Jonila Godole është pedagoge në Universitetin e Tiranës. Ajo ka studiuar për shkenca politike në Universitetin “J. W. Goethe” Frankfurt am Main/Gjermani. Godole ka qenë një nga gazetaret e para të shtypit të pavarur në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist, e njohur sidomos për intervistat politike.
Prej vitit 2014 Godole është drejtore ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) që ka në fokus memorien kolektive. Përveç artikujve dhe botimeve shkencore, Godole është autore dhe përkthyese. Romani i saj i parë “Puthja e Udhëheqësit” u botua më 2003; drama “Njeriu i Rërës” pati premierën e saj në skenën prestigjioze të Burgtheater në Vjenë (2010).
Godole ka sjellë në gjuhën shqipe shumë autorë klasikë dhe bashkëkohorë gjermanë si Rilke, Musil, Schnitzler, Bernhard, etj. Po përmendim disa nga përkthimet e saj: Elegjitë Duine, Rainer Maria Rilke; Pështjellimet e djaloshit Tërles, Robert Musil; Zonjat presidente, Werner Schwab; Njeriu pa cilësi, Robert Musil; Reigen, Arthur Schnitzler; Forca e zakonit, Thomas Bernhard, Procesi mbi hijen e gomarit, nga Friedrich Dürrenmatt; Gruaja e Mesditës, Julia Franck, Historia e çuditshme e Peter Schlemihls, Adelbert von Chamisso etj.
Në dhjetor 2019, Jonila Godole u nderua nga Presidenti austriak Alexander Van der Bellen me Medaljen e Artë për shërbime të larta ndaj Austrisë.