Blogu

sot.com.al/ “Pafundësi”, një përmbledhje me 12 tregime tronditëse për jetën e njeriut të sotëm

https://sot.com.al/kultura/pafundesi-nje-permbledhje-me-12-tregime-tronditese-per-jeten-e-njeriut-t-i467513

SHKRUAR NGA SOT.COM.AL 6 TETOR 2021

 “Pafundësi”, një përmbledhje me 12 tregime

Libri “Pafundësi” nga Maša Kolanovic është një përmbledhje prej dymbëdhjetë tregimesh, që përpunojnë realitetin bashkëkohor, i cili shpesh, në nivel simbolik, shndërrohet në botën që pati parashikuar mendja gjeniale e Franc Kafkës, më së pari në kryeveprën e tij “Procesi”, por edhe te “Metamorfoza”, të cilës kjo përmbledhje edhe i drejtohet jo vetëm nëpërmjet titullit, por edhe nëpërmjet një sërë elementesh të tjera që bien në sy në disa tregime. Brumbujt shfaqen në disa tregime të Kolanovicit dhe praktikisht në secilin prej tyre janë personazhe njerëzore, megjithëse ata nuk janë të vetëdijshëm për një gjë të tillë, e lëshojnë veten në nivelin e brumbujve dhe sillen ngjashëm me këto lloj insektesh, duke këmbëngulur të jetojnë dhe të mbijetojnë me panik, duke mos u larguar nga rreziku, ose së paku duke lëvizur sipas udhëzimeve dhe orientimeve të qenieve “më të larta”, që në këtë rast janë kreatorët e mënyrës konsumuese të jetës, qofshin këta politikanë apo përfaqësues të kapitalit të madh. Me këtë, të gjithë ata përmbyllin procesin e ç’humanizimit të individit, duke e shndërruar në konsumator, i cili edhe përkundër përpjekjeve të mëdha nuk mund të ndryshojë asgjë (njëfarë “Revolucioni”), ose të individit të përgjegjshëm (studentja e letërsisë në tregimin e shkëlqyer “Për një jetë më të mirë”), e cila ka dëshira por jo fuqi për të realizuar ndryshime. Në këtë botë, individët bëhen viktima klasike të shoqërisë së konsumit (“Të nderuar brumbuj”, “Në rast se jetoni më gjatë”) ose robër të detyrimeve (“Pafundësi”), gjë për të cilën e vërteta jo vetëm që nuk këmbëngulet të zbulohet, por zbukurohet me kuadro tërësisht të gënjeshtërta, gjë për të cilën rrëfen tregimi “Zezonë”, që, për shumë arsye, është tregimi më i mirë nga të gjitha tregimet shumë të mira të kësaj përmbledhjeje. Autorja i vendos tregimet e veta si në kontinent (Zagreb, Karlovac), ashtu edhe në breg të detit (Dubrovnik, Zarë), duke arritur që nëpërmjet tyre të sjellë edhe kolorite, të cilat janë edhe thesari gjuhësor i këtyre mjediseve. Këtë e bën duke përdorur mënyra të ndryshme rrëfimi dhe kësisoj, krahas rrëfimit klasik, ndeshim për shembull edhe tekste me karakter turistik ose historik, recensione për smartfonin, tekste promovuese në gjuhën angleze, komunikim nëpërmjet letrave, shënime në ditar, leximin e mesazheve nga shishet e ujit “Jana” etj. Një pjesë e veçantë e librit janë edhe ilustrimet e vetë autores, të realizuara më së miri dhe që përshkruajnë bukur personazhet njerëz kockë e lëkurë.

Stili i një rrëfimtareje

Në tregimet e Maša Kolanovicit spikat stili i një rrëfimtareje me përvojë e të talentuar, e cila, si pa e vënë re, e tërheq lexuesin në historinë, psikikën e personazheve dhe mjediset që përshkruan, prandaj rrëfimet e saj mund të lexohen si pjesë e realitetit bashkëkohor kroat (“Konsumimi” i gjithëpranishëm, qendrat tregtare dhe konsumi në përgjithësi, ustashizmi, varfëria, politikanët e korruptuar), por edhe si pjesë e të përditshmes botërore dhe europiane: përmes bankave, terrorit të teknologjisë digjitale dhe dhunës së ekzistencës konsumuese të njeriut si njeri, vihet në pikëpyetje fakti se në çfarë mase njerëzit janë vërtet, për nga cilësitë dhe sjelljet e tyre, të ngjashëm me brumbujt, ose është më mirë të përdoret titulli i mrekullueshëm i njërit prej tregimeve “Insektet janë pothuajse si njerëzit”. Sidoqoftë, Maša Kolanovici, edhe pse nëpërmjet teksteve e ilustrimeve ka treguar se nuk bën pjesë në bashkësinë e brumbujve, kjo nuk mund t’i shërbejë si qetësim, sepse, për fat të keq, bota rreth saj është plot e përplot me të tillë.

“Pafundësi”

Maša Kolanovic

Përktheu: Xhelal Fejza

196 f., 800 lekë