Konkursi “Booktube më i mirë”, edicioni i 3
Në kuadër të nismës “BookTubing”, u organizua edicioni i tretë i konkursit “BookTuberi më i mirë”, me synim nxitjen e leximit, zhvillimin e shprehjes krijuese dhe promovimin e librit përmes videove të realizuara nga vetë fëmijët.
Konkursi u zhvillua mbi bazën e tre titujve: “Njeriu që mbillte pemë” nga Jean Giono, “Vera e zhytjeve” nga Sara Stridsberg dhe “Djali që e sheh botën me gishta” nga Tomasz Małkowski. Përmes këtyre veprave, pjesëmarrësit u nxitën jo vetëm të lexonin, por edhe të shprehnin në mënyrë personale mendimet, emocionet dhe mesazhet që kishin marrë nga librat.
Nisma u shtri në 8 rrethe (Tiranë, Fier, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Pogradec, Korçë), duke përfshirë rreth 10 shkolla, dhe ngjalli interes te rreth 100 fëmijë. Nga kjo pjesëmarrje u përzgjodhën fillimisht nga mësuesit 40 video BookTubing, të realizuara nga nxënësit pjesëmarrës. Kjo tregon një angazhim të konsiderueshëm të fëmijëve dhe një interes në rritje për një mënyrë alternative dhe krijuese të komunikimit rreth librit. Konkursi shërbeu si një hapësirë ku fëmijët mund të ndërthurin leximin me teknologjinë, kreativitetin dhe komunikimin publik, duke e kthyer librin nga një përvojë individuale leximi në një përmbajtje që mund të ndahet dhe të rekomandohet te bashkëmoshatarët. Në këtë kuptim, edicionit i tretë i “BookTuberi më i mirë” dëshmon se BookTubing është një instrument efektiv për ta afruar librin me fëmijët përmes gjuhës së tyre dhe mjeteve digjitale që ata përdorin natyrshëm.