Më 1927 filloi botimi i përmbledhjes me tregime të zgjedhura të Grinit, por u botuan vetëm tetë. Më 1929 botoi romanet e fundit “Xhesi dhe Morgana” dhe “Rruga që nuk të çon gjëkundi”. I trishtuar, Grini vërente: “Koha më fluturon shkarazi, por unë nuk i duhem asaj kështu siç jam. Po nuk mund të jem ndryshe. Dhe nuk dua.” Romani “Zemëraku”, që mbeti i papërfunduar, mbahet nga disa kritikë si vepra e tij më e mirë. Aleksandër Grini vdiq më 8 korrik 1932. Mjaft shkrimtarë të njohur rusë, si: Ahmatova, Zoshenko, Shostakoviç, edhe Grini midis tyre, u damkosën me emërtimin “kozmopolitë”, të huaj për letërsinë sovjetike, si reaksionarë. Pas vdekjes së Stalinit, veprat e Grinit filluan të ribotoheshin me tirazhe prej miliona kopjesh.
Shkrimtari është veçanërisht i përqendruar në botën e brendshme të njeriut dhe, me një mjeshtëri mahnitëse, përshkruan në mënyrë bindëse psikologjinë e personazheve. Krijimtaria e Grinit nuk kufizohet vetëm në prozë. Poezitë e para, Grini i shkroi qysh në vitet 1906-1907. Ato kishin frymë realiste, por në krijimtarinë e viteve 1908-1909 spikasnin qartë motivet romantike.
Në vëllimin e tretë të veprave të zgjedhura të autorit, të vitit 1991, u botuan 27 vjersha të tij.
Megjithatë, Aleksandër Grini mbetet talenti i përkryer, që nuk kishte paraardhës dhe as vazhdues të drejtpërdrejtë në veprën e tij.