Katitzi

Katarina Taikon

Përktheu: Sokol Demaku

172 faqe

Cmimi 700

ISBN 978-9928-292-89-6

Gazmore dhe plot kureshtje për botën, Katitzi është një vajzë rome tetëvjeçare. Ajo është heroina e shtëpisë së fëmijës ku jeton, e gatshme të sfidojë kujdestaren e rreptë. Gjithçka ndryshon ditën kur, papritur, babai vjen për ta marrë. Katitzi zbulon se ka një familje të madhe, që jeton në një rimorkio, vesh rroba si në përralla, luan në violinë e u bie tambureve dhe drejton një park të vërtetë argëtimi! Fillon kështu jeta e saj e re, plot të papritura të mrekullueshme, por edhe me shumë mundime e peripeci, që ajo e ka të vështirë t’i kuptojë. Së bashku me motrat, Rozën dhe Lenën, Katitzi duhet të punojë çdo ditë dhe të kujdeset për motrat e vëllezërit më të vegjël, të lindur nga martesa e dytë e babait me një suedeze, që di vetëm të ankohet dhe të japë urdhra.
Po pse nuk mund të jetojnë në një shtëpi të vërtetë? Të ndalen në një vend pa i dëbuar? Pse të mos shkojnë në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë? pyet Katitzi, e cila, nuk është nga ato që dorëzohen përballë padrejtësive dhe heqin dorë nga ëndrrat e tyre.
E frymëzuar nga historia personale, Katarina Taikon ka shkruar për jetën dhe aventurat e Katitzit e familjes së saj rome.
Pas suksesit në vitet 1970, seria ka fituar sërish zemrat e lexuesve, të vegjël e të rritur, falë aftësisë për të rrëfyer për paragjykimet dhe përjashtimet, në këndvështrimin e pafajshëm e të gjallë të një fëmije.
Mosha e leximit: nga 7 vjeç.

Category:

Rreth autorit

Katarina Taikon

Katarina Taikon

Shkrimtarja suedeze Katarina Taikon (1932-1995) ishte aktiviste e njohur për të drejtat civile. Ajo debutoi në vitin 1963 me librin novator Gruaja cigane, që u bë po ashtu pikënisje për luftën kundër racizmit institucional ndaj pakicës rome në Suedi. Vepra e saj më e njohur është Katitzi, një seri librash autobiografikë e përbërë nga trembëdhjetë vëllime, që lexohet gjerësisht nga brezat e fëmijëve dhe është sot pjesë e fondit letrar suedez.
Katarina Taikon ka shkruar këtë seri me libra për vogëlushen Katitzi dhe familjen e saj rome. Histori të mbushura me gëzim, gjallëri dhe imagjinatë, që, përmes syve të një fëmije, rrëfejnë padrejtësi të vogla, mosdijen dhe për-jashtimin që u bëhet atyre. Katitzi dhe qeni Suing është vëllimi i dytë i serisë.

Rreth përkthyesit

Sokol Demaku lindi më 1954, në Drenicë, Kosovë. Shkollën e mesme pedagogjike e kreu në Prishtinë. Përfundoi studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Prishtinës, më 1977. Nga viti 1977 deri më 1984 ka qenë mësues në Kosovë dhe nga viti 2005 deri më 2008 ka qenë mësues ndihmës dhe mësues i gjuhës amtare në komunën e Boråsit, Suedi. Në vitin 2009 u diplomua për mësuesi në Universitetin e Göteborgut. Në vitin 2010 kreu studimet për pedagogji speciale në shkollën e lartë në Borås. Nga 2010 është mësues në Fjärdingskolan Borås. Në periudhën 2001-2004 ka punuar gazetar në një gazetë për rininë në gjuhën suedeze. Prej vitit 2007 është gazetar për gjuhën shqipe në programet internacionale të radio Sveriges. Prej gati dhjetë vjetësh drejton revistën e përmuajshme në gjuhën shqipe Dituria që del në Suedi, si dhe radio Dituria. Sokol Demaku është pedagog, publicist, shkrimtar dhe përkthyes. Anëtar i kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Krijues Shqiptarë në Suedi, dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë, nga viti 2012. Përkthyes i shumë veprave nga suedishtja në shqip, si: Pesha e dashurisë, (Beckomberga. Ode till min familj), Sara Stridsberg (DITURIA, Creative Europe, 2019); A di të fërshëllesh, Johana? (Kan du vissla Johanna), Ulf Stark (DITURIA, Creative Europe, 2016); Drita (Ljuset-översättning), Torgu Lindgren; Gjithë çka më kujtohet (Allt jag inte minns), Do të thërras vëllezërit e mi (Jag ringer mina bröder), Jonas Hassen Khemiri; Një sy i kuq (Ett öga rött), Jonas Hasen Khemiri; Zemërimi, Frika, Premtimi (IRL - Ilskan. Rädslan. Löftet), Maria Frensborg 2017; Djali dhe Tigri (Pojken och Tigern-övers), Lars Westman; Gjueti diamantesh (Diamantjakten-översättning), Mats Wänblad. Përkthime nga shqipja në suedisht, si: Baladë e përflakur (Flammande ballad); Borås dhe Shqiptarët, antologji (Albaner i Borås, anthology) etj.