Ankthi i portierit para penalltisë

Peter Handke
Përktheu: Jonila Godole
Kopertina: Besim Tula
144 faqe
800 lekë

I pushuar befas nga puna në kantier, ish-portieri i futbollit, Jozef Bloh, fillon të endet rrugëve të Vjenës: shkon në treg, kinema, stadium, pastaj kërkon një dhomë hoteli për natën. Shqisat e tij janë në përgjim, gjithçka e shqetëson.

Ai kërkon me dëshpërim një njeri me të cilin të flasë, përpiqet t’u telefonojë të njohurve, pa gjetur askënd. Bredhjet e tij vazhdojnë derisa takon një grua të gatshme të kalojë natën me të. Por pastaj e vret, pa asnjë motiv.

Ankthi që e mbërthen pas vrasjes është i njëjtë me atë që ndiente kur, si portier, përgatitej të priste një penallti. Përpiqet atëherë të arratiset drejt kufirit, duke u ndier i spiunuar, gjah për të tjerët, dyshues ndaj të gjithëve, në përpjekje për të parashikuar lëvizjet e kundërshtarit…

Një nga tekstet më domethënëse të Peter Handkes, një thriller i tensionuar dhe anormal, me një stil narrativ tejet origjinal.

Category:

Rreth autorit

Peter Handke

Peter Handke

Peter Handke ka lindur më 6 dhjetor 1942, në Griffen, Kerntën (Austri). Nga viti 1961 deri më 1965 ndoqi studimet për jurisprudencë në Grac. Ka ndërruar shpesh vendbanim, duke jetuar në Düseldorf, Berlin, Paris, Frankfurt, në ShBA etj. Në vitin 1978 udhëton nëpër Jugosllavi, Greqi, Egjipt dhe Japoni.
Konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë.
Është autor poezish, esesh, dramash dhe skenarësh kinematografikë. Përmendim: Ankthi i portierit para penalltisë, Letër e shkurtër për ndarjen e gjatë, Ora e ndjenjës së vërtetë, Gruaja mëngjarashe, Kthim i ngadalshëm për në shtëpi, Kinezi i dhimbjeve, Pasdite e një shkrimtari, Historia e fëmijës, Mungesa etj.
Pasi tërhoqi vëmendjen europiane me Fyerje publikut (1966), eksperiment i metateatrit që nuk pranon asnjë lloj imitimi natyror, Peter Handke e fitoi përfundimisht lexuesin me librin Një brengë përtej ëndrrave, botuar edhe në shqip nga Dituria, që u bë menjëherë një bestseller i papritur dhe mbetet edhe sot, mbase libri më i dashur, i Peter Handkes. Një libër që kritika e ka konsideruar një klasik të pavdekshëm.
Në vitin 2019 u shpall fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë.

Rreth përkthyesit

Jonila Godole është pedagoge në Universitetin e Tiranës. Ajo ka studiuar për shkenca politike në Universitetin “J. W. Goethe” Frankfurt am Main/Gjermani. Godole ka qenë një nga gazetaret e para të shtypit të pavarur në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist, e njohur sidomos për intervistat politike. Prej vitit 2014 Godole është drejtore ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) që ka në fokus memorien kolektive. Përveç artikujve dhe botimeve shkencore, Godole është autore dhe përkthyese. Romani i saj i parë “Puthja e Udhëheqësit” u botua më 2003; drama “Njeriu i Rërës” pati premierën e saj në skenën prestigjioze të Burgtheater në Vjenë (2010). Godole ka sjellë në gjuhën shqipe shumë autorë klasikë dhe bashkëkohorë gjermanë si Rilke, Musil, Schnitzler, Bernhard, etj. Po përmendim disa nga përkthimet e saj: Elegjitë Duine, Rainer Maria Rilke; Pështjellimet e djaloshit Tërles, Robert Musil; Zonjat presidente, Werner Schwab; Njeriu pa cilësi, Robert Musil; Reigen, Arthur Schnitzler; Forca e zakonit, Thomas Bernhard, Procesi mbi hijen e gomarit, nga Friedrich Dürrenmatt; Gruaja e Mesditës, Julia Franck, Historia e çuditshme e Peter Schlemihls, Adelbert von Chamisso etj. Në dhjetor 2019, Jonila Godole u nderua nga Presidenti austriak Alexander Van der Bellen me Medaljen e Artë për shërbime të larta ndaj Austrisë.