E çmendun, e çmendun, e çmendun dashunie për ty

Poezi për të rinj të dashuruar

Alda Merini
Përktheu: Ledia Dushi
Kopertina dhe ilustrimet: Zamfira Heta
96 faqe
600 lekë
Një përmbledhje poezish, në vazhdën e përmbledhjes me poezi të poetit të madh francez, Prévert “Kjo dashuri”. Poezi për t’u lexuar, për t’u recituar, për t’u kopjuar, për t’u dhënë si dhuratë: për të gjithë të rinjtë që, falë një libri, mund të shprehin ndjenjat e tyre më
të thella dhe më komplekse.
Poezia, dashuria dhe çmenduria futen njëkohësisht në jetën e poetes Alda Merini, një stuhi që e përmbysi, në adoleshencë, deri kur ajo arrin të fitojë mbi të, me forcën e fjalës.
Ndërkohë që tregon për vitet e kaluara në spitalin psikiatrik, ajo padit përvojën më të dhimbshme: urdhrin që i jep mjeku që të mos dashurohet.
Në poezitë e Alda Merinit dashuria, më shumë se një temë dominuese, është shpirti që përshkon vargjet, është mekanizmi që vë në lëvizje fjalët. Objekt i dashurisë është gjithçka që mund të nxisë tek ajo një “ngacmim përrallor të mendjes”, një “mrekulli abstrakte”; që tejkalon çdo përkufizim kohor e hapësinor. Dashuria, ashtu si poezia, është e patjetërsueshme, e pakorruptueshme edhe nga të qenit e dëmshme, është kundërhelmi më i mundshëm i çmendurisë.
“Nuk është poezia ajo që të çmend, por rrethanat e jetës; jo çdo i çmendur është edhe poet”.
Poezia e Alda Merinit nuk hap botë, por i sugjeron ato, jep shpresë, sfidon veten dhe të tjerët, me enigmat e saj. Grumbullon fragmente, zbulon gjurmë hyjnish ikanake, hije të një bukurie që për një moment është shfaqur, jehona zhurmash dhe tinguj tashmë të zhdukur:
“Zemra ime është pyll i shkretë,
i virgjër, dendur me hije dhe zhurma
të lehta, vegimesh fluturake,
ngarendjesh edhe më fluturake”.

Category:

Rreth autorit

Alda Merini

Alda Merini

"Ne jete kushdo ka nevoje per pak poezi"
Poete shume e vleresuar, e perkthyer, e lexuar dhe madje e kenduar. (Shume nga poezite e saj jane muzikuar,)
Fituese e shume çmimeve letrare (Çmimi Librex Guggenheim “Eugenio Montale” për Poezinë; Çmimi Viareggio; Çmimi Procida-Elsa Morante; Çmimi i Presidencës së Këshillit të Ministrave per Poezinë).
Në një intervistë dhënë për gazetën Corriere della Sera, poetja bën bilancin e jetës së saj:
“Unë e kam shijuar jetën të plotë, pavarësisht asaj që thuhet për çmendinën. Unë jetën e kam shijuar sepse e dua edhe ferrin e jetës dhe jeta është shpesh një ferr... Për mua jeta ka qenë e bukur, sepse e kam paguar shtrenjtë”.

Rreth përkthyesit

Ledia Dushi lindi në Shkodër, ku dhe kreu Shkollën e Mesme Pedagogjike. Në vitin 2000, u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në universitetin Luigj Gurakuqi, Shkodër. Më 2010, përfundoi studimet MA, ndërsa më 2016 studimet e Doktoratës në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Në periudhën 2002-2007, Ledia Dushi ka qenë drejtuese e Komisionit të Kulturës dhe Rinisë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës; më 2007-2009, pedagoge e letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit. Sot punon si specialiste e letërsisë bashkëkohore në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit në Tiranë. Ledia Dushi është autore e 5 vëllimeve poetike: N’nji fije t’thellë gjaku; Me mujt me fjet ... me kthimin e shpendve; Seancë dimnash, Ave Maria bahet lot dhe Femna s’asht njeri. Në vitin 2005, fitoi bursë si poete në Graz, Austri; më 2004, bursë si poete në Literarisches Colloqium, Berlin; Pjesëmarrës në Javën e Letërsisë Shqipe në Salzburg, 2003; “Mbrëmjet poetike të Strugës”, 2000. Përkthyese e shumë veprave letrare, si: "Varreza e Pragës" dhe "Numri zero", Umberto Eco; "Ana Bolena, një çështje familjare", Hilary Mantel; "Një të shtunë me miqtë", Andrea Camilleri; "Marina" dhe "Loja e engjëllit", Carlos R. Zafón; "Ema", Jane Austen; "Pavdekësia dhe ligjërata të tjera", Jorge Luis Borges; "Shembja e burrit", etj. Fituese e çmimit Pena e Argjendtë, dhënë më 1997 nga Ministria e Kulturës, për vëllimin portik "Ave Maria bahet lot". Shpërblyer me diplomën “At Gjegj Fishta - poeti i kombit” për vëllimin poetik Femna s’asht njeri, 2020. #CreativeEurope #LediaDushi #AldaMerini #Poetedheperkthyese