Papa Dixhital është libri i parë me poezi i Albana Shalës; tepër i veçantë që në titull. Vëllimi poetik mund të cilësohet modern, duke pasur parasysh se ai është krejt ndryshe nga një vizion romantik me të cilin jemi edukuar kur është fjala për poezinë. Natyrisht që terminologjia moderne është një nga kriteret që e bëjnë të kohës një autor, por, jo gjithçka.
Ky libër është një sfidë me veten. Autorja e ndan me ne emocionin e saj duke na dhënë me elegancë pak botë nga ajo që ka njohur, pak jetë nga ajo që ka jetuar dhe pak krenari nga krenaria e njeriut, që ruan gjithmonë një llambë të ndezur brenda vetes për të parë në sy të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen.
Papa dixhital, botuar më 2008, fitoi çmimin kombëtar Migjeni, dhënë nga MTKRS-ja. Libri u botua edhe në gjuhën holandeze.