sekrecioneve të hundës kërkojnë rrugën e tyre sikur jashtë të ishte dimër. Kërkoj ndonjë kioskë ku mund të blej shami dore prej letre. Lëshohem teposhtë nëpër rrugicat anësore drejt Stradunit. Pikla ngadalë më rrëshqet teposhtë. Duke u sorollatur nëpër rrugica në kërkim të shamive prej letre ndesha tre dyqane që shisnin ëmbëlsira me forma të çuditshme. Në dyqanet e suvenireve nuk shesin shami dore prej letre. Vetëm fletore Game of the Trones, bluza të stampuara dhe figurina. Hunda më rrjedh pa pushim. Ndesh në një njeri veshur me kostum pirati rumun i cili mban disa papagaj të llojit ara si atraksion. Njëri prej tyre i verdhë me shirita të zinj më sheh me vëmendje dhe lëviz majtas-djathtas me nervozizëm nëpër shkopin që mban në dorë ai pirati dhe lëviz kokën mënjanë sikur po më vlerëson. Duket sikur po qeshet me qurrat e mia që kanë filluar të depërtojnë në gojë duke më lënë një shije të kripur. Më në fund i fshij me dorë dhe pëllëmbët e mia praktikisht fillojnë të zbukurohen me njolla të ndritshme. Kishte të drejtë tezja. Nuk ke ku të blesh një shami prej letre. Qyteti është pjekur. Dal në kolonën e djathtë dhe kësaj here synoj të marr autobusin deri te varreza. Para dyerve të autobusit rrëmujë, janë grumbulluar shumë njerëz. Shoferi kontrollon biletën për çdo udhëtar. Autobusi është plot e përplot. Në ndenjëset e përparme qëndron një burrë me kapele kashte në kokë. Është gjithë muskuj, i nxirë nga dielli dhe duket i fortë. Zgjat këmbët dhe i vendos te ndenjësja para tij. Pranë tij, në këmbë qëndron një grua plakë me shkop në dorë. Desh të ulej. Ai nuk lëviz dhe e thekson këtë si me krenari. Thotë se nuk ka ndërmend të ngrihet për të. Flet me zë të lartë se ai e ka paguar biletën e tij në ndryshim nga ajo që është pensioniste dhe udhëton pa biletë. Ai është taksapagues dhe kjo është e drejta e tij. Ajo i thotë të mos i drejtohet me “ti”. Ai i përgjigjet se ajo është për të askushi dhe asgjëja. Dal nga autobusi dhe vazhdoj më këmbë. Shkoj te të vdekurit. Hyj në varreza ku sapo ka përfunduar një varrim. Njerëzit ndahen dalëngadalë ndërsa një varr diku në largësi është i mbushur me kurora. Karvani i njerëzve duket i qetë dhe si i pajtuar me vdekjen e atij që sapo kishin varrosur. Pastaj nxjerr telefonin nga çanta dhe thërras tezen. Abonenti është i zënë. Vështroj e çuditur aparatin e celularit. Mos ndoshta në hutim e sipër kam thirrur ndokënd tjetër. Jo, kam thirrur pikërisht tezen. Pas pak më thërret vëllai. Edhe ai është i çuditur që telefoni i tezes del i zënë. Sapo e ka thirrur edhe ai vetë. E paskemi thirrur të dy në të njëjtën kohë. E ngacmoj duke i thënë se gjithsesi nuk është aq racional sa ç’shitet. Mbyll telefonin. Unë përsëris procedurën. Askush nuk përgjigjet. Vetëm muzika Over the Horizon.Dal jashtë varrezës dhe kësaj here thërras shërbimin Uber. Vjen të më marrë një vajzë e re nga Osijeku e cila vjen në Dubrovnik çdo fundjavë dhe punon si shofere taksie. Diçka fiton, gjithsesi në shtëpi në këtë kohë është shumë e mërzitshme të qëndrosh. Punon si llogaritare. Fiton mjaft mirë gjatë fundjavave. Nganjëherë edhe merr pjesë në festa të këndshme. Duhej të shkoja për të marrë gjërat e mia dhe të mbyllja banesën e tezes. Pas thirrjes së fundit, im vëlla dhe unë ishim marrë vesh të ktheheshim në Zagrebin e zbrazët dhe me beton. Depërtoj nëpër qytet i cili vlon nga njerëzit dhe nxehtësia. Hyj në banesë. Qëndroj para bibliotekës. Marr Rrëfim mbi qytetin të Nada Skatolinit dhe Qyteti në pasqyrë të Mirko Kovaçit. Ai kushëriri i pasur as që do ta marrë vesh nëse unë i marr dy libra nga sirtarët. Kush e di çfarë do të bëjë me to. Ndoshta unë, duke i marrë, i shpëtova. Marr çantën time të shpinës dhe nxjerr gjërat e tezes që i kishim sjellë nga azili dhe i lë në një qoshe në dysheme. Ai kushëriri nga Amerika le të merret me to, le t’i dërgojë në Karitas ose t’ua ndajë vetë personalisht të varfërve, le ta fshijë vetë pluhurin nga maketet e anijeve, le të bëjë së paku diçka të dobishme për kapitalin e tij të fituar me aq lehtësi. Dal nga banesa dhe çaj nëpër rrugicat e ngushta mbi të cilat janë ndenjur çarçafë, peshqirë dhe kostume banje. Asnjë rrobë apo veshje të brendshme. As edhe një saksi me lule. Të gjithë të zënë me punë duke fshirë e pastruar sepse turistët e vjetër largohen dhe pritet të vijnë të rinjtë. Dhënia me qira e banesave është një punë me mjaft fitim. Kapitali grumbullohet. Kush ka qenë largpamës ka përfituar. Kush mund ta mendonte se ky qytet i thyer në mes mund të bëhej destinacion hit turistik. Vetëm largpamësit. Duuu-brrrrovnik! Bulevardi i të lavdishmëve, pikë ankorimi i kruzerëve, skenë për Game of Thrones. Duuu-brrrrovnik! Yes! Vështroj përreth vetes me synimin për të parë ndonjë fytyrë të njohur nga komshinjtë e tezes duke u përshëndetur kështu me qytetin e saj. Ndesh vetëm postierin që hedh postën në banesën përbri. Nuk e njoh, por e pyes për të njohurit në qytet. As Jellica, as Kata, as Anica, as Antuni dhe Niko nuk jetojnë më në qitet. Ia kishin filluar njëri pas tjetrit të thyenin femurët dhe të largoheshin nga muret me barelë. Ishin bërë brumbuj, qytetarë me femurë të thyer. Kishin thyer kërdhokullat sikur t’i kishin prej degësh të thara dhe i kishin dorëzuar çelësat te rojat me kostume në Pilè. Njeri të gjallë nuk ka më në qitet. Çetat e njerëzve njëpërdorimësh kontribuonin në rritjen e ekonomisë së tij. Secilit prej këtyre ardhacakëve duhej t’i gdhendej emri në pllakat në Stradun. T’u gdhendej me germa të vogla si në bulevardin e të lavdishmëve. Ata janë e ardhmja e tij. Dhe jo ata brumbujt. Ata duhen evakuuar nga qyteti sa më parë dhe me sa më shumë efikasitet. Le të mos kundërshtojnë dhe të mos na bëjnë si budallenj. Le të largohen në mënyrë të qetë dhe pa kryengritje. Le ta vënë mençurinë në kapital! Le të ikin nga qiteti dhe të zhvendosen me banim në varrezë. Bravo u qoftë!Vdiq në fund të korrikut, ndoshta kishte zgjedhur pikërisht këtë kohë të vitit për të na demonstruar me fakte atë që gjithmonë na tregonte me këmbëngulje, se si ishte shndërruar qiteti. Dhe ne mendonim se ajo ankohej vetëm që të na tërhiqte vëmendjen te ata atje poshtë, nën rrethrrotullimin e Jarçevës. Vështroj rreth vetes dhe kuptoj se sa të drejtë kishte. Ndoshta akoma ka të drejtë. Ndoshta është varrosur e gjallë atje në Boninovë. Më duhet të shpejtoj. Ndoshta pikërisht në këtë moment ka ardhur në vete, përpiqet të marrë frymë dhe gërvisht si e çmendur arkivolin me ato krahët e saj si të pulës, por ai vetëm thyhet dhe gërvishtet duke lëshuar copa tallashi. Ndoshta thërret me gojën pa protezë, por askush nuk mund ta dëgjojë ofshamën e saj. Thërras vëllain gjithë panik. Dëshiroja t’i thosha se kishte të drejtë. Nuk përgjigjet. Hedh çantën time në shpinë dhe vrapoj në rrugën drejt varrezës. Çaj nëpër grumbullin e njerëzve që më shohin gjithë çudi. Vrapoj dhe më kullon ujë nga veshët. Kaloj stacionin e autobusëve. Përsëri grumbull njerëzish para dyerve. Celulari po jep shpirt, nuk mund të thërras as Uberin. Si i bëhet nëse pikërisht tani zgjohet me frikë ngjethëse. Shtyj njerëzit gjithë panik. Kaloj e ngarkuar si mushkë para azilit të pleqve. Në karrocat e invalidëve qëndrojnë brumbujt. Ata i kishin thyer kërdhokullat e tyre pikërisht në këtë kohë, e përshtatshme për të shmangur edhe një verë të tmerrshme në qitet. Më shohin me çudi. Vrapoj teposhtë në drejtim të kundërt me të gjithë të tjerët. Çanta e shpinës më bëhet e rëndë por nuk jepem, më duhet të mbahem edhe pak. Më ra përtokë shishja e ujit, por nuk kam kohë të ngas pas saj dhe e lë të rrokulliset drejt qytetit. E dëgjoj sesi rrokulliset gjithnjë e më poshtë. Ndoshta ndokush do ta marrë kur të përfundojë rrokullisjen. Vrapoj sa më hanë këmbët. Pasqyra e detit në Perëndim shtrihet deri në pafundësi. Vrapoj shpejt sa ç’nuk kam vrapuar asnjëherë në jetën time. Hyj duke dihatur në varreza. Zemra më kërcen në grykë. Hedh çantën e shpinës përtokë. Nxjerr me panik celularin dhe thërras me katër për qind të mbushjes së baterive. Përnjëherësh si të ishte ndonjë orkestër simfonike në varr fillon të dëgjohet Over the Horizon. Tërë varreza gjëmon nga ekzekutimi mjeshtëror i kësaj muzike. Qiparisat u drodhën, ndërsa dallëndyshet e frikësuara fluturuan lart duke formuar një rreth. Vështroj me çudi rreth vetes. Shumë shpejt dëgjoj një zë gruaje që ndërpret befas koncertin. Alo. Ja, jam në varreza, erdha t’i sjell Katjes një tufë me lule sepse dje nuk mund të merrja pjesë në varrim. Por për atë Zot kam mbetur e varrosur për së gjalli nga grumbulli i njerëzve këtu në Pile.
