Dua të theksoj që në fillim se botimi i kësaj vepre madhore, që është një trilogji kushtuar Anglisë mesjetare të shekullit XVI është një arritje e rëndësishme edhe për vetë shtëpinë botuese “Dituria”: së pari, se ajo na përcjell një nga autoret më të talentuara të prozës moderne angleze, fituesen dy herë radhazi të Man Booker Prize, duke na njohur ndërkohë me rrjedhën e vetë letërsisë bashkëkohore, ku mungesat për ne janë të dukshme. Njëkohshëm, ajo ndihmon edhe vetë letërsinë tonë, duke i paraqitur një model të veçantë të romanit historik shumëplanësh, ku monumentaliteti historik gërshetohet me përjetimet poetike, ku e shkatërueshmja, materialja, ndërthuret me të pashkatërueshmen, shpirtëroren, ku historikja vjen si plotësim i të sotmes, duke i përcjellë asaj dhe vetë neve kumte të fuqishme, shpesh të paparashikueshme. Mund të them me bindje se, pa lexuar trilogjinë Salla e ujqërve (Salla e ujqërve – Dituria 2016; Ana Bolena, një çështje familjare- Dituria, 2016 dhe Pasqyra dhe drita – Dituria 2021), nuk mund ta kuptosh kurrë Anglinë, ose, më saktë, botën anglo-saksone, aq të ndërlikuar dhe aq mbresëlënëse, përcjellë deri në detaje, falë talentit të kësaj shkrimtareje. Pa këtë trilogji, pa u njohur me traumat, protestat dhe shtypjen e tyre, revolucionet popullore, forcimin e parlamentit anglez, konceptin mbi ligjin dhe krijimin e kishës së pavarur anglikane, pa u njohur me luftën për t’u çliruar nga dogmat dhe krijimin e universiteteve të para europiane, që do të përcillnin më pas mendimin e lirë, filozofik, nuk mund të arrish deri te Pallati i Bukingamit apo Abacia e Uestminsterit, të cilat, pa këtë lloj proze, do të dukeshin si relikte. Befas ato shndërrohen në simbole. E gjithë Londra e tanishme, frymon si një e tërë. E gjithë Anglia bëhet konkrete, historia e saj mund të preket. Pas përkthimesh të shumta nga letërsia ruse, njohja me përmasat e botës anglo-saksone ka qenë për mua një befasi. Ndërkohë, ishte edhe një sfidë nga anglishtja, sepse kisha përpara meje dy modele të suksesshme përkthimore. I pari ishte “Salla e ujqërve”, përkthyer nga profesori im i nderuar Kujtim Ymeri dhe i dyti “Ana Bolena, një çështje familjare”, përkthyer nga poetja Ledia Dushi. Ndodhesha midis syresh, pra, në njëfarë mënyre, më duhej të ruaja vlerat e përcjella dhe në të njëjtën kohë të mbaja një stil të përgjithshëm, me qëllim që trilogjia të tingëllonte si një e tërë, pra si një vepër unike, pavarësisht se e përkthyer nga tre individualitete të ndryshme. Për këtë arsye kam përdorur edhe ndonjë shprehje apo grup leksemash nga dy modelet e mëparshme, për të ruajtur pikërisht këtë stil të përgjithshëm, unifikues.

Puna me përkthimin
Për sa i përket punës vetjake për përkthimin e veprës “Pasqyra dhe drita”, që është dhe pjesa e fundit e trilogjisë, jam përqendruar më fort në rrafshin e përmbajtjes, duke ndjekur me kujdes kurbën e rënies së Tomas Kromuellit, duke skicuar deri në detaje portretin e tij, me të cilin hapet, por edhe mbyllet kjo trilogji e Anglisë mesjetare, ku ai luajti një rol kyç, duke qenë kryeministër i Henrit VIII. Këmbëngula që të theksoja dramën e tij të tmerrshme, që në fakt nuk është vetëm e tija. Ndërkohë, desha të ruaja tingëllimin aktual, kumtin që përcjell drejt nesh jeta e tij se pema e mirënjohjes nuk lulëzon kudo e kurdoherë dhe se çdo individ apo dhe se komb e çan rrugën e vet përmes traumash vetjake dhe shoqërore. Duke synuar të zotëroj sa më qartë rrafshin e përmbajtjes, kam këmbëngulur që ta interpretoja sa më saktë stilin e Hilary Mantelit. E them këtë, sepse ajo ka një stil të thjeshtë në dukje, por ama tejet poetik. Shpesh, me një lëvizje të beftë, ajo shkakton një zhvendosje tekstuale të tillë, si ato zhvendosjet tektonike në thellësi të tokës, që janë të padukshme, por që të tronditin thellësisht. Kështu, befas, me një kapërcim metaforik, ajo zhytet vertikalisht në errësirën e kohërave, për t’u shfaqur drejt nesh me një dritë dhe shkëlqim, shpesh befasues, që e plotëson më së miri epokën në të cilën jetojmë. Theksoj se ky interpretim i stilit të saj poetik, mund të fshihte në vetvete edhe rrezikun e ndonjë lajthitjeje në përkthim, por që është shmangur me shumë kujdes nga redaktorja e librit, zonja Mariana Ymeri. Redaktimi i saj mendoj se ka bërë që ky përkthim të shpërfaqet suksesshëm, pothuajse pa humbur asgjë nga ngjyrimet e tij emocionale. Pa dyshim, gjatë gjithë procesit të përkthimit të trilogjisë, ajo ka qenë pjesë e pandarë e këtij grupi përkthimor. Ajo mbetet pjesë qendrore e këtij grupimi. Falënderimi im i shkon edhe shtëpisë botuese “Dituria”, e cila më besoi një vepër të tillë madhore, si për nga përmasat, ashtu edhe për nga vlerat artistike, që ajo ngërthen në vetvete. I jam mirënjohës edhe për faktin se, pas botë ruse, m’u dha rasti që t’i përcjell lexuesit shqiptar botën angleze, duke e plotësuar kështu mozaikun e letërsisë europiane me modelet e saj më të arrira. E them me bindje se kjo vepër na pasuron të gjithëve, sidomos letrat shqipe, veçmas në këtë kohë traumatike, të cilën po e përjetojmë thellësisht që të gjithë. Vepra është pjesë e projektit të përkthimit “Udhëtim në kohë dhe vende të ndryshme me mjeshtër të letërsisë europiane”, që po realizohet me mbështetjen e Programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian.
Korab Hoxha përkthyes
#CreativeEurope4Books #shtepiabotuesedituria #passionforbooks #pasqyradhedrita #korabhoxha #hilarymantel