
Ca më vonë, në vitin 1990 ose 1991, nuk më kujtohet mirë, u botua numri i parë, dhe i parafundit, i një reviste që titullohej Bota Letrare, ku, krahas disa poetëve e prozatorëve të pahasur kurrkund më parë nga shumica e lexuesve shqiptarë – si Camus, Sorescu e Mahfuz –, paraqitet, në përkthimin e Besnik Mustafajt, një cikël i gjerë poezish të Ricosit. Po aq befasues edhe ky sa të panjohurit e sipërpërmendur; një tjetër Ricos, të cilin veç një tejzë e mezidallueshme e lidh me poetin e «Mëhallave», një Ricos i errët, abstrakt, një poezi e kulluar, e shkëputur nga tematikat e mëdha dhe e përqendruar te një mijë e një çikërrimat e lumtura a të mundimshme që përbëjnë jetën tonë kalimtare. Qysh atëherë e deri në këto ditë, një sërë përzgjedhjesh nga vepra e Ricosit kanë parë dritën e botimit në Tiranë apo në Prishtinë. Thuajse çdo përkthyes i letërsisë greke në gjuhën tonë nuk rri pa përkthyer edhe gjë a gjë nga Ricosi, një vjershë, një cikël, një libër të tërë apo më shumë. Nuk jam thelluar, por seç kam një përshtypje se, nga gjithë poetët e huaj që kemi njohur në Shqipëri, por nga të gjithë ama, Ricosi mund të jetë edhe më i lexuari a më i pëlqyeri. Dhe pa dyshim që, sidomos gjatë 30-40 vjetëve pararendës, ka ushtruar një ndikim të qartë te disa prej poetëve tanë. Çka do të ishte e pashmangshme pas gjithë këtyre përkthimeve e leximeve të një vepre me kaq peshë. Ma ha mendja se, dhe viteve që vijnë, emri i poetit Janis Ricos ka për t’u shfaqur aty-këtu mbi kopertinat e librave të rinj që do të botohen në shqip. Edhe për një arsye të dytë, përveç kësaj që shënova në paragrafin e mësipërm: njohja e veprës jashtëzakonisht të vëllimshme të Ricosit nuk është plotësuar, nuk është shteruar as në vendin e në gjuhën e tij. Për kritikët, studiuesit dhe historianët e letërsisë greke, Ricosi përfshihet në të spikaturin brez i viteve ’30. Kur kam shkruar, në të kaluarën, për Seferisin dhe Elitisin, jam ndalur ca, detyrimisht, te rëndësia e prurjes në fjalë. Ricosi ishte, mund të themi, vërsnik me këta dy poetë të lindur në krye të shekullit të kaluar. Pak më i vogël se Seferisi e pak më i madh se Elitisi në moshë, të tre e bënë debutimin në letra diçka pas vitit 1930. Rrethoheshin edhe prej bashkëmoshatarësh të tjerë, mjaft të dhuntishëm, por që nuk qenkësh thënë të gëzonin jashtë Greqisë pritjen e ngrohtë që do t’u rezervohej këtyre. Po flasim për një kohë kur letërsia greke mbretërohej prej sovranit të rrudhët Kostis Palamas, fjala e të cilit ishte ligj dhe, që nga lartësia e fronit, i akordonte titullin e poetit ndonjë zëri që e gjykonte vërtet premtues. Më pas u pa se, ngaqë zemërgjerësia ia dëmtuakësh kur e kur nuhatjen, edhe kishte gabuar, por vetëm më të rrallë dhe aspak në rastin e Ricosit, për të cilin, më 1936, u shpreh: «Po mënjanohemi, Poet, që të kalosh». «Legjendat», «Përmasa e katërt», «Aksion Esti» iu drejtuan, në radhë të parë, të njëjtit popull dhe u përqafuan, atje-atje, nga të njëjtët njerëz. U shoqëruan, pastaj, me muzikë, nga të njëjtët kompozitorë, më i shquari, nuk e di nëse edhe më virtuozi, ndër të cilët, Mikis Theodhoraqis. Është e njohur, përtej kantatave, edhe një fotografi e këtij me Elitisin dhe Ricosin, një pamje ku gurgullon përzemërsia. E megjithatë, pas sinkronisë së nisjes, pikat e takimit mes Seferisit e Elitisit, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, Ricosit, do të jenë vetëm thelbësore, vetëm në vepra, vetëm në poezitë e tyre, dhe pothuajse askund gjetkë. Jetuan, përgjatë disa harqeve kohorë, të tre në të njëjtin qytet, në Athinë, e, prapëseprapë, dy të parët, shokë të ngushtë, nuk iu qasën për asnjë çast Ricosit dhe as ky nuk e theu ndonjëherë vendosmërisht akullin për t’u përzier në miqësinë e tyre. Qenë bashkëkohës e bashkëqytetarë, porse – dhe pikërisht këtu doja të dilja – në një epokë të mbrapshtë, në një vend të përçarë nga ideologjitë, të përgjakur nga luftrat botërore e civile e të shtypur nga junta. Gjithsesi, në fund, midis viteve 1970-1990, i dhanë poezisë vendin që i takon dhe gjetën mënyrën, qoftë edhe të përkorë, për t’ua pohuar vlerat punëve të shoshoqit. Dhe punëve të Ricosit, po e përsëris, u janë njohur, pohuar e regjistruar veç një pjesë e vlerave. Edhe ngaqë, kurdoherë, hijeshitë dhe grishjet e poezisë së mirë zbulohen me një ngadalësi tekanjoze, por edhe ngaqë kemi të bëjmë me një rast tejet të rrallë në letërsinë e anembanë kohëve dhe gjuhëve. Domethënë, pasi hyjmë në katin nëndhes apo përdhes të një librarie të Athinës, pasi gjejmë nja dhjetë rafte plot e përplot me libra të Ricosit, tërheqim një e aq prej atyre njëqind e kusur përmbledhjeve poetike që botoi, dhe, duke e shfletuar, shohim me habi, poshtë shumë, dhjetë a njëzet a edhe më shumë vjershave, të njëjtën datë. Dhe, ndërkaq, të tjerë dengje letrash, të zverdhura nga tymi i duhanit e i kohës, vazhdojnë të dalin prej sirtarësh e baulesh, vandakë fletoresh me bukurshkrim, për t’iu shtuar opusit të një gjeneratori të pareshtur të rrymës poetike.
(c) 2021, Romeo Çollaku. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
